Klement Balili ka pretendime për qelinë, kërkesa e "Eskobarit të Ballkanit": Më hiqni nga siguria e lartë, dua ta vuaj dënimin në burg të zakonshëm

21 Korrik 2020, 19:20Kronika TEMA

Klemend Balili, i quajturi ndryshe nga media greke si “Eskobari i Ballkanit”, kërkon të ndryshojë sigurinë e burgut, ku po vuan dënimin me 10 vjet heqje lirie të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e “Trafikut të narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Kërkesa është depozituar në gjykatën e Elbasanit, ku Balili, sipas gazetarit te shqiptarja.com, i kërkon trupit gjykues që ti ndryshojë kushtet e sigurisë së vuajtjes së dënimit, duke e transferuar nga një burg i sigurisë së lartë siç është burgu i Peqinit në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në fakt vuajtjen e dënimit në burg të sigurisë së lartë e ka përcaktuar gjykata e Krimeve të Rënda, në vendimin e dënimit me 10 vite burg të Balilit. Pritët që në ditët në vijim të zhvillohet gjyqi për të shqyrtuar këtë kërkesë të Balilit depozituar gjykatës së Elbasanit.

Nëse trupi gjykues do të pranonte kërkesën e Balilit, atëherë “Eskobari i Ballkanit” do transferohej nga burgu i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme, që kuptohet do të përfitonte më tepër lehtësira për sa i përket takimeve me familjarë,leje dalje të përkohshme, dhe aktivitete të ndryshme.

Klement Balili ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja. Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia.

Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit, të cilin e quajtën edhe “Escobari i Ballkanit”. Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke.

Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare. Balili të vetmen dalje publike e ka në 2016 duke mohuar akuzat e drejtësisë greke më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim.

Ai është pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel Olivia në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera.

Për arrestimin e Balilit nuk kanë munguar dhe qëndrimet e selive diplomatike. Ish-ambasadori amerikan Donald Lu gjatë mandatit që shërbeu në Shqipëri e cilësoi “peshk i madh”.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje