Kur numri i të prekurve me COVID-19 globalisht ka arritur në shifrën njëqind milionë, kompania franceze farmaceutike Sanofi vendos të ndërhyjë pas krizës së shkaktuar në BE për mungesë të vaksinave.
Ajo pritet të paketojë më shumë se njëqind milionë doza të vaksinës Pfizer/Bioentech.
Një vendim i tillë vjen pas vonesave në shpërndarje nga kompanitë Pfizer dhe AstraZeneca.
Dërgesat e Sanofi do të shpërndahen nga pika në Frankfurt në muajit e verës.
Ndërkohë shtetet evropiane kërkojnë më shumë sqarime nëse procesi i furnizimit me vaksina do të përmirësohet.
Guvernatori i Bavarisë gjithashtu kritikon progresin e ngadaltë të inokulimit në Gjermani.
“E vërteta është kjo, vaksinimi po bëhet një problem i madh, problem sepse vaksina thjesht po mungon. Po ecën më ngadalë sesa duhej e po ashtu po ndikon edhe psikologjikisht”, u shpreh Markus Soeder.
Bashkimi Evropian vijon të kërkojë transparencë nga kompanitë farmaceutike që prodhojnë vaksina.
Madje i ka paralajmëruar se do të bllokojë eksportet brenda në bllok.
“Më lejoni të ritheksoj fjalën që është kaq e rëndësishme, transparencë. Nuk ka të bëjë me bllokimin, ka të bëjë me faktin që të dimë se çfarë kompanitë eksportojnë apo do të eksportojnë në tregjet jashtë unionit”, tha Eric Mamer.
Situata nga pandemia vijon të jetë shqetësuese në Britani, ku janë regjistruar 100 mijë viktima nga COVID-19.
Edhe këtu Sekretari i Shëndetësisë mirëpret transparencën e kërkuar për shpërndarjen e vaksinave.
“Unë do të nxisja të gjithë partnerët ndërkombëtarë, të jenë bashkëpunues dhe të punojnë ngushtë së bashku. Dhe unë mendoj se, në mesin e një pandemie proteksionizmi nuk është qasja e duhur”, u shpreh Matt Hancock.
Ndërkohë, një ilaç antiviral që përdoret zakonisht për të trajtuar kancerin e gjakut është zbuluar të jetë njëqind herë më efektiv në ndalimin e përhapjes së virusit sesa remsdesivir.
Prodhuar në Spanjë, testet fillestare të këtij ilaçi janë bërë në minj dhe ndalojnë që virusi të aplikohet në trup në të gjitha variantet.