Zbardhet drafti i PS-së që "djeg" lojërat e PD-LSI: Lista e kandidatëve 100% e hapur

18 Shtator 2020, 12:10Politika TEMA

Është publikuar përmbajtjen e draftit që ka dorëzuar përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri në Këshillin Politik referuar ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Në këtë draft Partia Socialiste pranon që listat e kandidatëve të jenë 100% të hapura.

Po kështu mazhoranca ka kërkuar që kandidatët t’i nënshtrohen votës preferenciale, ndërsa qytetari voton partinë/koalicionin dhe 1 kandidat preferencial. Kështu sipas mazhorancaës vota preferenciale ndryshon renditjen e listës.

Për sa i përket pragut minimal për koalicionet mazhoranca ka propozuar pragun 3%. Kështu sipas tyre 3% pragu duhet të jetë edhe për partitë jashtë koalicionit.

“Koalicioni, subjekt zgjedhor që garon në zgjedhje. Koalicioni dorëzon listën shumëemërore” thuhet më tej në draft.

Drafti i plotë 

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar në datën 30.07.2020 ligjin nr. 115/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.” Këto ndryshime të Kushtetutës kanë hyrë në fuqi në datën 7 Shtator 2020.

Është detyrë dhe përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit të miratojë ndryshimet përkatëse në Kodin Zgjedhor që të zbatojnë përcaktimet kushtetuese në fuqi për çështjet e zgjedhjeve. Amendamentet e propozuara paraqiten dhe kanë pikërisht këtë qëllim.

Në vlerësimin e Partisë Socialiste këto amendamente përbëjnë platformën më të mirë të mundshme, të konsensusit sa më të gjërë mes mazhorancës qeverisëse, opozitës parlamentare dhe opozitës jashtëparlamentare, për shkak se plotësojnë çdo kërkesë të artikuluar prej tyre.

Më konkretisht, amendamentet e propozuara parashikojnë:

-Lista e kandidatëve të partisë apo të koalicionit zgjedhor do të jetë 100% E HAPUR. Të gjithë kandidatët në listë i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të ri-rëndisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale. Në vëmendje mund të sjellim shembujt e Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Suedisë.

-Pragu minimal për ndarjen e mandateve për Kuvendin, mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% e votave të vlefshme në shkallë vendi. Ky prag i propozuar bazohet në standardet më të mira demokratike në fushën e zgjedhjeve dhe është pranuar edhe nga Komisioni i Venecias në një sërë opinionesh të tij.

-Gjinia më pak e përfaqësuar garantohet se do të jetë jo më pak se 30% e përbërjes së Kuvendit edhe në kushtet e zbatimit të listave të hapura plotësisht. Një në tre emra të njëpasnjëshëm i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, si në listën paraprake të depozituar nga subjekti zgjedhor ashtu edhe në listën përfundimtare të mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor.

-Koalicioni zgjedhor parashikohet si subjekt zgjedhor që konkuron në zgjedhje. Pragu elektoral për koalicionet zgjedhore është 3 % dhe është i njëjtë me pragun elektoral që duhet të plotësojë një parti politike që konkuron e vetme në zgjedhje. Në momentin e regjistrimit, koalicioni duhet të deklarojë partinë politike udhëheqëse të koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjestare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ.

-Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të tij për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.

-Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. kandidatët ri-renditen vetëm në zbatim të përllogaritjes së votave parapëlqyese dhe plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore

-Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas ri-renditjes finale të kandidatëve duke patur për bazë tre elementë: së pari, rënditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.

-Amendamentet ruajnë koalicionet dhe garantojnë garën e ndershme zgjedhore. Formula e ndarjes së mandateve brenda partive të koalicionit, sipas marrëveshjes së koalicionit, përcaktohet në bazë të votave që merr çdo kandidat i listës së koalicionit dhe formulës së përcaktuar në ligj si për të gjithë kandidatët e tjerë të partive që garojnë më vete. Ky është modeli që kanë të gjtha vendet evropiane që kanë sistem proporcional rajonal me votë preferenciale.

5 komente në “Zbardhet drafti i PS-së që “djeg” lojërat e PD-LSI: Lista e kandidatëve 100% e hapur”

  1. Illi says:

    Amendamentet duhen saktesuar ne dy pika, ne menyre që te reflektojnë kërkesën mbarëpopullore, që vunë në lëvizje edhe mazhorancën për pranimin e listave të hapura (E. Rama):
    Barazia gjinore realizohet, siç ka vënë në dukje M.Baze, duke u dhënë 30% të mandateve të fituar nga partia a koalicioni kandidateve me më shumë vota mes grave.
    Shperndarja e mandateve realizohet vetëm mbi bazën e renditjes sipas votës parapëlqyese. Partia apo koalicioni garues duhet të mjaftohet vetëm me hartimin e listes fillestare të dorëzuar ne KQZ.
    Vetëm kështu do te plotësohej dëshira e zgjedhësve, siç pretendohet prej jush dhe nuk do te mund te trajtohej si hedhje hi syte.

  2. Illi says:

    Pranimi i listave të hapura nga ana e mazhorances ka qënë rezultat i kërkesës së vazhdueshme të zgjedhësve (E. Rama – në Kuvend)
    Drafti i paraqitur sot nga Gjiknuri, ka nevojë për dy korrektura themelore , në mënyrë që të mos konsiderohet nga zgjedhësit si hedhje hiri syve (kjo nuk e ndryshon konstatimin e Gjiknurit, se opozita jashtëparlamentare kërkon “qiqra ne hell” per të hedhje në er procesin):
    Barazia gjinore realizohet, siç ka vënë në dukje para pak ditesh M. Baze, duke i shpërndarë mandatet e fituar nga partia a koalicioni, në masën 30% per kandidatet e listës me më shumë vota parapëlqyese.

    Shpërndarja e mandateve duhet te realizohet vetëm sipas renditjes së hartuar mbi bazen e votës parapëlqyese. Partia a koalicioni harton listen, qe rregjistrohet ne KQZ (p.sh. me 35 kadidate per Tiranen) – zgjedhsit përzgjedhin ata që parapëlqejnë mes tyre dhe mbi këtë bazë shpërndahen mandatet. Vetëm kështu realizohet respekti dhe bashkëveprimi subjekt politik zgjedhës .

  3. Asd says:

    Ky sistem nuk parashikon qe votuesi mos votoje partine por vetem kandidatin. Duhet ruajtur e drejta per mos pelqyer nje parti dhe zgjedhja e deputetit te mos numerohej vote per partine. Kjo do te bente qe njerezit te fokusoheshin tek emrat me te mire dhe jo tek siglat qe urrejne. Natyrisht qe do tu hiqte forcen kryetareve.

    1. Edi says:

      Me se e drejte. Aftesite e deputetit nuk duhet te shkojne te partia. Patjeter qe mund te zgjedhim emer dhe parti tjeter. Ka kuptim.

  4. Malsori says:

    O Gjiknur po cdo gje ne lidhje me zgjedhje,zgjidheni me opoziten ne parlament, keshtu e bene gjithe bota.Pse po i pyesni kaq shume keta palaco te rrugve?Populli nuk do tu shoh surratin ketyre BABALEVE pa le tju jap voten.Malsori Boston

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje