Një urim ndryshe për Ditën e Flamurit

27 Nëntor 2020, 20:55Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Një popull së pari duhet ta sqarojë se për çka dhe për cilat gjëra është krenar. Kjo është baza e definicionit të patriotizmit. Folklori e dekoron patriotizmin, më shumë s’arrin dot. Është lehtë të jesh krenar me të kaluarën. Por më e rëndësishme është të jesh krenar me mënyrën se si sillesh dhe çfarë qasje ke si popull e shoqëri ndaj të kaluarës. Çfarë na bën patriotë nuk është shuma e parullave që brohorasim dhe flamujve që valëvisim, por bindjet e përbashkëta për të mirën e përbashkët. Kjo arrihet me patriotizëm të bazuar në Kushtetutë, jo me patriotizëm deklarativ.

Të gjithë viganët e historisë shqiptare kanë qenë edhe kozmopolitanë, qytetarë globalë. Fan Noli në kohën e tij ishte mbase i vetmi kryeministër në Europë që kishte përkthyer Shakespearin. Hasan Prishtina kreu gjimnazin frëng në Selanik (qytet i dominuar nga elitat intelektuale dhe tregtare hebraike), studioi drejtësi në Stamboll, në Selanik kishte edhe një shtëpi. Eqrem Bej Vlora kreu gjimnazin në Vjenë (Theresianumin e famshëm), pastaj u bë jurist në Stamboll, ishte diplomat osman në Shën Petërburg, hapi hekurudhën mes Mekës dhe Medinës dhe mbajti një lidhje më shumë se miqësore me aristokraten gjermane Marie Amelie von Godin. Eqrem Bej Vlora më 1911 botoi në Sarajevë në gjermanisht studimin etnografik «Aus Berat und vom Tomorr» (Nga Berati e mbi Tomorrin), më 1968 publikoi në München (Mynih) kujtimet e tij (Lebenserinnerungen). E fliste dhe e shkruante gjuhën e Goethes dhe Schillerit me elegancë aristokrate.

Ali Këlcyra, veprimtar politik, deputet, jurist i Romës, socialdemokrat me ide përparimtare ishte ndër të parët atdhetarë, i cili propozoi që deputetëve t’u hiqet titulli «bej», kundërshtoi mbulesën e grave myslimane dhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar më 24 shtator 1923 kërkoi që grave shqiptare t’u njihet e drejta e votës. (Sa për krahasim: gratë në Zvicër fituan të drejtën e votës më 1971). Kombi shqiptar nuk ka shumë personalitete të tilla, por as nuk është komb pa personalitete të tilla – në krahasim me shumë kombe të tjera.

Princi letrar gjerman Johann Wolfgang von Goethe ka qenë i pamëshirshëm kur ka thënë se patriotizmi e prish historinë. Në rastin shqiptar tani (dhe më shumë se kurrë) patriotizëm duhet të jetë ideali për barazi, zhvillim e përparim. Thënë ndryshe: etja për përsosmëri. Shqiptarët janë larg nga ky cak, por janë një komb që shekullin e 20-të nuk e ka kaluar duke mbledhur dredhëza në mal. Janë komb që është përpjekur t’i shpëtojë shfarosjes. Brenda një shekulli janë dy shtete të themeluara dhe të qeverisura nga shqiptarët. Një shtet i bashkëqeverisur nga shqiptarët (Maqedonia e Veriut). Një shtet anëtar i NATO-s (Shqipëria).

Nga synimet e mëdha popullin shqiptar e ndan vetëm një gjë: frika nga dështimi! Frika do të mposhtet atë ditë kur njerëzit ta kuptojnë se virtyti më i lartë është përpjekja për jetë të dinjitetshme. Qysh ka thënë Leonardo Da Vinci: «Chi poco pensa molto erra». Kush mendon pak, gabon shumë. Të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, atëherë edhe valëvitja e flamurit ka kuptim. E mendimi fillon atë ditë kur në zgjedhje votën nuk ia dhuroni vjedhësve. Ka bërë vaki më shumë se njëherë kjo. Fatkeqësisht.

4 komente në “Një urim ndryshe për Ditën e Flamurit”

  1. Iliria e bashkuar says:

    Te lumte goja, Faleminderit

  2. Olimpia says:

    Robell….ato se ke shkruar jane te verteta dhe gjysem te verteta,pavaresisht se thelbi i shkrimit eshte pozitiv….
    Ne historine e popujve nuk ka boshllek.Ka nje periudhe …44…90… e cila nuk eshte bosh por perkundrazi.Pavaresisht sistemit,ne kete periudhe Shqiperia doli nga epoka mesjetare ne kohen moderne.Nga injoranca ne nje arsim te zhvilluar per te gjithe,..nga bishtuku i pishes ne elektricikim deri ne shtepine me te larte,nga kenetat dhe plugu me qe ne bujqesi te modernizuar…nga pese punishte primitive ne nje industri te konsiderueshme,me shkence dhe teknike te pranueshme,…nga mjeku popullor ne mjekesi te zhvilluar per te gjithe…nga art i pa kulturuar ne art dhe kulture konkuruese ,nga ushtri me ca dyfeqe ne forca te armatosura moderne etj E gjithe kjo nuk eshte nostalgji por realitet.Dhe te gjitha keto u arriten me kontributi e jo pese burrave me ca ide por te mijra intelektuale,shkencetareve,specialisteve te nivelit te larte qe aftesuan nje popull te tere .Ka emra pa fund ,nuk mund te permenden ne nje shkrim.Sigurisht dikush do te thote ishte diktature….Po diktature ishte por a eshte e vertete qe Shqiperia doli nga mesjeta ne epoken moderne? Dhe gjeni nje vend qe e ka bere kete kapercim pa dhimbje…..qe nga Britania,Gjermania Franca,Rusia,Kina ,Japonia etj.

  3. Ray says:

    Bravo Ali Kelcyra ! Ai paska qene me shume i avancuar me ate mendimin qe “Grate tu lejohet te votojne” qe ne 1920, kur ne shume vende moderne ne ate kohe grate nuk votonin.

    Megjithate mendimin me te perparuar dhe qe i sherbente dhe i sherben me mire shoqerise Shqiptare e ka dhene tradhetari ESAT Pashe Toptani
    Ai ne nje bisede me perkethyesin e delegacionit Amerikan, Kolonel Bonsal ne Konferencen e Paqes ne Paris,
    i tha Kolonelit Amerikan keto fjale :
    “..Zoteri, i thoni President Willson, se nqs Presidenti e ka problem qe ne jemi Myslymane, ne jemi gati ta ndryshojme ate fe, sepse ajo fe nuk eshte feja jone. Ne e morem ate lloj feje, per siguruar mbijetesen tone si komb nen pushtimin Ottoman,
    ne menyre qe te mos iknim maleve si malazezet,
    por qe ne nuk e kemi fare problem ta nderojme ate fe, e cila nuk eshte feja e popullit tone …”

    Pra qe ne ate kohe ESAT Pasha ka pasur idene qe per Shqiptaret do ishte me mire te ndryshonin fene nga Myslymane ne Kristiane,,,Dhe ky mendim eshte nje mendim i guximeshem dhe me te vertete patriotik,
    sepse ne jetojme ne nje kontinent ku 500 milion banore jane Kristiane, ndersa ne jemi reth 6 milion Shqiptare me fe myslymane ne shumice–Kjo gje eshte nje handicap, sepse nje popullsi kaq e vogel sac jemi ne, nuk mund te imponoje fene e saj perballe gjysem miliardi njerez
    ndaj ne kemi qene dhe do te jemi gjithmone nen goditjen e ketij 500 milioneshi, …ne nje menyre a ne nje tjeter …

    Pra mendimi i Esat Pashes ne kete drejtim eshte gjenial dhe shume i dobishem per nje te ardhme te qete te brezave shqitpare qe do vijne,
    sepse na fut perseri ne boten Shpirterore Europiane,
    pjese e se ciles kemi qene para 600 vjetesh

    Ndersa ne pergjithesi nisur nga Shkrimi, i shokut Enver , lol kombit tone nuk i kane munguar intelektualet dhe mendjet e perparuara,
    problemi jone eshte
    se na kane munguar mendjet drejtuese me mendim demokratik, qe te respektojne mendimine tjetrit kur eshte i drejte , jo ta quajne kundershtarin poolitik, si armik te betuar .
    Kjo ka qene dhe eshte edhe tani fatkeqsia jone.

    Dhe kete e thekson ne ditarin e tij edhe nje perfaqsues i Qverise Naziste ne Tirane ne vitin 1944, ku ai thote : “….Qeveria Shqiptare i kishte gjithe qeveritaret qe kishin mbaruar shkollat ne Austri, e Itali, dhe te gjithe dinin te flisnin gjermanisht , anglisht ferngjisht etj,
    porproblemi me ta ishte se ata ,
    kur diskutonin nuk i hapnin ruge mendimit te drejte te tjetrit. Por zihedhin me njeri tjetrin dhe nuk e gjenin gjuhen kurre
    Ata nuk zgjidhnin dot asnje ceshtje. Nqs doje te mos zgjidhej nje ceshtje , jepja atyre dhe ata do diskutonin me dite te tera dhe nuk do gjenin asnje zgjidhje…..”

    Pra , kjo gje qe thote Zyrtari gjerman eshte semundja e politikaneve tane ,qe do te thote se politikanet e intelektualet tane , megjithse kane nje pregatitje te larte intelektuale,
    ata nuk kane vetine me themelore te nje intelektuali apo politikani, qe te respektojne te Drejten e njeri tjetrit ….” Kjo gje ben qe Shoqeria jone te jete e percare dhe
    ta shikojme shqiptarin qe kundershton idete tona si armik,
    jo si vellain tone qe ka nje mendim te kundert me ne …

  4. Pensionist says:

    Gazetar i nderuar!
    Krenaria eshte ves, nuk eshte virtyt, eshte mburrje, eshte egoizem, eshte kokefortesi, eshte te rrahesh gjoksin dhe per ta mbyllur po shtoj se krenaria eshte injorance! Per cfare te jemi krenar?!
    Ne duhet te jemi te nderuar, te mencur, te zgjuar, punetore, dashamires, mikprites, humane, besnike, shpresedhenes, bujare, te kulturuar, jetedhenes, te aresimuar etj.
    A deshiron te te tregoj nje njeri krenar? Mbase nuk deshiron, por po te tregoj: sali berisha! Ecen krenar. Flet me krenari. Behet garant. Behet i ditur. Eshte i ”zoti” te udheheqe popullin. Si mjek deklaron sherimin e plageve te kombit! Po qe se nuk e ke pare, mundet ta dhe te vertetosh keto cilesi egoiste. Si ky ka edhe te tjere, por salihu ua kalon te gjitheve, prandaj ka edhe ”nderimin e simpatine” (qe do te thote urrejtjen dhe percmimin) e te gjithe shqiptareve.
    Ne anet tona perdoret nje shprehje popullore: “Ai, qe mburret, dhjet poturret”! Thjeshtesia e pshurr krenarine…
    Personalitetet e kultures, shkences, te qeverisjes se mire, gjuhetaret, arkitektet, historianet, trimat luftetare, heronjte etj na nderojne si komb, na bejne te njohur ne bote per vlerat, qe kemi, qe trashegojme dhe ushtrojme. Psh: Ne nderohemi me mikpritjen! Ne nderojme dhe ndihmojme te huajin, por kjo nuk ndodh ne boten e sotme te ”qyteteruar”!
    Mire, qe shkruan per ali kelcyren, qe paska propozuar heqjen e titullit ”bej” dhe kundershtoi mbulesen e gruas myslimine, duke permendur edhe te tjere personalitete, po njeh ndonje personalitet, qe beri ligje per emancipimin e gruas shqiptare, qe ngriti ne kembe te gjithe Shqiperine, per barazimin e te drejtave te gruas me ato te burrit dhe ia arriti? Ja, po ta them une: Enver Hoxha.
    Krenaria na qenka ”baza e definacionit te patriotizmit”. Ku i gjeni keto perkufizime te pakuptimte dhe perdorimin e fjaleve te huaja, pa qene e nevojshme? Kjo nuk te nderon, zoti gazetar! Shkruaj shqip dhe perdor aresyetimin e shendoshe, se keto, qe ke hedhur ketu jane brockulla!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje