Rastet e personave të infektuar me covid-19 kanë tejkaluar 10 milionë këtë të diel, duke shënuar kështu një kulm në përhapjen e sëmundjes respiratore, që brenda 7 muajve u ka marrë jetën afro 500.000 personave.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo shifër është thuajse dyfishi i rasteve të gripit të rëndë që regjistrohen çdo vit.
Rekordi i ri i infektimit vjen në një kohë kur shumë vende kanë nisur lehtësimin e masave kufizuese, por në të njëjtën kohë duke ju përshtatur ndryshimeve të detyruara në jetët e tyre sociale dhe në punë, pasi prodhimi i një vaksinë anti-covid kërkon ende kohë.
Disa vende madje po shohin rritje të rasteve, duke bërë që autoritetet të rivendosin masat e izolimit pjesor. Ekspertët parashikojnë se kjo do të jetë një tendencë që do të rikthehet edhe në muajt në vijim e madje edhe në vitin e ardhshëm.
Pandemia duket se tanimë ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit. Amerika e Veriut, ajo Latine dhe Europa përbëjnë secila 25% të rasteve, ndërsa Azia dhe Lindja e Mesme përbëjnë 11% dhe 9% të rasteve respektivisht.