Një 73-vjeçare u dënua me burgim të përjetshëm në Gjermani për vrasjen e një fëmije 32 vjet më parë.
Ajo çfarë ka tronditur gjykatësit ka qenë arsyeja e vrasjes së fëmijës, pasi sipas saj, ai ishte pushtuar nga e keqja dhe mbi të gjitha ishte një lloj rimishërimi i Adolf Hitlerit.
Mësohet se ngjarja ndodhi në qytetin e Hanaut, në lindje të Hesias në Gjermani, kur ajo ishte kryetare e një sekti.
Fëmija ishte djali i një çifti që ishin anëtarë të këtij sekti.
Gruaja, përpara se ta vriste atë, e torturoi djalin, duke e lidhur brenda një thesi derisa ai ndërroi jetë.
Për shumë vite me radhë vdekja tragjike e fëmijës u konsiderua një aksident, pasi shumë ish-anëtarë të sektit u munduan të mbulojnë historinë e vrasjes, duke ndërtuar disa skenarë të rremë në lidhje me ngjarjen.
Ajo çfarë konsiderohet e pabesueshme në gjithë këtë histori është se edhe nëna e fëmijës vitet e fundit është përpjekur të mbrojë me çdo kusht gruan, duke e konsideruar atë “një mikeshë dhe motër”.
Ishte viti 2015 ku disa ish-anëtarë të sektit zbuluan ca rregulla që udhëheqësja e tyre shpirtërore kishte vendosur dhe sipas të cilave një numër shumë i madh fëmijësh ishin dhunuar.
Anëtarët e sektit iu nënshtruan dhunës psikologjike dhe fizike, si pasojë e manipulimit dhe një indoktrinimi të pabesueshëm.