Hapet qendra e re shëndetësore në Lagjen 13, Veliaj: Ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, edhe në periferi

30 Janar 2021, 12:57Sociale TEMA

Banorët e Selitës, Kodrës së Diellit dhe Liqenit të Thatë, nuk kanë më nevojë të shkojnë në Njësinë 5 për të kryer vizitat shëndetësore. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe deputetja e PS, Mimi Kodheli përuruan sot qendrën e re shëndetësore, e cila u shërben 12 mijë banorëve te Lagjes 13.

Kryebashkiaku Veliaj tha se hapja e kësaj qendre shëndetësore, ashtu siç pritet të hapen së shpejti edhe 2 qendra të tjera në Astir dhe Lanabregas, është një lajm i mirë për komunitetet e këtyre zonave, për faktin se do të ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

“Ky është një lajm i mirë për një lagje që është rritur jashtëzakonisht shumë. Tani po vijnë shërbimet, jo vetëm për zonën e Liqenit të Thatë, Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik, por edhe për gjithë pjesën buzë autostradës, që ndan Njësinë 5 me Lagjen 13. Ky lajm i mirë do të vijë edhe për Astirin dhe Freskun. Në Qesarakë po funksionon shumë mire dhe më në fund, edhe në Lanabregas ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi”, u shpreh Veliaj.

Kjo qendër shëndetësore do të ofrojë paketën e plotë të shërbimeve në kujdes parësor, duke filluar nga mjeku i familjes, vaksinimi dhe imunizimi, sipas kalendarit kombëtar për fëmijët, që përfshin 12 vaksina, recetat me rimbursim për të sëmurët kronikë dhe ndjekjen e pacientëve me Covid 19.

“Shërbimet që ofrohen fillojnë nga konsultat tek mbështetja për të sëmurët kronikë, gjithë elementët që janë pjesë e paketës së rumbursimit falas, duke përfshirë edhe trajtimin anti-covid”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ajo shtoi se nga e hëna do të hapen dhe 4 pika të tjera testimi anti-covid, duke e çuar ne 10 numrin e tyre në kryeqytet.

Në Bashkinë e Tiranës, në këto 3 vite, janë transformuar 34 qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke ofruar shërbim cilësor për qytetarët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje