Katër vjet e gjysmë pas referendumit mbi qëndrimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian, bota është në pritje sot të një marrëveshjeje ose jo postBrexit lidhur me marrëdhëniet e tyre në të ardhmen.
Pas disa telefonatave, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe kryeministri britanik Boris Johnson vendosën ditën e sotme si një afat të fundit për përpjekjet për të arritur një marrëveshje.
Britania e Madhe u largua nga BE në fund të janarit, por mbetet në një periudhë tranzicioni deri në fund të vitit.
Nëse deri atëherë nuk arrihet asnjë marrëveshje që rregullon marrëdhëniet e ardhshme, tarifat më të ashpra që do të vendosen dhe kontrollet e vështira doganore do të ngadalësojnë biznesin në të dy palët.
Pikat kryesore të bllokimit janë kërkesat e BE-së për një fushë të barabartë loje dhe qasje për peshkatarët nga vendet e BE-së në ujërat britanike.
Kryenegociatori i BE Michel Barnier dhe homologu i tij britanik David Frost janë aktualisht duke zhvilluar bisedime në Bruksel.
Nëse bisedimet nuk arrijnë të prodhojnë një marrëveshje, të dy palët duhet të përgatiten për një përmbysje të konsiderueshme, me tregtinë e penguar nga formalitetet e reja që mund të paralizojnë trafikun nëpër La Mansh.
Ndërsa ka ende kohë para 31 dhjetorit, megjithatë, ka pasur spekulime në mediat britanike që edhe nëse bisedimet dështojnë sot, një kthim në negociata mund të jetë ende i mundur para fundit të vitit.