Eksperti i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci tha të martën se ai dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Punës të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin nuk janë udhëzuar të ngadalësojnë testimet për Covid-19, siç ka thënë Presidenti Donald Trump se ai e ka bërë këtë
Edhe shefi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve, Dr Stephen Hahn dhe kreu i Shërbimit Shëndetësor Publik të Shteteve të Bashkuara, Admiral Brett Giroir, dëshmuan në seancën e së martës në Kongres.
Dr. Fauci është në mesin e ekspertëve shëndetësorë që thotë se njerëzit nuk duhet të përqendrohen në valën e dytë të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, sepse vendi ende nuk ka dalë nga vala e tij e parë.
Është një situatë serioze, u tha Dr. Fauci ligjvënësve. “Për momentin, dy javët e ardhshme do të jenë kritike në aftësinë tonë për të trajtuar rritjen e rasteve që ne po shohim në Florida, Teksas, Arizona dhe në shtetet e tjera.”
Shumë shtete janë në proces të heqjes së kufizimeve për koronavirusin, pavarësisht rritjes së infeksionit në rreth gjysmën e 50 shteteve amerikane.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott tha të hënën se rikthimi i kufizimeve do të ishte zgjidhja e fundit, ndërsa tha se virusi po përhapet me një “normë të papranueshme” dhe nuk pranoi të vendosë një urdhër për ta bërë të detyrueshëm përdorimin e maskave në publik. Teksasi ka thyer rekordin ditor të numrit të infeksione të reja për gati dy javë ndërsa po rritet edhe numri i të infektuarve të shtruar në spitale.
Shteti fqinj i Luizianës ka shënuar mbi 3,000 vdekje nga Covid-19, dhe me rritjen e numrit të rasteve, Guvernatori John Bel Edwards tha se ai do të mbante në fuqi kufizimet aktuale që pritej të skadonin të premten.
Shkalla e shtrimit të të infektuarve në spitale është rritur edhe në Xhorxhia, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus po rritet në dhjetëra shtete të tjera./VOA