Me shpresën te 1 korriku “gjerman”

1 Korrik 2020, 20:27Blog TEMA

Nga Mirela Kumbaro

Unë nuk e di saktësisht se si do të jetë presidenca gjermane që ngriti sot perden e skenës së Bashkimit Europian, por besoj biem dakord me ndjesinë e shpresës së mirë që shoqëron këtë 1 korrik “gjerman” të udhëheqjes së BE.

E gjeta këtë ndjesi në shtypin europian sot, dhe them se nuk gabohem që edhe në Shqipëri e përcjellim po njësoj.

Sepse është një vend i konsoliduar, është i disiplinuar, i fortë ekonomikisht, me themele filozofike që kanë mbajtur botën, me politikanë nga më seriozët dhe me një kancelare që vazhdon të jetë model i udhëheqësit politik dhe i së ardhmes femerore në politikëbërjen europiane dhe jo vetëm…. ? Mbase!

Por edhe për shumë arsye të tjera që unë nuk i shteroj dot, por mund ta mbyll listën e papërfunduar të arsyeve me perceptimin se në këtë anë të botës Gjermania na jep besim se e mban fjalën, se na e do të mirën, se na e thotë të vërtetën, se nuk na e ka me hile, dhe se i do shqiptarët në Europë.

Nga ana tjetër, sfidë e madhe është për besë, as e para e as e fundit, për Angela Merkel -in, që të mbajë timonin e Anijes Europiane në një nga kohërat më të këqia që mund të ketë njohur BE-ja, por edhe bota mbarë, kur administrimi i pandemisë dhe i krizës ekonomike nuk është thjesht lajm gazetash por jeta e përditshme e gjithkujt.

A do të jetë ajo shpëtimtarja e një Europe të dobësuar? Janë të gjitha gjasat që po.

Ishte pikërisht kancelarja Merkel që në kulmin e tërmetit të pandemisë bëri kthesën e fortë duke i konsideruar stabilitetin dhe begatimin e euros më të rëndësishëm se sa klishetë që kanë sunduar në dy dekadat e fundit organizatën.

Kriza që po jetojmë e që tundi themelet edhe të Europës së Bashkuar, nxorri në pah rolin e pushtetit publik që u legjitimua më shumë se kurrë më parë, forcën e sektorit publik, të pazëvendësueshëm nga asnjë lloj korporate private apo udhëheqës providencial populist, në mbrotjen e punës dhe të vlerave, në ruajtjen e themelit të shoqërisë dhe të solidaritetit.

Në këtë moment kaq delikat, Gjermania zgjodhi Europën me forcën e solidaritetit për shtetet më “të dobëta”. Nëse kjo presidencë gjermane do t’ia dalë me sukses, sikurse të gjithë shpresojmë e besojmë, Angela Merkel do ta meritonte vërtet vendin e saj, krah paraardhësit dhe mentorit të vet Helmut Kohl, në Panteonin e Europës.

Gjermania jo vetëm e punës dhe e ekonomisë, por sidomos Gjermania e mendimit të thellë, e filozofisë dhe e kulturës – që sot ka për president një “homo kulturalis” Frank–Walter Steinmeier, ish ministrin e jashtëm që kulturën e konsideron si “shtyllën e tretë” të diplomacisë gjermane, “third pillar”siç e pat konfirmuar edhe vetë në takimin që organizoi me ministrat e kulturës të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e takimeve të organizatës në zanafillë gjermane “Traduki” – nuk zhgënjen!

I vaftë mbarë për Europën dhe për Shqipërinë europiane!

Nëse do të duhej një kolanë zanore për këtë 1 korrik “gjerman” pa dyshim do të zgjidhja “Wind of change” të Scorpions -ave.

1 komente në “Me shpresën te 1 korriku “gjerman””

  1. Ilirjanet says:

    Mir moj mirel mir por kur ju jepet mundesia qe te drejtoni pse ju dhe ne Shqipetaret vetem abuzojm dhe vjedhim,e me e keqja hiqemi site ndershem pas vjedhjes se radhes ,ata domethen te huajitna njohin shpejt dhe krijojn distanc nga hajdutet,ndaj se kuptova shkrimin ternd!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje