Sali Berisha ka bërë dy goditje të forta në tre javët e fundit, duke i treguar “dhëmbët” kreut demokrat Lulzim Basha, dhe ushtruar presion mbi të se është ai kreu real i PD.
Teksa një ndër krerët e komisionit të Verifikimit të kandidatëve për deputetë të PD, Genc Ruli deklaroi se misioni i Sali Berishës në PD kishtë përfunduar dhe ai kishte dhënë mjaft deri më tani në këtë parti, ish kreu demokrat reagoi ashpër.
I kujtoi Rulit se kishte rënë gjithnjë pre e zgjuarsisë së tij, ndërkohë që deklaroi qartë dhe prerë se ai do të kandidonte kur dhe ku të dojë. Duke shprehur në mënyrë indirekte se vendi i tij i kandidimit është kryeqyteti, aty ku ka kandiduar dhe mandatin e fundit si deputet, Berisha sfidon Bashën, duke i treguar qytetin bregdetar Durrësi si “fusha” e vërtetë e betejës së tij si kryeopozitar me kreun e mazhorancës Edi Rama.
Një deklaratë e tillë e Berishës erdhi në momentin kur Rama po bënte “driblim pa top” në Durrës, në ato lojrat e tij me opozitën për ta nxjerrë jashtë binarëve politikë dhe për ta ngatërruar më shumë se sa është ngatërruar deri më tani. Pasi Rama ka si opsion kandidimi dhe në Vlorë.
Por që të rikthehemi tek lëvizjet e Berishës, kreu i PD Lulzim Basha u detyrua që në mënyrë publike të deklarojë se ish kreu i PD si lider historik i kësaj partie dhe ish kryeministër i vendit ka të drejtë dhe do të kandidojë ku të dojë në Shqipëri për të qënë deputet. Deklaratë që tregon qartë mbi fuqinë e Berishës mbi Lulzim Bashën dhe vetë PD-në.
Momenti i dytë ka qënë ai i përjashtimit të disa figurave të rëndësishme të PD, që pasi fituan në garën e anëtarësisë, komisioni “Ruli” i hoqi nga lista. Bëhet fjalë për ish ministrin e Jashtëm Tritan Shehu, Ervin Salianjin, Halim Kosovën, Endri Hasën, Romeo Gurakuqin etj. Pra plot 13 ish deputetë dhe figura të PD largohen nga listat me vendim të Komisionit “Ruli”.
Por dhe këtë radhë ndërhyn Berisha. Më shumë se për inat të Genc Rulit, ish kreu demokrat ndërhyn për t’i treguar Bashës se komandon ai në këtë parti. Berisha deklaron se do të vendosin strukturat, duke zhvlerësuar komisionin e Verifikimit të kandidaturave dhe duke nxjerrë jashtë loje pikërisht “lojën” e Bashës për të lënë faturën e dështimit në dorë të këtij komisioni.
Dhe pikërisht në këtë linjë po veprohet. Salianji vijon takimet me bazën sikur s’ka ndodhur asgjëe, po ashtu dhe Tritan Shehu nuk pyet për komisionin, bashkë me Romeo Gurakuqin. Basha veproi vetëm sipas urdhërit të Berishës, dhe kjo s’ka asnjë dyshim.
Por teksa shohim këto zhvillime brenda PD, ku Berisha vendos me dorë të hekurt për karrierën e shumë figurave në PD, duke mos pyetur as Bashën, na rivjen në kujtesë ajo që ndodhi plot më shumë se tre vite të shkuara.
Në qershorin e vitit 2017, në “minutat shtesë” të përcaktimit të kandidaturave për deputetë, mbetën jashtë listave emrat “big” të PD, që nga nënkryetarja dhe ish kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ish sekretari i përgjithshëm dhe kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi, ish ministrja Majlinda Bregu, ish ministrat Genc Ruli, Arben Imami, Ritvan Bode dhe një sërë emrash të tjerë që kishin bërë histori në PD, në opozitë dhe në pushtet.
Basha hoqi “qafe” kundërshtarët politikë, ndërkohë që Berisha deklaroi se ishte “dorëjashtë”. Madje se nuk e kishin pyetur. Ish kryeministri për hir të së vërtetës i ka mëshuar gjithnjë faktit se asnjëherë nuk i shet bashkëpunëtorët e tij në parti.
Pra dhe në rastin e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ish kryeministri demokrat nuk mori asnjë përgjegjësi mbi vete për listën e kandidatëve për deputetë, me të cilët PD u përfaqësua në garën elektorale. Si për të treguar distancimin e tij nga lista e Bashës, Berisha zgjodhi të bëjë publik një mesazh, që i kishte dërguar njërit prej demokratëve të shumtë e të pakënaqur nga zgjedhja e kreut të PD.
Berisha thoshte se lista e PD është ekskluzivisht vetëm e kryetarit dhe jo e ish-kryetarit, duke konfirmuar se ai vetë ka pasur zero rol në listën e e kandidatëve për zgjedhjet e qershorit 2017. Në pamje të parë “roli zero” i tij dukej, pasi u përjashtuan të gjithë zërat kritikë të Bashës, të cilët në qeverisjen e PD dhe opozitë për 4 vite ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sali Berishës.
Pra ish kreu demokrat kërkoi të paraqitej “dorëjashtë” në aksionin për përjashtimin e të gjitha figurave të PD, duke filluar nga nënkryetarja e partisë në atë kohë Jozefina Topalli e duke vijuar me Astrit Patozin, Majlinda Bregun, Arben Imamin, Ritvan Boden dhe Genc Rulin.
Për të përfunduar me Arben Ristanin, të cilin e mënjanoi si Sekretar të Përgjithshëm më vonë, pasi e kishte vënë në fund të listës në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e fundit, si të ishte një kryetar i një nëndege të këtij qarku dhe kuptohet që nuk fitoi.
Por parë në këndvështrimin e ngjarjeve të këtyre javëve kur ia “mblodhi” Bashës për figurat e përjashtuara duke i treguar institucionet dhe injoruar Komisionin “Ruli”, ajo që mund të themi është se Berisha nuk i ka mbajtur asnjëherë bashkëpunëtorët e tij, pas momentit kur kanë nisur të mendojnë vetë politikisht. Dhe kur nuk i kanë interesuar.
Historia e përjashtimeve në PD është e mbushur plot me raste të largimit të figurave potenciale të kësaj partie ndër vite. Madje janë përjashtuar të gjithë themeluesit e PD, duke mbetur vetëm Sali Berisha.
Një pjesë i mblodhi vitin 2005, duke arritur rikthimin në pushtet pas tetë vitesh në opozitë. Por me largimin nga qeverisja më 2013, Sali Berisha dha dorëheqjen dhe nga kreu i PD. Ai përzgjodhi Lulzim Bashën, duke e mbështetur në garën për kreun e partisë, përballë Sokol Olldashit, i cili vetëm disa muaj pas humbjes u nda dhe nga jeta në atë aksident tragjik në rrugën Tiranë-Elbasan. Vdekje që ka mbetur mister dhe sot e kësaj dite!
Berisha e përzgjodhi kreun e aktual të PD me qëllimin që të ishte vetë ai që do të drejtonte në prapaskenë këtë parti, duke e vënë në shërbim të familjes së tij. Kuptohet, për ta pasur si mbrojtje përballë ndonjë akuze nga drejtësia për kohën që ka qenë në pushtet.
Dhe ia ka dalë për shtatë vite me radhë këtij misioni. Berisha ka qënë kryetari real i PD, ndërsa Lulzim Basha “hija” e tij, që nuk merr asnjë vendim pa pyetur “babain” e tij politik.
Sulmet e kundërshtarëve brenda PD ndaj Bashës, figura të rëndësishme të kësaj partie dhe ish drejtues të saj, kishin në themel goditjen ndaj pafuqisë së kreut aktual të partisë për të drejtuar opozitën dhe për të sjellë demokratët në pushtet. E quanin peshë të lehtë, mashtrues, njeri që nuk merr dot një vendim, që nuk sjell frymë, duke e krahasuar madje dhe me Berishën, karizma e të cilit sipas tyre, karikonte demokratët dhe në momentet më të vështira.
Ndonëse ngrinin në qiell Berishën e nënvleftësonin Bashën, “shigjetat” në të vërtetë drejtoheshin ndaj kreut real të PD. Duke qenë se Basha ishte i pafuqishëm përballë figurave kryesore të PD që e sulmonin për paaftësi në drejtimin e partisë, Berisha parashihte rrezikun që i vinte atij e familjes nga ngjitja në krye të demokratëve, pikërisht të këtij grupimi të fortë.
Për këtë arsye Berisha, në mos ia ka propozuar vetë Bashës emrat e Topallit, Patozit, Imamit, Bregut dhe figurave të tjera të PD që t’i përjashtonte nga lista e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 2017, e sigurtë është se i ka dhënë leje kreut demokrat t’i heqë nga këto lista.
Dhe ithtari më i madh ndaj ish kryeministrit nuk e ka besuar se Basha ka përjashtuar figurat më forta në PD pa dëshirën dhe lejen e Berishës. Këtë e dinë dhe vetë të përjashtuarit.
Berisha e bëri thjeshtë dhe vetëm për të mbajtur në dorë PD dhe mbrojtur familjen e tij. Këtë e tregon dhe ngjarjet e këtyre ditëve kur Berisha po vendos për fatin e të përjashtuarve nga “Ruli”.
Ndërsa vetë ata që u hodhën në rrugë më 2017, tashmë kanë krijuar partitë e tyre. Topalli, Patozi por dhe të tjerë si Murrizi e Hajdari. Jo vetëm Basha është i pabesueshëm për ta, por dhe Berisha.(TemA)