Kompania private ushtarake ruse Wagner Group mund të duket si një kompani biznesi konvencionale, por menaxhimi dhe operacionet e saj janë të ndërthurura thellë me komunitetin ushtarak dhe inteligjencën ruse. Rusia po përdor grupe të tilla ndërrmarjesh si një mënyrë për të rritur influencën e saj jashtë shtetit pa dukshmërinë dhe ndërhyrjen e forcave ushtarake shtetërore. Por si lindi Wanger dhe cilat janë arritjet e këtij grupi ushtarak në dobi të shtetit rus?
Dmitry Utkin është themeluesi i Grupit Wagner. Një veteran i të dy luftrave çeçene, Utkin shërbeu në GRU (shërbimi kryesor ushtarak i inteligjencës së jashtme të Rusisë) deri në 2013, pas së cilës ai komandoi një njësi “Spetsnaz”, duke arritur gradën e një nënkolonel. Në vitin 2014, ai u largua nga GRU dhe themeloi grupin “Wagner”. Direkt pas krijimit të këtij grupi, “Wagner” mori pjesë në një nga operacionet ruse në Ukrainë duke ndihmuar forcat separatiste të Republikave Popullore të vetëdeklaruara Donetsk dhe Luhansk.
“Wagner” besohet të ketë një njësi serbe, e cila ishte, të paktën deri në prill 2016, nën komandën e Davor Saviçiç, një serbo-boshjak i cili ishte një anëtar i Gardës Vullnetare Serbe dhe pjesë e Njësisë e Operacioneve Speciale (JSO) gjatë Luftës së Kosovës. Në shtator 2015, “Wagner” u bashkua ndërhyrjes zyrtare të Moskës në Siri menjëherë pasi filloi, duke luajtur një rol kryesor në pushtimin e provincave: Palmyra dhe Deir ez-Zor. Wagner vlerësohet të ketë rreth 2,500 trupa në Siri.
Por, 5 vjet pasi u shfaq për herë të parë, “Wagner” duket se përbëhet kryesisht nga grupe mercenarësh rusë të rekrutuar në një bazë të improvizuar nga Yevgeny Prigozhin, i cili duhet të konsiderohet më shumë si një “lolo” i Kreminit sesa si një drejtues i zakonshëm i ndërmarrjes. Një ish-i dënuar për grabitje, mashtrim si dhe për prositucion të miturish, ai filloi karrierën e tij të ligjshme të biznesit në vitet ’90 si pronar restoranti në Shën Petersburg dhe më vonë si furnizues ushqimesh për Kremlin. Prigozhin është akuzuar edhe për përpjekjet e tij dhe kompanisë së tij për të ndikuar në zgjedhjet e vendeve perëndimore.
Grupi “Wagner” ka qenë i pranishëm në Libi të paktën që nga viti 2018. Libia ka një rëndësi strategjike për firmat energjetike të Rusisë, pasi është e pasur me naftë me cilësi të lartë. Wagner ka qenë i pranishëm edhe në Sudan, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Madagaskar.
Në Republikën e Afrikës Qendrore, kompanive të lidhura me Prigozhin u janë dhënë të drejta kërkimi në minierat e arit dhe diamantit. Në Siri, mercenarët e “Wagner” kanë siguruar fushat e naftës në këmbim të përfitimeve.
Në Sudan, presidenti i atëhershëm Omar al-Bashir është takuar me Vladimir Putin, duke i kërkuar mbështetje kundër ndërhyrjeve të supozuara të jashtme. Në vijim, Moska ra dakord të siguronte pajisje dhe ndihmë tjetër për forcat sudaneze të siguruar jo nga shërbimi kryesor ushtarak i inteligjencës së jashtme të Rusisë, por nga “Wagner”. Në këmbim, Rusia përfitoi një numër të madh marrëveshjesh dhe bashkëpunimesh ekonomike, për minierat e naftës dhe arit në Sudan. Kohët e fundit, “Wagner” është akuzuar për vendosjen e minave të bllokuara përreth Tripolisë në Libi, por BE ende nuk e ka vendosur saksione kundrejt këtij grupi ose kundrejt lideri të tij.
“Wagner” duhet të shihet si një organizatë klasike përfaqësimi i shtetit rus dhe jo thjesht si një kompani private ushtarake, që ofron/shet shërbime në tregun e hapur dhe për rrjedhojë, të trajtohet në përputhje me rrethanat. Qeveria ruse është përpjekur të mohojë lidhjet e saj me grupin “Wagner”. Por, përkundër këtyre mohimeve, mercenarët e “Wagner” kanë qenë prezent në zona me interes strategjik për Rusinë. Përfaqësues të opozitës ruse, por edhe analistë të ndryshëm kanë bërë publike dyshimet e tyre të forta se “Wagner” nuk është as më pak e as më shumë sesa një njësi e fshehtë që menaxhohet nga struktura ushtarake shtetërore të Rusisë.
Së fundmi, intervista të bëra publike të një ish-anëtari të “Wagner”, kanë vënë theksin tek “shkëlqimi” në rënie i kësaj kompanie, si rezultat i akteve brutale ku urdhërohen të marrin pjesë mercenarët e saj, si dhe formave korruptive dhe përfituese me metoda të paligjshme ku janë të fokusuar drejtuesit–biznesmenë të kompanisë.
Përgatiti Armela Toska
O Mero, ku i gjen keta lloj “analistesh” e “gazetaresh” buzequmeshta, qe shkruajne hartime sipas “porosive te Partise dhe mesimeve te shokut Enver”, se na gajase mor aman… !!!