ANALIZA: Jo, Kosova nuk është një precedent për Nagorno-Karabakun

1 Dhjetor 2020, 11:25Rajoni TEMA

Nga Ayaz Rzayev, National Interest

Kur fuqitë e mëdha perëndimore e mbështesnin kërkesën e Kosovës për pavarësi, ato paralajmëruan se Kosova ishte ‘sui generis’, një rast i veçantë sipas ligjit ndërkombëtar, që nuk mund të përdoret në asnjë rrethanë si precedent për situata të tjera.

Por në retrospektivë, kjo gjë nuk i pengoi separatistët në vende të ndryshme t’i referoheshin çështjes  së Kosovës, sa herë që u dukej e përshtatshme për ta. Siç u shpreh në atë kohë historiani i njohur britanik Timothy Garton Ash:”Kosova është unike, por do të ketë shumë ‘Kosova’ të tjera”.

Dhe kjo u pa për herë të parë në Osetinë e Jugut dhe Abkazi në vitin 2008, dhe pastaj në Krime në vitin 2014. Pas referendumit në Krime, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se çështja e Kosovës që “kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme” ishte një precedent i duhur për gadishullin.

Çështja e Krimesë, ka vërtetuar se sa të dëmshme mund të jenë përjashtimet në normat tashmë të vendosura të së drejtës ndërkombëtare. Separatistët u bindën se qëndrimi i Perëndimit ndaj separatizmit, është kryesisht një çështje formulimi, pavarësisht se sa herë zyrtarët perëndimorë kanë deklaruar të kundërtën.

Pra, ata besojnë se mund të kenë sukses me lobimin e kauzës së tyre në Perëndim, dhe nëse ia dalin të ndërtojnë një narrativë joshëse që të tërheqë audiencën perëndimore. Për shembull, gjatë referendumit katalanas për pavarësi në vitin 2017, strategjia e qeverisë katalanase ishte që ta detyronte BE-në të ndërhynte në Spanjë, duke u përpjekur ta bindte unionin se ata, ashtu si shqiptarët në Kosovë, nuk kishin zgjidhje tjetër të vlefshme përveç shkëputjes nga“natyra autoritare” e qeverisë Spanjolle.

Taktika të ngjashme janë përdorur nga qeveria armene edhe në rastin e Nagorno-Karabakut. Pavarësia e Kosovës u mirëprit me entuziazëm nga separatistët armenë në këtë rajon, suksesin e së cilës ata shpresuan që ta imitonin. Ata gjithashtu mbështetën aneksimin e Krimesë, duke argumentuar se ajo ishte sërish “një tjetër manifestim i realizimit të së drejtës së njerëzve për vetëvendosje”.

Ndërkohë, gjatë votimit të OKB në marsin e vitit 2014, Armenia votoi pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, dhe që e cilësonte të paligjshëm aneksimin e Krimesë. Lobistët armenë në Perëndim,synojnë të argumentojnë se bazuar tek rasti i Kosovës, Shtetet e Bashkuara duhet që të njohin urgjentisht pavarësinë e Nagorno-Karabakut.

Dhe kjo pavarësisht nga fakti se në atë kohë Departamenti i Shtetit, paralajmëroi qartazi se Kosova nuk ishte një precedent, dhe as që duhet të shihet si i tillë nga ndonjë vend tjetër në botë, dhe sigurisht nuk është një precedent as për Karabakun.

Vetë kryeministri armen Nikoll Pashinyan,ka deklaruar vazhdimisht muajt e fundit se bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë Nagorno-Karabakun si një shtet të pavarur, bazuar në parimin e shkëputjes korrigjuese.

Problemi nuk është vetëm se kjo doktrinë – që pretendon se shkëputja mund të pranohet si mjeti i fundit për t’i dhënë fund shtypjes – është një mit,që nuk ka një themel të fortë teorik në të drejtën ndërkombëtare, dhe nuk ka rëndësinë më minimale për “konfliktet e ngrira” në rajonin post-sovjetik.

Por ai ngre ndërkohë një dilemë të rreme zgjedhje midis një shoqërie të mirë-integruar dhe vetëvendosjes së jashtme, teksa shpërfill plotësisht një qasje të tretë shumë më efektive për zgjidhjen e konfliktit – një vetëvendosje të brendshme, e cila jo vetëm lejon bashkëpunimin ndërmjet grupeve dhe një autonomi e mjaftueshme për të bashkëjetuar, por është gjithashtu mënyra e vetme e zbatueshme për të siguruar një paqe të qëndrueshme në rajon.

Ndërsa e drejta ndërkombëtare përfshin konceptin e vetëvendosjes, ajo nuk përfshin të drejtën e shkëputjes. Në përgjithësi është pranuar se e drejta e vetëvendosjes nuk mund të përdoret për të ndarë territorin e një shteti sovran jashtë paradigmës de-kolonizimit.

Integriteti territorial i shteteve dhe kundër shkëputjes, është i garantuar sipas ligjit ndërkombëtar për një arsye të fortë. Nëse secili grup separatist, shpesh i nxitur nga forma të rrezikshme të nacionalizmit, do të ndiqte vetëvendosjen e jashtme, ai do të destabilizonte plotësisht rendin ndërkombëtar liberal aktual.

Pastaj ekziston ndonjëherë edhe realiteti i errët i pushtimit,që fshihet pas fasadës së vetëvendosjes. Ky është rasti i Krimesë, kur pushtuesit përpiqen të portretizojnë pretendimin e tyre si demokratik, dhe përpiqen t`a lidhin pretendimin e tyre në një mënyrë apo tjetër me vlerat liberale.

Kur nacionalistët armenë filluan lëvizjen Miatsum (Unifikimi) në vitin 1988, qëllimi i tyre përfundimtar ishte aneksimi i Nagorno-Karabakut nga Armenia. Por për të kapërcyer mosmiratimin ndërkombëtar të irredentizmit dhe për të fituar mbështetjen e liberalëve, pushtimit më vonë u cilësua si një luftë për vetëvendosje.

Qeverisë armene i pëlqen të argumentojë se Nagorno-Karabaku e arriti pavarësinë “përmes një referendumi popullor demokratik”. Në praktikë, një referendum i tillë nuk është asgjë më shumë sesa një sondazh i opinionit publik. Sipas ligjit ndërkombëtar, një deklaratë e njëanshme e pavarësisë e bazuar mbi një referendum, nuk është më i ligjshëm sesa një shkëputje e njëanshme pa një votim popullor.

Pavarësisht luftimeve të reja disa javë më parë, Perëndimi mund të ndihmojë ende në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit të Nagorno-Karabakut, por për ta bërë atë, duhet të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj separatizmit. Çështja e Kosovës duhet të qëndrojë vërtet ‘sui generis’. E drejta ndërkombëtare është më e fortë, kur normat e saj nuk lënë shumë hapësirë ​​për interpretime. /Përktheu: Alket Goce

3 komente në “ANALIZA: Jo, Kosova nuk është një precedent për Nagorno-Karabakun”

  1. Millosh Gjergji says:

    Dallimi qëndron në faktin, që sikur armenët dhe serbët ortodhoks, nuk pranojn të jetojn së bashku me popujt joortodhoks. Kurse shqiptarët kurr nuk kishin gjë kundër bashkëjetesës, por dëshironin të kishin të drejtën e shtetformimit pasi që ishin autokton dhe të diskriminiar nga pushtuesit njëshekullor sllav. Prandaj shkrimi në fjalë ka pak e gati fare lidhje me ne.

  2. ben says:

    Gjithe keto probleme konfliktesh territoriale qe po kalon bota ne pergjithesi dhe Europa jugore e lindore ne vecanti, ka lidhje me ndarjen ne shekullin e kaluar te territoreve midis shteteve qe u formuan nga renia e Perandorise Osmane. Kjo ndarje prej Fuqive te Medha nuk u be mbi baza nacionale, por mbi interesat politike te ketyre fuqive qe me nje te rene te lapsit, ndane kombet e vogla duke ja dhene territoret e tyre vendeve qe mbeshteteshin prej shteteve si Rusia, Franca, Anglia dhe me pak nga Gjermania. Pasojat e ketyre ndarjeve po i vuajme dhe do ti vuajme persa kohe qe vetevendosja e lire e popujve te ndryshoje vijat kufitare midis shteteve. Bashkimet e kombeve nen nje shtet te vetem, ka treguar se jane iniciativa te perkoheshme qe shpesh here perfundojne me konflikte te pergjakshme. Rasti me tipik eshte ai i ish Jugosllavise.
    Po keshtu, kjijimi i shteteve fiktive, mbeshtetur ne nje histori te genjeshtert eshte i destinuar te perfundoje me ndarje te tyre per tiu bashkuar trungjeve te shteteve amtare. Ne kete aspekt, me tipiku eshte shteti i Maqedonise se Veriut. Ky pseudo-shtet, eshte krijuar mbi nje histori te genjeshtert per gjoja te qenurit pas-ardhes te maqedoneve antike. Dihet se shumica e atyre qe sot popullojne kete zone te Ballkanit jane bullgare qe s’kane asnje lidhje me maqedonet antike. Eshte qesharake ngritja e skulpturave te Aleksandrit te Madh apo emertimi i aeroportit te Shkupit sipas emrit te Filipit prej sllaveve bullgare te MAqedonise se Veriut. Te vetmet popullsi te ketij shteti qe mund te kene ndonje perafersi me maqedonet e lashte jane shqiptaret qe perbejne rreth 30% te ketij shteti, qe sidoqofte nuk justifikon propoganden shteterore te bullgaro-mqedonesve te sotem per historine qe nuk u perket fare atyre. Ky shtet, qe te kujton ish Jugosllavine ne miniature, eshte i destinuar qe te shkaterrohet. Ne nje drejtim te ngjashem do perfundoje edhe i ashtuquajturi shteti grek, i krijuar mbi nje fabul te genjeshtert te historise se grekeve te lashte. Greqia e sotme u krijua nga Fuqite e Medha dhe eshte zgjeruar 5 here qe nga viti 1821, kryesisht mbi territore qe u perkisnin historikisht rraces iliro-shqiptare. E kam te qarte se ketij komenti do ti versulet kompania e langonjve neo-greke te paguar nga parate e Europes, por sic thote nje fjale e vjeter e popullit te mencur shqiptar, e verteta dhe i drejti zhyten por nuk mbyten. E ardhmja do e vertetoje ato qe kam shkruar me siper dhe kjo vlen jo vetem per keto dy shtete, por edhe per cdo cep tjeter te Europes e me tej ku jane bere padrejtesi ne kurriz te popujve me te vegjel.

  3. katarakti says:

    E drejta e vetvendosjes së popujve është pa aq e shenjtë sa janë edhe të drejtat e Njeriut Por diplomacia ndërkombêtare e ka hedhur gjithmonë poshtë këtë të drejtë të pamohueshme. Spanja psh nuk ia njeh të drejtën e vetvendosjes dy popujve që i mban nën kontroll: Baskëve dhe Katalanëve. Popullit kurd prej 25 milionësh nuk i është njohur e drejta e vetvendosjes as nga Turqia, as nga Iraku. Kina po ashtu mban nën kontroll të rreptë Tibetin. Dhe shembuj të tillë ka plot. Sepse jetojmë nê një botë të padrejtë ku ligjin e bën më i forti dhe ku peshku i madh ha të voglin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje