Kaos me transportin urban në Tiranë: Revoltohen qytetarët, kompanitë trefishojnë kohën e vonesës

12 Gusht 2020, 13:04Sociale TEMA

Në Tiranë operojnë 16 linja urbane, të cilat ofrojnë shërbim të transportit të qytetarëve brenda qytetit dhe zonave lidhëse përreth.

Pavarësisht situatës së shkaktuar nga pandemia Covid-19, mijëra qytetarë i duhet të lëvizin në të përditshmen e tyre për të kryer aktivitetet jetësore.

Edhe pse me debate të shumta, kompanitë që ofrojnë këtë shërbim kanë nisur prej disa javësh punën e tyre.

Por si është shërbimi në terren në të vërtetë?

Gazeta “TemA” bëri një vëzhgim ditën e sotme në disa prej linjave kryesore të kryeqytetit, duke parë së afërmi të gjitha problematikat e transportit që hasin qytetarët.

“Kemi 40 minuta që presim dhe ende nuk ka ardhur. Ky është udhëtimi i parë që bëjmë me urban që pas pandemisë. Natyrisht që kemi frikë, por duhet të lëvizim dhe e kemi të nevojshme”, u shpreh një qytetar nga lagjia “Astir” i cili ishte stacionuar në pritje për të udhëtuar drejt qendrës.

Kjo linjë është një prej më të dobëtave që operojnë në Tiranë duke u shndërruar në një makth për të gjithë ata që të vetmen alternative transporti kanë urbanin.

Nga ana tjetër, edhe më problematike paraqitet linja e Tiranës së Re. Pavarësisht vonesës së shkaktuar nga trafiku i rënduar apo punimet në rrugë, drejtuesit e autobusëve u duhet të trefishojnë vonesën për të marrë më shumë pasagjerë.

“Në mungesë të pasagjerëve duhet të presim që të mund të marrim sa më shumë. Nuk është në dëshirën tone por kështu e kemi urdhërin. S’mund të lëvizim veç me pak veta se s’ka leverdi”, tha një prej faturinove teksa i kërkuam shpjegim se pse koha e qëndrimit në stacione ishte shumë e madhe dhe pse lëvizja ishte tejet e ngadaltë në një kohë kur lëvizshmëria ishte krejt e lirë.

Gjatë testimit, koha mesatare për të përshkuar segmentin “Astir-Qendër” është së paku 40 minuta, çka e bën edhe më kaotike situatën.

Ndërkohë, një ndër linjat më të shigjetuara nga qytetarët për mungesë të theksuar shërbimi është ajo e Unazës.

Dhjetëra qytetarë kanë adresuar ankesën e tyre, duke rrëfyer të gjithë kalvarin e mundimit që duhet të kalojnë për të udhëtuar me këto autobusa.

“Nëse nuk do të kishim hall, s’do të udhëtonim kurrë me to. Vonesa jo vetëm që është e madhe por shpesh here shkaktohet qëllimisht nga punonjësit e papërgjegjshëm, shoferët dhe faturinot të cilët dialogojnë me kolegët e tyre apo pasagjerët. Është një tmerr i vërtetë dhe nëse ndokush ka kundërshti e sfidoj që ta provojë”, tha një nga pasagjeret, e cila tregoi se i duhet ta përdorë dy herë në ditë këtë linjë.

Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga institucionet për ndërmarrje të masave, ashpërsim të gjobave apo heqje të licencave, shumë nga linjat e kryeqytetit vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre papërgjegjshmërisht duke shkaktuar stres te qytetarët.

Edhe pse janë të mirëkuptueshme krizat financiare që mund të sjellë mungesa në masë e pasagjerëve, mbase drejtuesit e linjave duhet të mësohen me faktin që jo gjithnjë do të ketë dyndje njerëzish në autobusët e tyre dhe qytetarët do të shtyhen me njëri-tjetrin. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje