Kosova dhe Serbia në video takimin e Parisit

10 Korrik 2020, 12:40Bota TEMA

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, po zhvillojnë sot një video konferencë më kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Të dy zyrtarët e lartë të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018 në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Takimi i së dielës, sipas zyrtarëve të BE-së “do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa u shprehu mbështetjen përpjekjeve evropiane, duke shfaqur shpresën se video konferenca e sotme do të sigurojë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje