Kujtim Prodani u nda nga jeta këtë të mërkurë në moshën 57-vjeçare si pasojë e Covid-19. Kantautori i mirënjohur qëndronte i shtruar në spital, prej disa ditësh. Një humbje e madhe për artin shqiptar, që sot është sërish në zi. Reagimet e artistëve kanë qenë të menjëhershme. Në fjalët e tyre ka shumë dhimbje për këtë humbje të madhe.
“Do mbetet si vetë emri – Kujtim i një familje me tradita – Prodani, një kujtim i dashur dhe i mbushur me muzikë origjinale dhe poezi. Ngushëllime vëllait dhe të dashurve të familjes”, shkruan Ardit Gjebrea.
“Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi”.Zoti të pastë në Mëshirën e Vet miku im, Kujtim Prodani!”, shkruan Sidrit Bejleri.
“Mos o Kujte se nuk po mbajmë dot më. Ishe kaq shok i mire sa mbase jo të gjithë të njoftën…. Nuk gjej fjalë të shkruaj e duart me dridhen fort…
Ta dish edhe në na e shkatërrove këtë fillim viti. Pusho në paqe o shok i mirë pranë prindërve të mrekullueshëm… Ngushëllimet më të sinqerta familjes…”, shkruan Shpëtim Saraçi.
“Do më marrë malli për buzëqeshjen dhe energjinë tënde pozitive mik i mirë, kështu dua të të mbaj mend, Kujtim Prodani… Lamtumirë”, shprehet Devis Xherahu.
“Çfarë lajmi i trishtë. R.I.P Kujtim”, shkruan Gentian Zenelaj.
“Mbaruan pasthirrmat… nuk dimë si të reagojmë… Kujtim Prodani! Kaq papritur! Para një muaji u shkëmbyem pranë pistës së liqenit. Admirova vrapin tënd të djersitur.
Nuk do harroj kujtimin e përbashkët vitet 80 ne Rrilë të Lezhës mes aksionit socialist kur në mungesë të ujit ne të dy u turrëm, u zhytëm në një pellg dhe u sapunisëm duke gajasur studentët.
Govata natyrore që shpikëm në studentët e arteve. Qofsh i parajsës miku im! Mirënjohës që më ftove në këngët e tua!”, shprehet Leonard Bombaj.
“Nuk gjej fjalë të përshkruaj trishtimin që ndjej nga humbja e parakohshme e kantautorit Kujtim Prodani. Djali që i këndoi Tiranës, dashurisë, jetës sot iu bashkua prindërve të tij të nderuar Anita e Agim Prodani…
Është shumë herët për t’u ndarë nga ky mik i mirë i të gjithëve. U prehsh në paqe!“, shkruan Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Vetëm pak ditë më parë, nga spitali “Shefqet Ndroqi” ku ndodhej i shkruar vetë kantautori do të postonte në rrjetet sociale këtë foto, ndërsa e shoqëronte me fjalinë: “Sa miq e sa të afërm na more; o flamë e keqe! Klinika “Shefqet Nndroqi””.
Kënga e fundit që Kujtim Prodani la pas ishte pikërisht për virusin që i mori para kohe. Ai ishte djalë i artistëve të mirënjohur Anita Take dhe Agim Prodani.
U prehte ne paqe!! Shume heret per te ikur, shume boshllëk, shume trishtim….