E njohur ndryshe si “Nona Tirona”, Nezihat Stërmasi, bashkëshortja e legjendës bardheblu, Selman Stërmasit feston sot 100-vjetorin e lindjes.
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook të nipit të saj, fotoreporterit Armand Babani, i cili ushtron profesionin e tij për agjenci të huaja.
“Nezihat STERMASI (Petrela) plot 100 vjeç sot, Gjyshja ime, që i uroj shëndet e mirësi, atë që e ka me shumicë!”, shkruan ai.
Nezihati, e bija e tregtarit të njohur, Rustem Petrela, lindi më 22 shtator 1920, pikërisht disa javë pas krijimit të Sport Klub Tiranës dhe disa muaj pas shpalljes së Tiranës kryeqytet i përkohshëm.
Ajo ishte vetëm 14 vjeçe kur njohu Selman Stërmasin nga hyrje-daljet familjare të dy shtëpive, të cilat kishin miqësi të vjetër bashkë.
Në vitin 1936 u shpall fejesa mes tyre, në një kohë kur ai ishte në kulmin e tij.
Kampion absolut i Shqipërisë me Tiranën në futboll, por edhe në atletikë. Pas një fejese të gjatë 3-vjeçare, ashtu siç e kërkonte tradita u martuan më 1939-n.