OBSH: Të rinjtë nuk janë të pamposhtshëm nga efektet e COVID-19

31 Korrik 2020, 14:48Bota TEMA

Të rinjtë “nuk janë të pamposhtshëm” theksoi Organizata Botërore e Shëndetësisë, teksa ka paralajmëruar se ka gjithmonë edhe më shumë  prova se pacientët që e kanë kaluar COVID-19 me simptoma të lehta mund të kenë pasoja shëndetësore afatgjata.

“Të dhënat sugjerojnë se rritja e numrit të rasteve në disa vende po vjen si pasojë e të neglizhimit të të rinjve me ardhjen e stinës së verës”, tha drejtori i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“E kemi thënë më parë dhe do ta themi sërish: të rinjtë nuk janë të pamposhtshëm. Të rinjtë rrezikojnë gjithashtu të infektohen edhe të vdesin dhe të transmetojnë virusin tek të tjerët”, shtoi ai.

Lajmi vjen pasi Dr Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH për Europën, tha për Euronews se po shtohen rastet pozitive mes moshave të reja.

“Nuk kam frikë”

Në fakt, shumë prej të rinjve të pyetur nga Euronews kanë pohuar se pavarësisht se disa gjëra kanë ndryshuar, ata po vazhdojnë të takojnë miqtë e tyre ashtu si para periudhës së coronavirusit.

“Mendoj se jam duke takuar po aq njerëz saç takoja më parë, por ndoshta më rrallë për shkak se nuk ka shumë evente festive. Parapëlqej takimet në ambiente të hapura që të shmang mbajtjen e maskës”, thotë Simon, një 33-vjeçar që jeton në Lion, Francë.

Sarah, një 32-vjeçare që punon për një organizatë jo-fitimprurëse në Paris, thotë se takon po aq njerëz saç  takonte më parë, të paktën që nga koha e hapjes së bareve dhe restoranteve në Francë.

Ajo u shpreh se shumica e të njohurve të saj nuk janë të frikësuar nga virusi

“Nuk kam frikë për sa i përket virusit sepse jam në moshë të re dhe nuk jam e rrezikuar. Nuk para takoj njerëz që janë më të rrezikuar nga virusi”, shtoi ajo.

“Vjen një pikë kur dëshira për të rinisur jetën normale është më e fortë se frika e vdekjes”, i shpreh Sarah.

“Mendoj se po takoj po aq njerëz sa më parë”, thotë Vincent, një 34-vjeçar nga Lioni. “Po përdor masa mbrojtëse si mbajtja e maskës kur është e nevojshme, larja e shpeshtë e duarve dhe distancim fizik”.

Vincent thotë se shqetësimi i tij më i madh është transmetimi i virusit tek të tjerët.

“Pse të ndërmerret një rrezik i tillë”

OBSH theksoi se edhe simptomat e lehta prej COVID-19 mund të rezultojnë në komplikacione shëndetësore afatgjata.

Dr Maria van Kerkhove, drejtuesja teknike e COVID-19 në OBSH, përmendi mbilodhje, mungesë frymëmarrje dhe vështirësi në kthimin e aktiviteteve normale, si disa prej efekteve afatgjata të personave që kanë kaluar virusin me simptoma të lehta.

Drejtori ekzekutiv i programit të emergjencave shëndetësore Michael Ryan gjithashtu përmendi disa prova për ndryshime të tej zgjatura inflamatore në sistem kardiovaskular të pacientëve.

Ai shtoi se janë ende të paktë njohuritë mbi implikimet afatgjata të virusit.

“Pse të ndërmerret një rrezik i tillë?” tha Dr Ryan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje