Nënkryetari i PDK: Garojmë për t’i fituar zgjedhjet! Të hapur për koalicion me këdo

24 Dhjetor 2020, 09:28Rajoni TEMA

Shaqir Totaj, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një intervistë për Euronews Albania tha se nuk ka asnjë dilemë se Enver Hoxhaj do të jetë kandidati i tyre për kryeministër.

Ai sqaroi se si një parti opozitare ata janë të përgatitur për këto zgjedhje ndërkohë që theksoi se strukturat e tyre kanë qenë gjithmonë në gatishmëri për vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo zhvillime të tjera sa i takon zgjedhjet së presidentit të vendit.

Sa i takon koalicioneve parazgjedhore ai theksoi se ka pasur bisedime por asgjë konkrete për momentin. Totaj refuzoi të japë një opinion rreth kësaj çështje duke dashur të presë deri në përfundimin e bisedimeve.

A ka ndonjë parti që ju e përjashtoni nga mundësia për koalicion me ju, pyeti gazetarja Mulaj ndërkohë që nënkryetari i PDK-së theksoi se partia e tyre është përfshirëse e jo përjashtuese

“Ne, askënd nuk e përjashtojmë mirëpo natyrisht presim që të gjitha ato parti që kanë preferenca për të bashkëpunuar me ne apo për të krijuar koalicione ndoshta ta reflektojnë, t’i përafrohen programit dhe që ata ndoshta t’i heqin ‘vijat e kuqe’ imagjinare të cilat i kanë vendosur, nëse vjen deri te bashkëpunimet e kësaj natyre,” – tha Shaqir Totaj.

Teksa gazetarja theksoi Vetëvendosjen si një parti të mundshme për koalicion, Totaj tha se preferonte të fliste pas rezultatit të zgjedhjeve duke lënë kështu një ‘derë hapur’ për një bashkëpunim me Vetëvendosjen.

Pavarësisht faktit se garojnë pa dy liderët e tyre, Thaçin dhe Veselin, nënkryetari i PDK-së tregoi se këtë gjë do e shfrytëzojnë për të fituar energji e për t’u mobilizuar.

“Kemi qenë faktikisht në pritje dhe nuk na ka befasuar aspak vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe tani kemi filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve, krijimin e shtabeve e kështu me radhë. Sipas të gjitha gjasave pritjet tona janë që do të dalim më mirë se në zgjedhjet e fundit dhe garojmë për t’i fituar zgjedhjet,” – tha Totaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje