Plotësohen dy vakanca në Këshillin e Lartë të Prokurorisë

28 Janar 2021, 19:26Kronika TEMA

Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve zgjodhi fitues për dy vakancat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ish-drejtuesen e prokurorisë së Beratit, Eloida Goxhi dhe prokurorin e Apelit Durrës, Moisi Duda.

Nga Edmond Hoxhaj

Mbledhja e pergjithshme e prokurorëve e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela më 22 janar, u zhvillu të enjten dhe arriti të plotësojë dy vakancat e kandidatëve nga radhët e prokurorëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP – të cilat qëndruan bosh për rreth një vit.

Që prej shkarkimit të ish-anëtarëve prokurorë të KLP, Besnik Cani dhe Arben Dollapaj, përkatësisht në datat 27 shkurt dhe 12 mars 2020, Këshilli ka funksionuar me 9 anëtarë, nga të cilët 4 prokurorë dhe 5 nga juristët e sipikatur.

Për vakancën e anëtarit nga prokuroritë e shkallëve të para kandiduan katër prokurorë, Elona Alvora dhe Albert Kuliçi nga prokuroria e Vlorës, Eloida Goxhi nga prokuroria e Beratit dhe Zeqir Hoda nga prokuroria e Tiranës. Për anëtarin nga prokuroritë e apelit pati vetëm një kandidat, prokurori i Apelit Durrës, Moisi Duda.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi më parë se të pesë kandidatët i plotësonin kushtet ligjore për të qenë anëtarë të KLP, konkretisht kanë ekspereincë 10-vjeçare; nuk kanë qenë drejtues në momentin e kandidimit; nuk kanë masa disiplinore dhe në dy vlerësimet e fundit profesionale dhe të etikës janë vlerësuar shumë mirë; nuk janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk rezultojnë bashkëpunëtorë të ish-sigurimit të shtetit para vitit 1991 apo të shërbimeve sekrete.

Për katër kandidatët nga prokuroritë e shkallëve të para votuan gjithsej 257 prokurorë, nga rezultuan 8 fletë votimi të pavlefshme. Prokurorja e Beratit, Eloida Goxhi siguroi 104 vota, Zeqir Hoda 91 vota, Albert Kuliçi 45 vota dhe Elona Alvora 9 vota.

Prokurori i Apelit Durrës, Moisi Duda si kandidat i vetëm nga prokuroritë e apelit siguroi 238 vota, ndërsa 19 të tjera rezultuan të pavlefshme.

Dy kandidatët e zgjedhur si anëtarë të rinj të KLP-së, Eloida Goxhi dhe Moisi Duda e kanë kaluar vetingun me formë të prerë, pasi Komisioneri Publik i konsideroi të drejta vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e tyre në detyrë.

KPK konfirmoi në detyrë prokuroren Eloida Goxhi më 20 dhjetor 2018, e cila deri pak kohësh mbante pozicionin e drejtueses së prokurorisë së Beratit. Ndërkohë, Komisioni vendosi të dërgojë për Inspektim në ILD një nga dosjet e hetuara prej Goxhit, për të cilën ajo ishte denoncuar nga një qytetar për zvarritje të hetimit.

Prokurori i Apelit Durrës u konfirmua në detyrë më 16 shtator 2020. Vendimi erdhi pas një hetimi administrativ të gjatë dhe katër seancave dëgjimore. Duda është i vetmi nga magjistratët ndaj të cilit janë zhvilluar disa seanca dëgjimore radhazi, pa pasur kërkesa proceduriale për shtyrje apo përjashtim trupe nga ana e tij.

Në seancën e parë KPK njoftoi përfundimin e hetimit vetëm për kriterin e pasurisë dhe u evidentuan disa probleme, por në seancën kur do të njoftohej vendimi, Komisioni bëri me dije rihapjen e hetimeve. Përfundimisht, Duda u konfirmua në detyrë.

1 komente në “Plotësohen dy vakanca në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”

  1. Kalec Dega says:

    vakanca? lol
    =
    Veting?! lol
    =
    SPAK?
    RAMMETBERISHA, LOL!

    Kruciale?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje