ANALIZA: A mund ta tronditë Alexei Navalny Rusinë e sotme, ashtu si dikur Lenini?

21 Janar 2021, 10:29Bota TEMA

Nga Liana Semchuk, The Conversation                                                                                            

Analistët politikë si brenda Rusisë ashtu edhe nëpër botë, po e krahasojnë rikthimin e Alexei Navalny në Moskë me udhëtimin me tren të Vladimir Leninit nga Zvicra në Shën Petersburg, në prillin e vitit 1917.

Ishte udhëtim 8-ditor, të cilin siç e përshkroi Winston Churchill  “u shndërrua në armën më vdekjeprurëse për Rusinë”. “Ata e transportuan Leninin me një vagon të blinduar si një bacil murtaje nga Zvicra në Rusi”- shkroi ai.

Siç e dimë, “bacili i murtajës” u përhap dhe deri në fund të ati viti, Lenini dhe mbështetësit e tij bolshevikë morën pushtetin në Rusi. A është kjo ajo që kishte në mendje Navalny kur bëri atë që duket si një marrëzi, duke u rikthyer në vendlindje, duke pasur parasysh se ai ishte helmuar me një agjent nervor herën e fundit që ishte në Rusi?

Nuk ka asnjë dyshim, të paktën në mesin e disa demografëve në Rusi, mbështetja ndaj Navalny si një zë opozitar po forcohet. Popullariteti i tij u rrit nga 9 për qind në vitin 2019, në 20 për qind në vitin 2020, edhe pse kjo pasi u helmua, ndaj mund të pasqyrojë një shkallë simpatie që mund të mos përkthehet domosdoshmërisht në vota në kutinë e votimit.

Ka pak dyshime se programi i tij i “votimit të zgjuar”, që synonte të koordinonte mbështetjen për kandidatët anti-Putin në zgjedhjet rajonale dhe për kryetarin e Bashkisë së Moskës vitin e kaluar, rezultoi efektiv në Moskë, ku partia Rusia e Bashkuar humbi ndjeshëm.

Por ka pak prova që kjo strategji pati sukses në rajone të tjera, dhe Putin mbetet ende politikani më popullor në Rusi. Megjithatë, sondazhet sugjerojnë se mbështetja e presidentit rus është duke rënë midis votuesve më të rinj (18-24 vjeç), nga 36 në 20 për qind gjatë vitit të kaluar. Potencialisht, kjo tregon se në planin afatgjatë Putini mund të përpiqet të mbetet i rëndësishëm për një segment të konsiderueshëm të popullsisë.

Po nga planet afatgjata të Putinit? Që në fund të vitit të kaluar pati zëra mbi problemet shëndetësore të presidentit. Ato kanë nxitur spekulime se Putin mund të planifikojë një pension të parakohshëm për veten, ndoshta edhe brenda vitit 2021.

Dhe miratimi i një ligji në nëntorin e vitit 2020, që i jep imunitet të përjetshëm ish-presidentëve, vetëm sa u jep më shumë peshë këtyre teorive. Por thashetheme të tilla kanë bërë xhiron e hapësirës kibernetike që nga viti 2012. Dhe reformat kushtetuese të miratuara në korrikun e vitit të shkuar, që e lejojnë Putinin të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036, duket sikur sugjerojnë të kundërtën.

Ndryshime të tjera në ligjin zgjedhor të miratuara vitin e kaluar, duke futur risi të tilla si votimi në internet dhe zgjatja e procesit të votimit për disa ditë, mendohet se shtojnë mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve. Pjesa tjetër e botës do të ketë mundësinë t`a verifikojë këtë gjatë zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.

Partia Rusia e Bashkuar, parashikohet të fitojë sërish shumicën. Por nëse partia e Putinit do të jetë në gjendje të mbajë shumicën e saj kushtetuese -pra 2/3 e 450 vendeve në Duma -kjo mbetet të shihet. Prania e Nalvalny në Rusi, mund t’u japë votuesve të opozitës një figurë rreth së cilës të bashkohen.

Nëse lihen mënjanë zërat mbi shëndetin e Putinit, nuk ka gjasa që ai të ngutet të tërhiqet përpara vitit 2024. Vetë Putini deklaroi vitin e kaluar se presidenca e tij “sigurisht që duhet

të përfundojë një ditë”. Por ai e pasoi atë deklaratë duke iu referuar ndryshimit të kufijve mbi mandatet,që kishin të bënin me përforcimin e sovranitetit të federatës Ruse, duke arriti në përfundimin se “për atë që do të ndodhë në vitin 2024 ose më vonë, do t`a shohim kur të vijë koha”.

Kjo sugjeron që ai i mban jo vetëm të hapura opsionet e tij, por se gjithashtu po i turbullon qëllimisht planet e tij. Vëzhguesit e Kremlinit, theksojnë gjithashtu se nuk është e qartë se kush mund të jetë favoriti për t`a pasuar Putinin – udhëheqësin më jetëgjatë i Rusisë që nga koha e Stalinit. Lista e kandidatëve të mundshëm është shumë e kufizuar, teksa nuk mund të përjashtohet rikthimi i ish-presidentit Dmitry Medvedev.

Pavarësisht popullaritetit të tij të ulët (38 për qind në dhjetor 2019), Medvedev shihet ende nga shumë njerëz si një besnik i Putinit, dhe ishte i lumtur të zinte postin e presidentit në vitin 2008vetëmpër një mandat, për t’i hapur rrugën Putinit të bëhej president në vitin 2012. Natyrisht, pas referendumit të vitit të kaluar, Putinit nuk i nevojiten më makinacione të

tilla që të mbetet në pushtet deri në moshën 84-vjeçar. Largimi i Medvedev nga posti i kryeministrit në fillim të vitit 2020 dhe emërimi i tij si nënkryetar i Këshillit të Sigurimit, e ka mbrojtur atë nga kritikat mbi pasojat e rënda ekonomike që ka shkaktuar pandemia.

Disa analistë besojnë se lëvizja e tij u bë enkas për t`a lejuar atë të jetë kandidati më i pëlqyeshëm për të forcuar kontrollin e partisë Rusia e Bashkuar ndaj presidencës.

Të gjitha këto e vendosin në kontekst kthimin e Navalny në Rusi. Ndërsa Rusia e Bashkuar e Putinit, po zhvillon planet e saj afatgjata për kontrollin e Federatës Ruse, pyetja e madhe që shtrohet në të gjithë botën është nëse figura e opozitës, tani për tani në arrest policie, mund të të nxitë ngjarjet si një katalizator për ndryshim, ashtu si Lenini në vitin 1917. /Përktheu: Alket Goce-abc

1 komente në “ANALIZA: A mund ta tronditë Alexei Navalny Rusinë e sotme, ashtu si dikur Lenini?”

  1. Tr says:

    Hahaha, SOT PUTIN ESHTE NJE NGA POLITIKANET ME TE FUQISHME, QE I TRE BEN TE GJITHE. KY ESHTE NJE MIKI MAUS ??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje