Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës konfirmohet me shumicë votash

6 Gusht 2020, 13:03Kronika TEMA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është ndarë 2 me 1 në vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Petrit Çomo.

Nga Edmond Hoxhaj

Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës, Petrit Çomo u konfirmua në detyrë “me shumicë votash” të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Vendimi u shpall nga trupa e drejtuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komici dhe anëtare Xhensila Pine.

Petrit Çomo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për gati dy dekada si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2015, ai u zgjodh anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë – detyrë që e mbajti deri në shkrirjen e këtij institucioni.

Gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua të mërkurën, Çomo u përball me pikëpyetje mbi saktësinë e deklarimit të pasurisë dhe dyshime për fiktivitet në një kontratë sipërmarrje për një apartament banimi.

Por gjatë seancës, Çomo shpjegoi se apartamenti ishte përfituar pa pagesë në cilësinë e qiramarrësit, pas një marrëveshjeje me pronarët e tokës dhe ndërtuesin dhe se kontrata ishte nënshkruar për të pasur garanci mbi dakordësinë.

Komisioni konstatoi balancë negative prej 555 mijë lekësh për blerjen e një automjeti dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera në vitin 2013, ndërsa nuk u gjetën probleme me depozitat e trashëguara prej babait që i ka përfituar nga dëmshpërblimi si i persekutuar dhe nga të ardhurat e nënës, që ka trashëguar prona prej familjes së saj.

Me vendimin e konfirmimit, KPK ka rrëzuar një raport papërshtatshmërie të DSIK për gjyqtarin Petrit Çomo. Në seancën dëgjimore u sqarua se personi i përmendur në raport nuk kishte procedim për krim të organizuar, por për pengim të ekzekutimit të një urdhri përmbarimor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje