Rregullatorët belgë kanë nisur një hetim në vendin e prodhimit të vaksinave antiCovid-19 të kompanisë AstraZeneca, pranë Brukselit, me kërkesë të Komisionit Europian, në një përshkallëzim të ri të mosmarrëveshjeve për mungesat e vaksinave brenda BE-së, shkruan sot ”The Guardian”.
”Një vizitë nga zyrtarë belgë të ilaçeve u krye në Seneffe, Hainaut”, tha Ministria belge e Shëndetësisë. Mostra dhe të dhëna u morën nga uzina dhe një inspektim i mëtejshëm i objektit pritet në ditët në vijim.
Hetimi u kërkua nga dega ekzekutive e BE për shkak të dyshimeve mbi shpjegimin e AstraZeneca për një mungesë të pritshme të dërgesave të vaksinave në BE.
Kompania anglo-suedeze ka thënë se do të jetë në gjendje t’u japë shteteve anëtare të BE vetëm rreth 25% të dozave prej 100 milion që priten në fund të marsit, për shkak të një problemi prodhimi në filialin belg në pronësi të ndërmarrjes franceze ”Novasep”.
Komisioni Europian ka vënë në dyshim shpjegimin e kompanisë për mungesën e pritshme të dërgesave në Bashkimin Europian dhe dëshiron të dijë nëse dozat e prodhuara në territorin e BE janë devijuar në Britaninë e Madhe javëve të fundit.
Sfondi i hetimit është këmbëngulja e AstraZeneca se ajo nuk do të kompensojë mungesën e dërgesave në BE duke devijuar dozat e vaksinave.
Shefi ekzekutiv i AstraZeneca, Pascal Soriot, kishte thënë se ai ishte i detyruar me kontratë për të përmbushur urdhrin e qeverisë së BM për 100 milion doza së pari nga vendet e prodhimit me bazë në Britani.
Të mërkurën, komisionerja e Shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides, hodhi poshtë argumentin e kompanisë, duke këmbëngulur që miliona doza të bëra në BM duhej të transportoheshin tani në BE.
Ndërkohë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se kishte frikë se një problem i tillë do të vononte për 10 javë dërgimin e vaksinës.
”Të paktën edhe 10 javë të tjera të mungesave me vaksina. Bërja e vaksinave është shumë komplekse dhe mund të ketë nevojë për ndërtimin e punës për të rritur kapacitetin që çon në vonesa”, theksoi Spahn në radion NDR.
“Kjo duhet të ndikojë te të gjithë në të njëjtën mënyrë dhe jo vetëm në BE”, deklaroi Spahn.
BE ka investuar 336 milionë euro te AstraZeneca në këmbim të 400 milionë dozave të vaksinës së saj.
Kyriakides tha se AstraZeneca kishte një detyrë morale dhe kontraktuale për të trajtuar BE-në në mënyrë të ngjashme me Britaninë e Madhe.
”Ne jemi në një pandemi. Ne humbasim njerëz çdo ditë. Këto nuk janë numra, nuk janë statistika. Këta janë persona me familje me miq dhe kolegë që preken gjithashtu. Kompanitë farmaceutike, krijuesit e vaksinave kanë përgjegjësi morale, shoqërore dhe kontraktuale, të cilave u duhet t’u përmbahen. Pikëpamja se kompania nuk është e detyruar të japë sepse ka nënshkruar një marrëveshje më të mirë nuk është as e saktë dhe as e pranueshme”, theksoi ajo.