Pandemia e COVID-19 e ka zhytur ekonominë botërore në një recesion të thellë, por ajo përfaqëson një mundësi unike për qeveritë për të marrë rrugën e rimëkëmbjes së gjelbër dhe të qëndrueshme, theksoi FMN në një raport të botuar sot.
“Periudha e tranzicionit, e nevojshme për transformimin e ekonomisë, do të ngadalësojë rritjen në periudhën afatmesme, veçanërisht në vendet që varen shumë nga eksportet e karburanteve fosile, si edhe në ato me rritje të shpejtë ekonomike dhe të popullsisë”, paralajmëruan autorët e raportit.
“Megjithatë një politikë vullnetare për të kufizuar ngrohjen globale do të rrisë të ardhurat e vendeve në planin afatgjatë, duke kufizuar dëmet dhe rreziqet serioze fizike të ndryshimit të klimës, të cilat karakterizohen në veçanti nga fenomene klimatike jashtëzakonisht shkatërruese”, shtuan ata.
Sipas llogaritjeve të FMN, një strategji politike e koordinuar ndërkombëtarisht për të zbutur ndryshimin e klimës mund të rrisë PBB-në globale, në 15 vitet e para të rimëkëmbjes, me rreth 0,7% të PBB-së globale mesatarisht dhe, në gjysmën e parë të kësaj periudhe, 12 milionë vende shtesë mund të krijohen në të gjithë botën.