Covid-19 merr tatëpjetën: Nuk do të ketë karantinë të dytë, por cila është zgjidhja?

13 Gusht 2020, 20:41Sociale TEMA

Prej disa ditësh Shqipëria njeh rekorde të reja ditore me COVID-19. Një ditë më parë janë konfirmuar 141 raste të rinj dhe 3 viktima.

Koronavirusi i ri ka mbërritur edhe në bashkinë e Vlorës ku aty janë infektuar disa punonjës, siç ka ndodhur edhe pothuajse në të gjithë ministritë ku vazhdohet ende të punohet me grafik për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

Ndërkaq drejtuesit e institucioneve shëndetësore kompetente për mbajtjen nën kontroll të COVID-19, problemin e shohin tek qytetarët që nuk respektojnë masat e urdhëruara nga specialistët dhe autoritetet, veçanërisht ata ia faturojnë situatën bizneseve argëtuese si bareve dhe restoranteve e plazheve.

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj do të deklaronte një ditë më parë se po shikohet mundësia për shtrëngim të masave, nisur nga rastet e shumta të reja ditore me koronavirus, por sipas tij, kurrsesi nuk mendohet që të rikthehet karantina.

Brataj në këtë rast kupton mbylljen e bizneseve që kthehen në vatra infeksioni, siç mund të jenë lokalet apo supermarketet që idnetifikohen se kanë qenë vatër infeksioni, por vë theksin se ato do të jenë të pjesshme.

Kjo do të thotë, se në një lokal ku rezultojnë disa punonjës të infektuar, do të merret vendimi për mbylljen tij, dhe jo domosdoshmërisht të të gjitha lokaleve në bllok.

Brataj u kërkon njerëzve të ndërgjegjësohen.

“Është thënë disa herë se në korrik e gusht të infektuarit do ishin në rritje. Gushti do jetë kështu. Mendoj se pas gushtit do vlerësohet respektimi i masave. Numri vjen nga lirimi i masave.  Tani ka filluar përdorimi i maskës në ambiente të mbyllura dhe shpresoj që në shtator të shikojmë efektet.  Masat janë të lidhura me numra. Edhe aty ku ishin shifrat shumë të ulëta po kthehet sërish.

Nuk flitet për karantinë. Shtrëngim të masave mund të ketë. Të pjesshme ose të detyrueshme. Nuk mendohet për mbyllje, izolim, karantinim. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen. Nëse nuk ka më burime spitalore dhe njerëzore, detyrimisht do ketë masa shtrënguese.

Është në dorë të qytetareve të respektojnë masa. Nuk mund të ecin të ndarë institucionet me qytetarët. Duhet të ulin kontaktet. Nuk ka pse të ketë mbyllje nëse ulim numrin e infektimeve”- artikulon shefi i Urgjencës Kombëtare.

Sipas tij, është e kollajshme nëse respektojmë masat. “Nëse bëhet një kontroll i rreptë i masave ulet dhe infeksioni.  Po shohim mbyllje lokalesh. Aty ku vatra është e madhe. Mund të ketë mbyllje të një vatre, të një biznesi që ka një numër të madh të infektuarish. Kur flasim për mbyllje nuk flasim për mbyllje të pa kontrolluar. Për dy deri në tre javë. Bizneset duhet të vihen në lëvizje për të respektuar masat. I bëjnë të keqen vetes”-thotë ai.

Situatën e përkeqësuar e konfirmon e Silva Bino e Shëndeti Publik. Veç Tiranës, Durrësit e Shkodrës, që konsiderohen si vatra të nxehta, thotë ajo, rastet me Covid-19 po shtohen edhe në bashki ku infeksionet kanë qenë sporadike.

“Kemi vënë re infektime kësaj jave edhe në qarkun e Kukësit, ka rritje në Kukës, Tropojë dhe Has.  Rrespektimi i rregullave anti-covid është ajo çfarë kërkohet nga qytetarët, por rritja e rasteve mund të çojë dhe në rikthim të masave kufizuese. Përveç distancimit fizik individual, përdorimit të maskave, natyrisht do të kishin vlerë edhe masa të tjera, por kjo do të vlerësohet hap pas hapi”- tregon Bino.

Ajo pohon se shtimi i rasteve është pasuar me mbushje të dy spitaleve Covid dhe në spitalin Shefqet Ndroqi, në pavione të ndara po trajtohen edhe pacientë të dyshuar, pasi tamponi ka rezultuar negativ, por ekazminimi radiografik vërteton të kundërtën.

Më 20 korrik qeveria do të urdhëronte ndalimin e muzikës pas orës 8 të mbrëmjes, si masë për parandalimin e koronavirusit duke marrë parasysh që në vende ku ka muzikë live, ka më shumë grumbullime njerëzish, veçanërisht të të rinjve.

Kjo masë solli shumë pakënaqësi tek njerëzit, aktivistët, këngëtarët dhe bizneset që bujtin këngëtarë për të kënduar live.

Në datën 20 korrik 2020 buletini ditor i  Ministrisë së Shëndetësisë do të raportonte për 81 raste të reja dhe një viktimë në 24 orët e fundit.

Por, mandej, pavarësisht ndalimit të muzikës, situata COVID-19 në vend është përkeqësuar me numër në rritje të të infektuarëve të rinj çdo ditë dhe me humbje jete.

Në plazhe nuk ka ndaluar ndonjëherë shkuma party, këngëtarët i kanë zhvendosur live-t e tyre gjatë ditës deri në 8 të mbrëmjes dhe të rinjtë përqafohen dhe puthen edhe më shumë se më parë duke injoruar rrezikun eminent që shumë syresh po e përjetojnë në lëkurën e tyre.

Nga njëra anë e historisë qëndrojnë moskokëçarësit që injorojnë situatën duke vënë në rrezik jetën e atyre që i rrethojnë, nga ana tjetër janë ata që kanë frikë të tepruar, kurse autoritetet dhe qeveria që kanë marrë përsipër faturën e përgjegjësisë së familjes së madhe dhe eksperimentojnë me masat duke nisur nga fundi në fillim duke anashkaluar ato masa që kanë marrë vetë në krye të herës.

Por teksa ekziston një task-force që ka tagër monitorimin e zbatimit të protokolleve të miratuara nga qeverie për çdo profil biznesi, pse nuk po funksionon kjo hallkë?

Pse duhet të hiqej muzika kur mund të monitoroheshin bizneset për zbatimin e protokollit?

Shkuma partit nëpër plazhe kush po i monitoron?

Po vetëshërbimet në bufetë e hoteleve turistike që sipas protokollit ndalohen, kush po i monitoron?

Teksa situata aktualisht është rënduar, pse masat shtrënguese do të ndërmerren në shtator?

A ka një strategji, ajo dreq strategji që është kërkuar nga të gjithë mjekët profesionistë shqiptarë që punojnë jashtë kufijve?

Sigurisht që nëse situata shkon keq e më keq dhe spitalet COVID nuk do të kenë më kapacitete si shtretër, ashtu edhe burime njerëzore, karantina totale do të jetë e pashmangshme, pavarësisht komunikimit të moderuar të autoriteteve që nuk do të ketë më mbyllje, por si mund ta shmangim mbërritjen aty?

Një strategji e qartë, monitorim intensive dhe ndërgjegjësim i popullatës, do të ishte një ndërveprim i kënaqshëm për të mos përjetuar sërish shtetrrethimin e pazakontë si ne në muajt mars-qershor.

5 komente në “Covid-19 merr tatëpjetën: Nuk do të ketë karantinë të dytë, por cila është zgjidhja?”

  1. Alb says:

    Ketyre ua kan fajin bizneset dhe jo transporti publik qe eshte skandaloz ua kan fajin bizneset dhe jo kosovaret qe po vijn me shumic pavarsisht se eshte shteti me numrin me te lart te rasteve per dendesi ua kan fajin lokalet dhe bizneset ku administrata po punon me koh te plot dhe nga 6 veta ne zyre shkoni njeher te zyrat e oshe si jan nga sa veta rrin ne zyra ulen te preri njeri tjetrit.

  2. tropoja says:

    te ruhen njerezit vete,mos dalin pa prezervativ ne turinje si kafshe,nuk ka faj shteti askush

  3. Shenjestra says:

    Zoti Brataj! Mos ju luteni atyre qe nuk duan te zbatojn rregullat qe u thoni ju.Ne te semes te vene kur nuk duan t’ja din per koken e tyre,ju nuk mund t’u jepni koken e tuaj.Kemi te bejme me injorant qe na hiqen si trima.Koronavirusi po bene kerdin ata thon nuk ka koronavirus.Ju punen tuaj si staf mjeksor po e beni detyren tuaj.

  4. KuqeZi says:

    Lerini ore dokrrat e genjeshtrat per maskat..pas 15 qershorit, ka kaluar me dy muaj mundesia me e madhe – piku i infektimeve..eshte plotesuar koha gjate te ciles njerezit sherohen ose nderrojne jete ( te moshuarit me semundje ) dhe ka minimalisht 7-10 dite qe numri i vdekjeve si ne Tirane / si ne Prishtine eshte ne renie..verifikoni cdo grafik zyrtar..lereni hapur dhe per 20-30 dite dhe numri i vdekjeve do shkoje drejt zeros..e dine kete dhe mundohen t’ia faturojne nje karantine te dyte ose perdorimit te maskave..mashtrime te gjitha..per ata qe besojne mashtrimet e qeverise le te verifikojne numrin e vdekjeve ne Japoni – Islande – Kore te Jugut – Suedi, vende qe nuk zbatuan karantinen / burgosjen antiligjore te popullsise dhe as bllokimin e ekonomise..kudo eshte e njejta situate ..vdekjet nga virusi jane ne renie pikiate..vetem se ne keto vende numri i vdekjeve eshte shume me i vogel ne raport me popullsine se ne Shqiperi / Kosove..kjo eshte e verteta te tjerat jane mashtrime..le ta lene kete situate deri ne fund te gushtit dhe shohim a do i kemi ato 18000 kufoma me te cilat krimineli Edvin Sali Berisha mundohej te justifikonte burgosjen masive dhe shkaterrimin e ekonomise..gje per te cilen do marre shperblimin e merituar bashke me piperon, binon dhe opoziten qe per ceshtjen e burgosjes dhe mohimit te te drejtave kushtetuese demokratike ishte dakord me Ramen..

  5. Doc- Italy says:

    Bllokoni dasmat, fejesat e mortet qe behen ne mnyre te paligjshme duke korruptuar policine lokale. Jane burim infeksioni nder me kryesoret. Bllokoni bizneset qe nuk zbatojne rregullat, gjobitni ne mase qytetaret qe nuk vendosin maska ne ambiente publike. Rriteni kontrollet mbi ata qe duhet te jene be karantine e ne te vertete dalin xhiro. Perndryshe eshte nje betej e humbur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje