Lulzim Basha dhe njerëzit rreth tij, vetëm 7 muaj para zgjedhjeve të 15 prillit, kanë nisur një ligjërim politik të ngjashëm me atë të fushatës së shkurtër zgjedhore të qershorit të vitit 2017.
Teksa mazhoranca ka nisur përgatitjet e ethshme për fushatën elektorale që tashmë ka filluar me intensitet të plotë, por dhe duke parë që presidenti Ilir Meta po sillet si kryeopozitar, këshilltarët që “menaxhojnë” Lulzim Bashën i qëndrojnë shpikjes së një “formulë” politike të tyre.
Tashmë të gjitha deklaratat, qëndrimet politike, postimet në rrjetin social janë në formatin e kohës së kryer të thjeshtë: Fitorja më 25 prill e PD quhet një formalitet.
Madje Lulzim Basha në takimet që zhvillon me biznesin, kryesisht në një perimetër të admirueshëm afër vilës së tij të re që ka afër Kunatit në Hamallaj, ka artikuluar planin gjashtëmujor dhe për qeverinë socialiste të Edi Ramës. Për ta përmirësuar atë!
Këshilltarët e tij i kanë mbushur mendjen që “drejtimi i vendit nuk duhet të merret në këtë derenxhe ku e ka katandisur Edi Rama, ndaj duhet ndihmuar pak që kur të kalojë në dorën e Bashës, të mos jetë kaq i rrënuar”.
Ky është postulati që qarkullon në ambientet e PD, në studiot televizive ku numri i këshilltarëve, faqekuqë ose të sertë, është shtuar dhe garantojnë një fitore të sigurtë të opozitës. Duke bërë që Lulzim Basha të jetë “kaluar” dhe se detyra e vetme që i ka mbetur është që të mësojë të sillet si kryeministër.
Një situatë e tillë, për ata që kanë përcjellë fushatat elektorale të PD ndër vite, nuk ngjason me atë të vitit 2004-2005 kur Sali Berisha ndryshoi kurs dhe erdhi në pushtet, falë dhe çarjes së votave të PS dhe daljes në skenë të LSI.
E themi këtë, sepse Berisha në atë kohë mblodhi të gjithë faktorët relevantë të së djathtës, madje dhe ata që kishin qënë opozitarët më të ashpër të tij dhe që kishin qeverisur me socialistët e Fatos Nanos, duke evidentuar këtu Cekën, Pollon, Rulin e Imamin.
Formatoi kështu një koaolicion të gjërë figurash Berisha në atë kohë, ndërkohë që Lulzim Basha qëndron në idenë e tij për largimin e të gjithë figurave që kanë peshë në PD dhe që mbushin ‘shportën’ e votave.
Situata e Bashës dhe PD në të cilën ndodhen ngjan me atë të zgjedhjeve të vitit 2001. Asokohe Genc Pollo kishte braktisur PD-në dhe kishte krijuar PDr-në, ngjashëm me PD-në e sotme ku Astrit Patozi ka krijuar partinë e re Bindja Demokratike dhe Rudina Hajdari e Myslim Murrizi janë në fazën e mbledhjes së firmave për të krijuar partitë respektive, të dala nga trungu i PD. Që dhe pa këto rrjedhje, është mjaft e rrudhur nga keqdrejtimi.
Asokohe mbahen mend takimet festive, ku ish kreu i Ballit Kombëtar Shpëtim Rroqi “rrokte” kitarën dhe nën shoqërinë e Fatmir Mediut që këndonte, ngatërronte melodinë herë herë duke iu përafruar serenatave korçare, dhe me Berishën në sfond që vetëm lëvizte vetë buzët, këndonin këngën “Fatos Nano ka mbaru ka mbaru, ka një vit që s’rri me…”.
Por Berisha asnjëherë s’ka pyetur këshilltarët, të cilët në vend që ta këshillonin, mbanin shënime çfarë u thoshte kreu historik i PD.
Berisha ishte “stekë e vjetër” e politikës, me një histori politike që nga 25 vjetshi i fundit i PPSH dhe e kishte peshuar mirë situatën parazgjedhore, duke parashikuar humbjen përballë Nanos. Prandaj, kishte shpallur kryeministër të opozitës pas “fitores së zgjedhjeve” Ritvan Boden, për të shmangur sadopak përgjegjësinë e humbjes personale.
Historia e atyre zgjedhjeve dihet, PD humbi thellë, ndërkohë që në PS nisi sherri për lidershipin e partisë, që startoi me pengimin e Nanos që të bëhej president dhe largimin e Metës vetëm pak muaj më vonë nga posti i kryeministrit.
E njëjta situatë po përsëritet dhe tani, kur “këshilltarët mizerabël” siç i cilësonte Berisha pas zgjedhjeve të vitit 2017, i kanë vënë Bashës një “stekë” tepër të lartë, të cilën ai nuk e kalon dot.
Ndonëse po bën “stërvitje” duke bërë takime të vogla me bizneset, qytetarët, rininë dhe duke hapur thesin e premtimeve, Basha e ka të pamundur ta kalojë atë pa prekur “litarin” që e lë poshtë 71 votave, niveli minimal për të marrë në dorë qeverisjen e vendit.
Ndaj zhvillon takime që nuk e kalojnë “perimetrin” nga vilat e tij në Tiranë, Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj, ku në vend që të shpalosë alternativën e qeverisjes së nesërme të PD, hedh në tregun politik paketa për rregullimin e qeverisjes socialiste të Edi Ramës. A thua ky i fundit është në fillimin e mandatit të tij të dytë qeverisës.
Dhe për t’i dhënë më shumë “jetë” idesë se ardhja e PD dhe aleatëve të saj në pushtet më 25 prill është e sigurtë, Basha ka krijuar një komision ekstra-statutor duke shmangur dhunshëm forumet dhe strukturat e forumet drejtuese, për të përzgjedhur kandidatët për deputetë.
Votimet në qarqet që janë realizuar deri më tani kanë dhënë rezultate befasuese, ku nga 39 kandidatë të dalë nga anëtarësia, dalin 37 të tillë nga votimi po nga anëtarësia.
Votime që me sa duket realizohen sipas logjikës matematike të vetë Lulzim Bashës dhe këshilltarëve të tij.
Aq pa sens dhe ironike janë këto votime, sa dhe vetë kritikët brenda PD e kanë cilësuar një situatë të tillë një maskaradë, që e thellon dhe më shumë çarjen dhe hatërmbetjen në PD, sa pritet që 25 qershori ta zërë këtë parti të ndarë në shumë pjesë.
Eshtë pa sens sepse nuk mund të bësh votime të kandidatëve për deputetë nga anëtarësia, ndërkohë që afër 90 përqind e degëve të PD janë pa kryetarë ose me kryetarë të deleguar dhe komanduar nga Tirana. Duke vënë në dyshim se kush do udhëheqë fushatën në rrethe!
Shmangia e këtij procesi ka krijuar grupime të rëndësishme në bazë, që punojnë kundër PD ose në rastin më të mirë garojnë me parti të tjera apo mbështesin kandidatë të tjerë, dhe kurrsesi ata të PD.
Kjo situatë është krijuar tani, teksa Basha ligjërimin e tij politik e ka mbështetur në këshillat e këshilltarëve “mizerabël” sikurse i cilëson Berisha, të cilët rrugën më të gjatë të mundshme e kanë bërë nga shtëpia apo Blloku e deri tek banaqet televizive, ku tregojnë se janë tërësisht të shkëputur nga realiteti.
Kanë gjetur elementin bazë për të qënë afër Bashës, duke e “pompuar” atë me idenë se e ka të sigurtë arrdhjen në pushtet më 25 qershor. Dhe Basha e tregon qartë ketë duke bërë si kryeministër në të gjitha takimet apo daljet televizive.
Jo pa qëllim Berisha deklaroi dhe para disa ditësh se qeverinë e drejton ajo parti që del forcë e parë politike. Një mesazh i “koduar” për Bashën se ka shumë punë për të arritur këtë qëllim, i cili nuk është arritur as nga vetë lideri historik që nga viti i largët 1992.
Një mesazh dhe për këshilltarët që po e “groposin” për herë të dytë Lulzim Bashën, i cili dhe në vitin 2017 pësoi të njejtin fat, por që nuk vuri mend.
I mësuar me pushtet të dhuruar Lulzim Basha nuk lëviz asnjë centimetër nga skemat që ka mësuar përmendësh tashmë.
Prandaj ka nisur të artikulojë dhe alibinë për humbjen e zgjedhjeve, duke akuzuar qeverinë se po përgatitet të bëjë vjedhjen e radhës të votave. Mbetet vetëm të presim sa e thellë do jetë disfata!/M.Nikaj-TemA
25 Prill dhe jo 25 qershor jane zgjedhjet !