Nga Ben Andoni
Do mjaftonte egërsia e diskursit të zgjatimeve mediatike ndaj “Tema” për të kuptuar urrejtjen që ka Meta ndaj atyre, që nuk i shkojnë pas. Porse më shumë se inat ndaj medias, që ai e ka dhe e përdor vazhdimisht, është dhe mbetet konflikti i dukshëm, që tashmë është në nivelin më të lartë të dukjes së shtetit tonë. Kur nuk është ndjerë një qytetar i thjeshtë shqiptar më i ofenduar nga diskursi kinse i veshur me ambalazh parimesh, si ky i presidentit dhe ai i kryeministrit të vendit, Edi Rama. Tek e fundit, të dy kanë një detyrë dhe vetëm një: respektimin e institucionit të shtetit, kurse Ramës i shtohet dhe rritja e mirëqenies së njerëzve, që në këtë kohë lë shumë për të dëshiruar.
Por le të kthehemi në idenë tonë: diskursi ofendues protokollar mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta është nga më të lodhshmit por edhe më absurdët, sepse gjithnjë përfundon me dashuri e respekt të dyanshëm, dreka-darka dhe vlerësime të dyanshme.
Madje, deri në 2004, të dy deri në një farë mase i kanë shërbyer njëri-tjetrit dukshëm. Ilir Meta e mbrojti Ramën në luftën pa asnjë kompromis që ish-ministri i atëhershëm bëri në reformën për artin duke kaluar çdo masë me artistët. Ilir Meta, falë lidhjeve në media, e fashiti mbrojtjen e kësaj të fundit, për t’i dhënë një aleat plus ish-ministrit me një uri egoje që nuk frenonte ndaj artistëve.
Një vit më vonë, e kuptoi mirë se Ramës mund t’i lihej një fushë, ku ambicia e tij të shfrynte të gjithë potencialin pa e trazuar. Edi Rama e tejkaloi me sukses: Tirana e zymtë u kthye në një vend bojërash shumëngjyrëshe dhe çmimesh që ngarendën kudo. Bashkë me ish-kryeministrin zhdukën dhe kioskat, që i kishin zënë frymën keqazi qytetit. Një revolucion i vërtetë, që se kish bërë deri më atëherë askush në qytetin tonë.
Ky mund të quhet një nga bashkëpunimet e fundit të mira të dyve dhe ku energjia e tyre çonte kredite për të ardhmen e secilit. Fatos Nano i ndiqte me kujdes dhe me romuzet e tij klasike shpesh mundohej t’i vinte në lojë dhe t’i qesëndiste për energjitë por nuk kishte llogaritur mirë diçka: “Mosmirënjohjen”. Ndërsa atij i mjaftonte dhe i tepronte pushteti, që e drejtonte ngeshëm dhe pa teklif, të dy karrieristëve nuk i dilte hija nën të. Mund të thuhet se Edi Rama nuk u ndie shumë edhe me krijimin e LSI-së por edhe dobësimin e PS-së.
Duket se koha po i jepte tavën që dëshironte. PS-ja ishte më e dobët se kurrë. Por llogaritë ishin keq sepse shpejt Ilir Meta ia kthen kurrizin hapur PS-së, duke i shkaktuar humbje në zgjedhje, por jo Edi Ramës. Me këtë të fundit, në vitin 2007, tashmë si koleg kryetar të PS-së, në zgjedhjet lokale fituan qytetet kryesore. Ky është momenti i fundit i dashurisë, sepse një vit më vonë, Edi Rama bën paktin e hidhur me Berishën, që do t’i vuajë shumë shqiptarëve.
Nga këtu, Rama dhe Meta ndahen për herë të parë frikshëm dhe me anatema pafund. LSI-ja, më 2008, bën një nga luftërat më me parime për Ndryshimet Kushtetuese, por që rezulton me humbje. Sërish, LSI e ka një armik. Këtë herë jo Fatos Nano por Edi Rama. Rezultati: Hyn në zgjedhje me PD-në në vitin 2009 duke i shkaktuar humbje PS-së. Mllefi i Metës për Berishën dhe anasjelltas barazohet me zero, sepse tashmë dashuria Rama-Meta ka mbaruar dhe një idil i ri del në sipërfaqe.
Ilir Meta bashkon votat me Sali Berishën duke qeverisur vendin deri në vitin 2013. Më kot, në vitin 2011, Edi Rama kërkon arrestimin e Ilir Metës pas filmimeve të Dritan Priftit dhe ngjarjeve të 21 Janarit, por e pësojnë katër qytetarë të pafajshëm.
Duket se tradhtia nuk ka më kthim, kurse Meta është i njollosur për jetë të jetëve nga socialistët, që nuk ia falin ende sot e kësaj dite. Por dashnorëve të tillë, që do t’ia kishte zili dhe historia e famshme e Veronës, nuk u zihet besë.
Meta e tradhton Berishën në emër të parimeve, dhe pas një darkë të Ramës me ngjala (theksohet shpesh kjo) në Gjirin e Lalëzit (bash vendin ku bashkëshortja e presidentit të sotëm numëronte më vonë para një TV-je kamjen marramendëse) bëjnë koalicion dhe e nxjerrin përfundimisht nga jeta aktive ish-Kryeministrin Sali Berisha. Pakti e ka një fund dhe Rama ia kthen duke e bërë president. Meta plotëson të gjithë hierarkinë e karrietës. Dhe, mjaftojnë vetëm pak kohë dhe dashuria Meta-Rama mbaron keqazi. Urrejtja tashti është shekspiriane!
Tashmë, Meta është totalisht nën dashurinë e munguar me ish-Berishën, që e pret i ngazëllyer dhe shumë herë e ka pyetur shumë më tepër sesa vetë kryetarin e partisë së tij Basha.
E gjithë historia nuk lidhet me atë që po ndodh në fund, kur po afrohemi në orët, ditët e fundit, ku kinse-urrejtja e tyre është arma më e madhe për të fshehur dështimin jo të vogël të kryeministrit (llogarisim kohën e para pandemisë) dhe ngatërresat e zakonshme të presidentit-politikan Ilir Meta, që e mbajnë aq shumë peng vendin tonë. Të presim ditën, kur të bashkohen sërish, si pak ditë më parë u shfaqen të qeshur duke përplasur bërrylat dhe duke e vlerësuar njëri-tjetrin me kortezi. Kinse lufta e tyre duket se do vazhdojë gjatë se është një bekim për karrierat e secilit për ta lënë Shqipërinë kështu kaotike në udhëtimin e saj, po kaotik në Evropë.
“Shume zhurme per asgje “ o kopilat e Ram-Metes!
Likja është aty ku eshte dhe nuk është aty ku duhet te jetë.
Prej Edi Ramës.
Ai është ideatori i këtij mish-mashi politik.
Për qellimet e veta.
Ilir Meta president është “kryevepra” politike e Edit.
Eshte thjeshte nje dezhavu, bejne sikur, por asgje ne thelb nuk ka.
Mbas 10 vjetësh i bie të marrin një tren jo për shalqinjtë po për statujat e këtyre se u bënë shumë Envera. I paskemi rënë në qafë kot se Enveri nuk paska pasur nevojë të urdhëronte asnjë vrasje, se shqiptarët ta dhurokan vetë pushtetin për shekuj me radhë. Enver me katër koka. Monstër më e shëmtuar nuk bëhet. Sali, Bashë, Ramë, Like. Pa njërin nga këta, nuk bëhet qeveria, institucionet, zgjedhjet, dhe i bie që të kthehemi nëpër shpella, Janë të zgjuar, bëjnë sikur u këputet zemra për popullin. Bravo!