Në vend ka nisur procesi i inventarizimit të shtigjeve malore, i cili përfshin evidentimin e shtigjeve ekzistuese dhe identifikimin e itinerareve të reja. Puna ka nisur edhe në qarkun e Shkodrës. Udhërrëfyesi turistik Kastriot Faci thotë se procesi synon krijimin e një harte të plotë të shtigjeve malore.
“Çdo qytet do të ketë një numër të caktuar edhe nga ky numër i caktuar një kot, një prefiks. Do të vazhdojnë pastaj me rrallë shtigjet. Unë kam kënaqësi të them që për shembull shtegu numër një në Shkodër është pikërisht një shteg të cilin e ka markuar bashkia e Shkodrës në bashkëpunim me Taraboshin Shkodër, duke filluar nga ferma në Oblik për të përfunduar tek fshati i Paçes. Është një shteg që përndryshe ne e quajmë dhe “Shtegu i Rinisë” edhe ka një gjatësi rreth 6.2 km me një lartësi mbidetare 382 m tek maja e Bajrakut, pra këtu afër në malin e Taraboshit. Si ky shteg pritet të ketë ndërhyrje”, tha Faci.
Inventarizimi varet nga stinët dhe kushtet e motit, pasi disa zona janë të vështira për t’u përshkuar.
“Ka shumë punë sepse duhet të themi që vetë stinë, pranvera, vjeshta, dimri ë ndikojnë në vegjetacion, por nga ana tjetër vetë reshjet ndikojnë duke sjellë gurë në shteg, duke e bërë shtegun pak të vështirë. Pra është një gjë që duhet të veprojmë sa më parë”, tha ai.
Të dhënat do të përfshihen në një platformë informuese dhe në tabela publike. Shtigjet do të klasifikohen sipas vështirësisë, nga ato më të lehta deri te itineraret e vështira malore. Nisma synon të rrisë sigurinë e vizitorëve, të promovojë turizmin rural dhe të aventurës, si dhe të ndihmojë në mbrojtjen e natyrës.
Lini një Përgjigje