Operacioni Forca e Ligjit, i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 4 “të fortëve” në Tiranë.
Bëhet fjalë për Altin Çelën, Genci Xhixha, Ergest Zhupani, Sulejman Sina.
Mësohet se Genci Xhixha është në kërkim nga autoritetet shqiptare pasi është pjesë e dosjes Xibraka.
“Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
A. Ç., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
G. Xh., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
E. Zh., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;
S. S., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.