Gjendja e fatkeqësisë natyrore përfundon nesër: Hipoteza për t'u zgjatur vetëm në bregdet

22 Qershor 2020, 11:08Sociale TEMA

Gjendja e fatkeqësisë natyrore përfundon nesër (e martë 23 qershor) dhe një ditë më vonë, të paktën juridikisht vendi kthehet në normalitet.

Megjithatë, shtimi i infeksioneve të reja të raportuara përgjatë ditëve të fundit ka shtuar zërat për një zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga Qeveria dhe mazhoranca kjo temë është anashkaluar për momentin, por në fillim të muajit qershor, atëherë kur vendi u hap thuajse plotësisht, Kryeministri Edi Rama nuk përjashtonte zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zona të caktuara të vendit.

Në këtë deklaratë, Kryeministri nënkuptonte zonat bregdetare dhe e interpretonte mundësinë e zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë në mënyrë që Qeveria të kishte në dorë instrumentet për të luftuar përhapjen e infeksionit, duke qenë se rritja e temperaturave do të zhvendoste gjithnjë e më shumë njerëz në drejtim të bregdetit.

Pa kaluar as dhjetë ditë nga kjo deklaratë, Kryeministri Edi Rama doli me një paralajmërim për rikthimin e karantinës dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, që tha se ishte i detyruar që ta ndërmerrte nëse shifrat me infeksione të reja vazhdonin me ritmet e regjistruara në dhjetë ditët e para të qershorit.

Prej asaj dite, shifrat kanë qenë të larta, me mesatarisht mbi 50 raste të reja në ditë, e po ashtu, sipas raportimeve ditore të Ministrisë së Shëndetësisë është rritur në 784 numri i të infektuarve aktivë dhe në 78 numri i pacientëve që janë shtruar në spital.

Përballë këtyre zhvillimeve dhe me përfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, çfarë duhet të presin shqiptarët të mërkurën; zgjatje të përgjithshme të gjendjes së jashtëzakonshme, apo gjendje të jashtëzakonshme vetëm në bregdet?(gazetaSI)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje