Tirana gjen pasuesin e Nevil Dedes pa u mbushur 24 orë, nesër pritet zyrtarizimi

26 Janar 2021, 20:23Sport TEMA

Kur ka kaluar pak më tepër se 24 orë nga largimi i çuditshëm i Nevil Dedes nga pankina e Tiranës, klubi bardheblu duket se ka vendosur për pasardhësin e tij, që do të jetë ish- portieri Orges Shehi.

Burime për Supersport konfirmojnë se mes palëve është arritur marrëveshje mbi të gjithë detajet dhe se gjatë ditës së nesërme pritet të bëhet edhe prezantimi zyrtar i 43-vjeçarit durrsak.

Shehi ka një karrierë për t’u admiruar në mbrojtje të katërkëndëshit të portës, pasi ka veshur fanellën e skuadrave si Teuta, Vllaznia, Partizani, Besa, Skënderbeu, por edhe të Kombëtares shqiptare

Sa i përket karrierës si trajner, Shehi debutoi në pankinën e Skënderbeut në 2018-2019, ndërsa vitin e kaluar drejtoi për disa muaj edhe klubin e Kukësit, me të cilin arriti të shkonte në vendin e dytë dhe në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Marrëdhëniet e Orges Shehit me drejtorin Sportiv të Tiranës, Tefik Osmani mund të kenë ndikuar në këtë zgjedhje, duke qenë se të dy kanë luajtur në Skënderbeun e viteve të arta, duke garuar edhe në grupet e Europa Leagues.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje