Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga Policia, reagon ministria e Jashtme e Kosovës: Serbia po vazhdon me veprime ilegale

2 Gusht 2020, 13:57Rajoni TEMA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se autoritetet e Shqipërisë, e kanë liruar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastrati, i cili u ndalua nga policia, pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL.

Haradinaj-Stublla tha se është njoftuar nga homologu i saj shqiptar, Gent Cakaj, se veterani i UÇK-së ishte liruar para dy orësh dhe se ai ishte ndaluar për verifikim.

Sipas ministres Haradinaj-Stublla, Serbia po vazhdon me veprime ilegale ndaj Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria do të përditësojë listat e dërguara nga Serbia, me qëllim, që sipas saj, ato të reflektojë “realitetin politik e ligjor të Kosovës”.

Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.

Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës.

Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.

Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash”  , tha ministrja Haradinaj-Stublla në një postim në rrjetin social Facebook.

Më herët gjatë ditës, ishte kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, që njoftoi për ndalimin e Murtez Kastratit nga Policia e Shqipërisë.

Ai iu bëri thirrje bashkëluftëtarëve të tij, që të shmangin lëvizjet nëpër shtetet tjera, pasi siç tha, ai ka informacione se Serbia ka përpiluar një listë të re të emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilat i ka dërguar në INTERPOL.

“Ju bëjmë apel bashkluftëtarëve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera. Shteti i Shqipërisë duhet sa më parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në INTERPOL nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa më parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Kosova nuk është pjesë e Organizatën Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL). Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Njëjtë kishte vepruar edhe më 2019.

6 komente në “Lirohet veterani i UÇK-së që u ndalua nga Policia, reagon ministria e Jashtme e Kosovës: Serbia po vazhdon me veprime ilegale”

  1. sunitet nuk bejne shtet,lloji i kafshes......... says:

    pra u arrestua iher ………………..gezuar bajrom kurbon!

  2. specialisti says:

    Kosova nuk eshte pjese e INTERPOLIT, por Shqiperia po.
    Keto persona nuk duhet te levizin nga Kosova , sepse do te arrestohen. Mire qe ka ardhur ne Shqiperi, por po te shkonte ne Mal te Zi ose ne Maqedonine e Veriut, do prangosej e , dorezohej , sipas rregullave nderkombetare.
    KUJDES

  3. Kuq e zi says:

    Kush e pergenjeshtroi arrestimin me pare min.lleshi?
    Polici partiake qeveri buçe

  4. Fatosi-kosove says:

    Duhet tia dijme per fat qe nuk eshte lul basha ne pushtet se derisa ta kishte marre vesh Gucati e meliza haradinaj ai i gjori do kishte perfunduar ne kthetrat e serbise,prandaj kujdes shqiptar te dashur se fazlliq shkau nuk eshte kshilltar koti i dy kryetareve te PD-s.

  5. emigranti says:

    Prandaj qeveria e Kosoves duhet te kembengule se pari ne njohjen e krimeve te kryera ne menyre qe te mos quaje kriminele luftetaret e UCK, ata qe luftuan kunder krimineleve te vertete per clirimin e Kosoves.
    Duke kriminalizuar lutetaret qe ndihmuan ne clirimin e Kosoves ajo kerkon te deligjitimoje shtetin e Kosoves.

  6. kodrasadikit says:

    Policet e shtetit tone ame ose ma mire me thene disa prej tyre jan te gjore e pa shkolle adekuate e pa politike konkrete kombetare ,E kam bindjen ( qofte e gabuar qe disa prej tyre per ca leke ) e tolerojne nji dilere te droges ,nji vjedhes e dhunues kurse per dirktiven serbe e ndalojne nji ish luftetare te UQK-se .Ketu po shifet koordinimi yne shqiptare e niveli i kuadrove tona dhe vendoseshmerija per kryerjen e detyrave shtetnore .Ne kete raste se besoj qe ndikimi shtetnore i serbise ka arritur te strukturat e larta te policise shqiptare per te dhene direktiva per veprime te tilla pro sebo -sllave ,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje