Vllaznia mund të buzëqeshë, Teuta dhe Partizani nuk përfitojnë dhe ndajnë pikët

25 Janar 2021, 18:55Sport TEMA

Mbyllet në paqe supersfida e javës së 16-të mes Teutës dhe Partizanit, rezultat i cili kënaqi më shumë Vllazninë që ruajti diferencën prej 9 pikësh në klasifikim ndaj të dyja ekipeve.

Ishte “zjarr” dueli i Niko Dovanës që në start, me Partizanin që zhbllokoi shifrat duke marë avantazhin pas vetëm 8 minutash lojë. Ky rezultat nuk mund të pranohej nga “djemtë e detit” me Teutën që u hodh e gjitha në sulm në kërkim të barazimit. Pas disa përpjekjesh durrsakët e gjetën golin me Blerim Krasniqin që goditi saktë pas një harkimi nga këndi.

Në pjesën e dytë Teuta shpërdoroi një rast të artë me Blerim Krasniqin në minutën e 60-të, me Alban Hoxhën që ndali goditjen me kokë të sulmuesit.

Në minutën e 80-të Partizani mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Valentino Muratajt, por me një lojtar më pak Partizani iu afrua në dy raste golit në minutat e fundit të ndeshjes fillimisht me Bitrin që humbi një shans të shkëlqyer me kokë dhe më pas me Eraldo Çinarin, goditja e të cilit fluturimthi u ndal nga një mbrojtës kundërshtar.

1-1 në një sfidë mes dy rivalësh të drejtpërdrejtë me Teutën e Partizanin që do të vazhdojnë ndjekjen ndaj Vllaznisë duke filluar që nga duelet e javës së ardhshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje