Një intervistë me Simone Pieranni
Nga Ten Hsiao Pini e këtej, Kina ka përjetuar një dinamizëm të theksuar ekonomik e teknologjik që ka transformuar dhe po e transformon vendin në mënyrë rrënjësore e të thellë. Por cilat janë tiparet dhe kritikat ndaj këtyre transformimeve? Kemi vendosur që thellohemi në këto tema me Simone Pieranni, gazetar e eseist që ka jetuar e punuar për një kohë të gjatë në Kinë. Në Pekin ka themeluar agjencinë e shtypit China Files dhe sot punon në Romë me të përditshmen «Il Manifesto». Midis botimeve të tij kujtojmë: Kina globale (manifestolibri 2017), Red Mirror. E ardhmja jonë shkruhet në Kinë (Laterza 2020).
Gjatë rreth një gjenerate, më parë e konsideruar “fabrika e botës”, Kina duket se është bërë një vend high-tech, ku mjafton një aplikacion, si WeChat, për të bërë një pafundësi operacionesh të përditshme. Mendoni se një imazh i kësaj natyre, anipse i stilizuar, realisht godet në shenjë? Apo maskon kontradikta dhe polarizime më të thella me një Kinë të ndarë në dysh: nga njëra anë fshatra jo krejtësisht të modernizuara dhe një popullsi që bën punë krahu simbol i “Kinë – fabrikës” dhe nga ana tjetër metropolet e mëdha ku eksperimentohen teknologji dhe forma bashkëjetese futuriste, simbol i “Kinës – high-tech”? A ekziston akoma kjo fytyrë e dyfishtë apo jo?
Ky element ekziston gjithnjë e më pak. Parasëgjithash sepse nga 2011 Kina është një vend me shumicën e popullsisë urbane. Procesi i urbanizimit ka filluar nja 20 vite më parë, që fillimisht ka përfshirë metropolet e mëdha, pastaj qytetet e dorës së dytë dhe më pas ato të dorës së tretë, duke përfunduar për të urbanizuar pjesën më të madhe e banorëve të atyre që dikur qenë fshatra. Natyrisht që mbesin shumë vende e rajoje ku ky proces nuk ka qenë i shpejtë si në zona të tjera të vendit, sidomos në pjesën qendrore e veriperëndimore. Pikërisht pët këtë qeveria ka ndërmarrë shumë herë fushata – si ajo e mbiquajtur “Go West” – për t’i shtyrë binzeset kineze e të huaja që të investojnë në zona më pak të zhvilluara, duke nisur edhe në to procese të rinj urbanizimi.
Në radhë të dytë, revolucioni dixhital për të cilin po flasim ka përfshirë në një pjesë të madhe e dhe fshatrat. Për shembull, përdorimi i smartfonëve dhe i WeChat është përhapur shumë edhe në zonat rurale. Bile është në zonat më të thella e më periferike që janë zhvilluar projekte të rëndësishme e-commerce dhe përdorimi të teknologjive të reja. Ka një video që ka qarkulluar shumë, ku shfaqet një dron që i rekomandon një zonjë të hutuar në një zonë pak të banuar që të vendosë maskën. Pamje si këto evidentojnë mirë sesi teknologjia i mundëson qeverisë një prani kapilare edhe në zona shumë periferike.
Sigurisht, ekziston akoma një diferencë e konsiderueshme midis zonave të vendit, e nënvizuar nga Kryeministri Li Keqiang në sesionin e fundit e Asamblesë Kombëtare të Popullit. Sipas Xi Jinping, varfëria ishte zhdukur ose ishte në pragun e zhdukjes në Kinë. Kurse Li Keqiang ka kujtuar se ekzistojnë xhepa të konsiderueshme varfërie, jo vetëm në zonat me shumicë rurale, por edhe në ato metropolitane. Nëse më parë të varfërit përfaqësoheshin kryesisht nga të ashtuquajturit punëtorë emigrantë (“popullsi fluktuante”) dhe në vijim nga të ashtuqajturit “miza” (punëtorë urbanë që jetonin si sardele në apartamente shumë të vogla), tani është radha e “etiketuesve” – të ngarkuar me detyra të përsëritura dhe me specializim të ulët funksional me kuptimin e inteligjencës artificiale – që jetojnë në zona të degraduara e të rrënuara.
Duke vërejtur zhvillimin e teknologjisë, të inteligjencës artificiale, të aplikacioneve dhe, së fundi, edhe të bioteknologjike mund të pohohet pa frikë se Kina përbën një paradigmë integrimi të teknologjisë në shoqëri. Por, konkretisht, si përjetohet ky proces nga popullsia?
Ka një rrezik të dyfishtë kur diskutohet kjo temë. Nga njëra anë rreziku është ai i theksimit të tepruar të eksepsionalizmit kinez, duke e paraqitur Kinën si një shoqëri e krijuar gjithmonë mbi kontrollin. Qartazi që ka elementë vërtetësie në këtë. Qysh në epokën perandorake ekzistonin sisteme krijimi të qyteteve sipas një modeli që ne na kujton atë të Panoptikonit. Duhet shtuar se kontrollit nga ana e autoritetit i shtohet kontrolli reciprok nga ana e qytetarëve. Gjithsesi, bëhet fjalë për modele që jo vetëm i kanë mbijetuar fundit të epokës maoiste, por që ekzistojnë akoma sot, të forcuar nga progresi teknologjikqë mundëson një kontroll gjithnjë e më të sofistikuar. Por njëkohësisht duhet çliruar nga paragjykimi perëndimor sipas të cilit kinezëve nuk do t’u interesonte privatësia. Yuk Hui, Docent në Universitetin e Vejmarit, thekson se kultura perëndimore e ka ndarë teknikën ngë veprimi social, sikur teknika të mos ishte e lidhur me shkencat humane. Në fak, sipas Hui, në Kinë ekziston një lloj kozmologjie që duhet menduar bashkarisht me teknikën, një lloj kozmo – teknike kineze që e ka konceptuar gjithmonë teknikën si një aspekt i veprimit njerëzor. Në këtë kuptim, mund të themi se këto elementë kulturorë bëjnë që ndjehet më pak elementi “ndërhyrës” i teknikës karshi jetës së njerëzve.
Ekzistojnë fille mendimi sipas të cilave është konfucianizmi ai që është përgjegjës për këtë lloj “vrime të zezë” ku Kina ka rënë gjatë fazës së fundit të Dinastisë Qing (1644 – 1912), duke e humbur takimin historik me Revolucionin Industrial. Në fakt, konfucianizmi paraqitej si një digë ndaj influencave të huaja. Gjatë përvojës republikane dhe nacionaliste Kina ka tentuar ta mbushë këtë hendek duhe u hapur ndaj Perëndimit, duke e konseptuar modernizimin si një etapë të nevojshme për zhvillimin e vendit.
Duke u kthyer tek e tashmja, sot kinezët duket se e pranojnë sistemin e kontrollit të cilit i janë nënshtruar dhe i janë pjesë aktive. Siç e thashë më parë – dhe siç e shkruar në librin Red Mirror – nuk ekziston vetëm një autoritet që kontrollon, por ekziston një kontroll që faktikisht zbatohet nga vetë të kontrolluarit. Gadishmëria ndaj kësaj gjendjeje të gjërave lind mbi bazën e konceptit të sigurisë, nga momenti që kinezët ndjehen më shumë të sigurtë duke e pranuar një ndërhyrje më të madhe të teknikave të kontrollit. Natyrisht nuk mund të përgjithësohet kurrë kur flitet për një popullsi kaq të gjerë. Në fakt janë zhvilluar shumë debate lidhur me etikën e inteligjencës artificiale, mbi privatësinë. Veç të tjerash, duhet nënvizuar se Kina ka një legjislacion në fushën e mbrojtjes së të dhënave personave shumë të fortë për sa i përket përdorimit nga ana e kompanive, më i ngjashëm me legjislacionin europian sesa atë amerikan. Por përdorimi që qeveria mund t’u bëjë këtyre të dhënave nuk është i rregulluar. Është ky aspekti i vërtetë i eksepsionalizmit kinez.
Me ligjin për sigurinë kontrolli i qeverisë qendrore ndaj Hong Kongut është rritur ndjeshëm. Në çfarë mase teknologji si telekoamerat e njhjes faciale mund të përdoren për të përcaktuar dhe mbrojtur paqen sociale në një prej vatrave të krizës më të vështira të menaxhueshme të të gjithë Kinës?
Në një artikull për Sinosfere e e kam quajtur revoltën e Hong Kongut si revoltën e parë kundër kapitalizmit të survejimit, pasi manifestuesit në shumë raste kishin zgjedhur si objektiv të tyrin videokamerat e njohjes iale, të mos përdornin celularin që të mos lokalizoheshin, të paguanin në kesh. Në të gjejmë elementë të asaj që shkrimtari James Ballard e quan “shoqëri pasteknologjike”, që shikon një lloj rikthimi në instrumenta dhe metoda jo të gjurmueshme. Është e qartë se sistemi i survejimit, në momentin ku Hong Kongu humbet specificitetin e tij, do të tentojë të bëhet edhe më ndërhyrës në funksion të kontrollit që partia do të ushtrojë në aspektin parandalues, duke bërë ndalime dhe arrestime me karakter fuqimisht diskrecional.
Në debatin perëndimor vëmendja është përqëndruar fort pas Huawei, që mund të shikohet si një prej majave të diamantit të zhvillimit teknologjik kinez. Vetëm disa muaj më parë kompania kineze ka kaluar Samsung në shitjet e smartphone, duke u bërë kështu kompania e parë në nivel botëror për shitjet. Siç e keni përshkruar shumë mirë ju në librin tuaj, bashkë me Tencent, kjo kompani përfaqëson Kinën e re. Si do ta përkufizonit modelin e zhvillimit që po adopton Republika Popullore? Çfarë raporti ekziston midis klasës drejtuese politike dhe elitës industriale kineze?
Modeli i zhvillimit kinez ka përjetuar një evolucion të rëndësishëm nga periudha maoiste e deri më sot, sidomos për sa i përket aspektit shkencor dhe teknologjik. Duke e kuptuar hendekun që ekzistonte midis Kinës dhe Perëndimit, me Maon u tentua një rrugë e veçantë, me bindjen se progresi teknologjik do të kishte një efekt të fortë mbi prodhimin industrial, gjë që nuk ndodhi, duke qenë se nuk bëhej fjalë për një mekanizëm të automatizuar. Revolucion i Kulturor i bllokoi përkohësisht tentativat e avancimit teknologjik, pasi u mbyllën universitete, shkolla dhe ekspertët qenë fuqimisht të stigmatizuar. Me reformat e ndërmarra nga qeveria e Ten Hsiao Pinit, Kina ju hap Perëndimit dhe rimendoi modelin e saj të zhvillimit në raport me shkencën dhe me teknologjinë. Flasim gjithmonë për një model me drejtim shtetëror, por Ten Hsiao Pini dhe drejtuesit e epokës u përqëndruan mbi disa faktorë: shtynë shumë studentë kinezë që të shkonin të studionin në universitete japoneze e amerikane, promovuan të ashtuquajturat joint venture – marrëveshje që krijuan kompani të përziera kineze e të huaja – me objektivin e thithjes së know-how të kompanive teknologjike perëndimore. Edhe kjo manovër nuk ia doli plotësisht. Për këtë u kalua më pas në investimet e drejtpërdrejta nga jashtë dhe në blerjet.
Njëkohësisht, tamam në momentin ku Ten Hsiao Pini ia hapte vendin botës së jashtme, vazhdonte të “mbyllej” brenda. Faktikisht, sa në periudhën e Tenit, aq edhe në atë Zhiang Zeminit, ndodhën shumë liberalizime, në realitet lëmi i kërkimit shkencor e teknologjik mbeti gjithmonë nën kontrollin shtetëror. Në “dekadën e teknokratëve” – vitet e parë të ‘2000 – u asistua në një shtytje të mëtejshme drejt kërkimit shkencor e teknologjik, akoma më shumë e ndihmuar nga shteti, që sidomos falë censurës (Great Firewall) dhe mbylljes së tregut të brendshëm ndaj kompanive të huaja (Facebook dhe WhatsApp), u ka mundësuar kompanive kineze që të punonin në një regjim të lehtësuar nga fakti që nuk kishte konkurrentë të mëdhenj. Kështu që zhvillimi kinez u drejtua nga shteti si për kompanitë pastërtisht publike, ashtu edhe për sa u përket atyre private, që ia detyrojnë shtetit kinez forcën aktuale të tyre.
Në fakt, Pekini u mundësoi këtyre kompanive që të forcoheshin, për të qenë më pas në gjendje të projektoheshin në skenën globale dhe të pshtonin tregjet e huaja. Nuk është e thënë që tregjet janë gjithmonë të pushtueshme, siç e demonstron rasti i WeChat në Perëndim, por kjo lidhje midis shtetit dhe kompanive private vazhdon që të ekzistojë dhe është një element force i kompanive kineze. Huawei është një kompani private, por lidhje shtetërore shumë të fortë dhe ia detyron shumë shtetit kinez politikën e jashtme të ekspansionit tregtar të tij në Amerikë Latine dhe Afrikë, që kanë përfaqësuar bangoprova të rëndësishme për kompaninë. Pikërisht tani, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Trump dhe të problemeve që po përjeton edhe në Europë, Huawei po drejtohet sërisht drejt Afrikës, me mundësi të reja eksperimentimi dhe blerjeje të pjesëve të mëtejshme të tregut. Një shembull tjetër i dobishëm për të ilustruar konceptin për të cilin po flasim është ZTE Corporation, e ngjashme me Huawei, por me pronësi shtetërore. Në momentin ku Shtetet e Bashkuara të Trump kanë bllokuar furnizimet me pajisje të nevojshme për ZTE që të prodhojë sistemet e saj të telekomunikimit, Kina e ka “braktisur” ZTE pasi do të ishte shumë më e komplikuar të mbrohej në nivel ndërkombëtar një kompani shtetërore, sesa – kështu mendonin atëhere – do ishte mbrojtja e një kompanie private si Huawei. Kjo e ilustron mirë mënyrën me të cilën operon Kina, sistemi i së cilës bazohet mbi koncepte si “socializëm tregu” dhe “një vend, dy sisteme”, shpikje të pastra politike. Edhe nga këndvështrimi i politikës ndërkombëtare, Kina mund të na rezervojë ndonjë surprizë, i të cilit kanë qenë sinjal bllokimet e Trump ndaj WeChat dhe TikTok. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë nisur të bëjnë tani atë që Kina bën thuajse përgjithmonë.
Siç e keni nënvizuar në librin tuaj, zhvillimi i Kinës pjesërisht është i mbështetur edhe nga puna e qindra mijëra punëtorëve të fabrikave të asemblimit, por edhe nga “etiketuesit”, që shfrytëzohen me kushte pune të mjeta për zhvillimin e AI. Vullneti i qeverisë për të ndërtuar në të ardhmen e afërt një “shoqëri pakashumë të begatë” do të kalojë nëpërmjet një përmirësimi të kushteve të këtyre punëtorëve apo pikërisht për të garantuar progresin e arritur krahu i punës duhet të vazhdojë të ketë një nivel të ulët rrogash dhe një orari pune cfilitës?
I gjithë procesi ekonomik që e ka bërë Kinën fuqinë e dytë botërore dhe sulmuar primatin ekonomik amerikan është i bazuar thuajse ekskluzivisht mbi shfrytëzimin e krahut të punës. “Fabrika e botës” lind pikërisht mbi shpatullat e punëtorëve migrantë, të transferuar nga fshatrat në zonat bregdetare e juglindjes kineze për të punuar. Qenë kohëra të ndryshme: mjaftonin rroga të ulëta për të mbajtur mirë një pjesë të popullsisë që kishte vuajtur nga uria në dekadat e mëparshme. Sot skenari është shumë ndryshe, shfrytëzimi që bëhet ndaj këtyre punëtorëve është identik me atë që ndodh me kategori të tjera punëtorësh me kohë të përcaktuar që shohim në qytetet tona. Lidhur me këtë besoj se nuk jemi përballë një problemi kinez, por një problemi të kapitalizmit global, brenda të cilit është futur Kina. Është e qartë se ky lloj shfrytëzimi, megjithëse duke qenë i futur në një zinxhir prodhimi ku vlera e shkëmbimit është më e lartë, gjithsesi bazohet mbi një punë cfilitëse.
Për këtë janë dy konsiderata që duhet bërë, e para e lidhur pikërisht me subjektivizmin politik e një pjese të punëtorëve të “fabrikës së botës”, që është dalluar gjithmonë për luftërat dhe protestat e shumta që nisin e shfaqen edhe në sektorët teknologjikisht më të avancuara. Në libër tregoj pikërisht për protestat e softueristëve, që punojnë 12 orë në ditë 6 ditë në javë. Konsiderata e dytë ka të bëjë me kontekstin kinez, ku stabiliteti politik garantohet nga rritja ekonomike dhe, për pasojë, nga mirëqenia e popullsisë. Problemi për këtë shtresë sociale është se në këtë moment Partia Komuniste shumë më tepër nga mirëqenia e klasës së mesme dhe jo nga shtresat më të varfëra. Kështu që brenda një periudhe të shkurtër të mos asistojmë në përmirësime. Kështu që loja duhet të luhet në masë të madhe nga ana e punëtorëve: duhet të ekzistojë nevoja për t’u bashkuar në luftëra të përbashkëta, duke mbajtur parasysh se në Kinë nuk ekziston mundësia e krijimit të situatave të pavarura. Kështu që nuk është aspak një detyrë e lehtë. Në rast se do të përmirësoheshin kushtet, kjo do të ndodhte sidomos sepse këta punëtorë do ta gjenin mënyrën për t’u dëgjuar nga drejtuesit kinezë.
TikTok, Huawei, misioni parë i anijes hapësinore “Tianwen-1” në Mars, kompletimi i konstelacionit të satelitëve “Beidou”: janë të gjithë sinjale të një force teknologjike të shoqërisë kineze që mund të sfidojë predominimin perëndimor. Por ekziston një minorancë e vogël brenda Partisë Komuniste Kineze që është kritike ndaj punës së Xi Jinping. A mund të përbëjë një problem të konsiderueshëm në planet e ardhshme të Kinë pasi është fuqi botërore? Ka pasur fërkime midis shoqërisë civile dhe qeverisë qendrore në vijim të ecurisë teknologjike të vendit?
Të flasësh për opozitë të brendshme ndaj Xi Jinping është shumë e komplikuar, pasi të dish atë që ndodh vërtetë brenda Partisë Komuniste është shumë e vështirë dhe ka mundësi që kuadri i plotë i situatës është i njohur vetëm ppër Xi Jinping, Li Keqiang dhe pak të tjerë (ndoshta as për të 7 anëtarët e Komisionit të Përhershëm të Byrosë Politike). Në diskutimin e mbajtur gjatë Asamblesë Kombëtare, Li Keqiang ka paraqitur një panoramë të situatës kineze më pak të lulëzuar se ajo e paraqitur nga Xi Jinping. Përveç kryeministrit Li Keqiang, që përbën një lloj imazhi të Hu Jintao, të gjithë anëtarët e Lihdjes së Rinisë Komuniste janë përjashtuar nga rolet kyç të pushtetit. Anëtarët e kësaj Lidhjeje kanë interes të madh ndaj riekuilibrimit të situatës ekonomike kineze sidomos për shtresat më të vogla, aq sa Li Keqiang, gjatë një diskutimi të tij, ka sjellë në vëmendje çështjen e ekonomisë së tregjeve të hapura. Bëhet fjalë për shitës ambulantë që në realitet përbëjnë një bërthamë kohezive të atyre që ne i quajmë biznese të vogla. Këto kompani të vogla janë “asgjësuar” nga Xi Jinping, i cili ka dashur t’i transformojë metropolet më të mëdha kineze në qytete vitrinë, në konfirmim të asaj që lidhur me një seri temash, si dekori urban, në këtë moment ndeshen shumë afërsi midis botës perëndimore dhe asaj kineze.
Për sa u përket fërkimeve në kuptimin e vërtetë të fjalës, është e vështirë ta thuash. Nga ana tjetër, kush mund ta përmbyste Xi Jinping? Një grusht shteti eventual mund të realizohet vetëm nga njerëz që zënë pozicione kyçe në nyjet jetike të Partisë Komuniste dhe, për pasojë, edhe të shtetit kinez. Por të gjithë këto pozicione zihen nga shumë besnikë të Xi Jinping. Lidershipi mund të ketë probleme vetëm në rast të një krize ekonomike që në këtë moment nuk ekziston apo aq më pak nuk del nga kuadri ekonomik i përgjithshëm kinez. Përkundrazi, pas Covid-19, ekonomia duket se është rinisut shumë më mirë pas një periudhe të lëkundur siç ka qenë për të gjitha shtetet e botës.
Kurse për sa i përket asaj që ne e quajmë shoqëri civile, por që në Kinë është shumë e komplikuar ta përkufizosh, sipas mendimit tim qasja teknologjike nuk përbën ndonjë element potencial prishjeje të paktit social midis popullsisë dhe qeverisë, që u mundëson qytetarëve të pasurohen në këmbim të ruajtjes së statuskuosë politike. Ky pakt, nga fundi i viteve ’80 pas protestave studentore, është ende efektiv. Sigurisht, Xi Jinping do ta ketë nevojë ta rinovojë, pasi klasa e mesme kineze – ajo që faktikisht mbështet lidershipin kinez – nëse nuk do të rritet, do të fillojë të kërkojë disa të drejta, që sigurisht në këtë moment i janë mohuar, por aq as nuk janë kërkuar.
Le të trajtojmë situatën e Covid-19. Kina po del triumfuese nga sfida e virusit, si për sa i përket frontit siguri/monitorim të popullsisë, ashtu edhe prej faktit që qeveria ka përshpejtuar zhvillimin e këtyre instrumentave brenda Kinës?
Në Kinë Covid-19 është mbajtur nën kontroll sipas dy linjave. E para ka qenë ako e mobilizimit masiv, i ndodhur pas një momenti fillestar “défaillance” të shkaktuar nga vonesa komunikuese midis qeverisë vendore dhe qeverisë qendrore. Sipas mendimit tim, këto vonesa janë të lidhura me një problematikë historike në Kinë. Në zonat jo qendrore shpesh krijohen gropa pushteti në kuptimin e vërtetë të fjalës, që jo gjithmonë ndjekin udhëzimet ee qendrës dhe, në disa raste – si Wuhan – kanë vështirësi në komunikimin e lajmeve të këqija Pekinit. Faktikisht, duhet pasur gjithmonë parasysh se çdo provincë kineze ka përmasat e një shteti në kuptimin e vërtetë të fjalës, më PBB e saj, me një nivel të rritjes dhe objektiva zhvillimi të sajat për të arritur. Por investimet vijnë në pjesën më të madhe nga shteti qendror, duke krijuar kështu një sistem konkurrence midis vetë provincave. Kështu, siç kishte ndodhur në epokën e Hopit të Madh – kur të gjithë funksionarët vendorë raportonin në Pekin nivele të larta prodhimi, ndërkohë që më pas ka dalë se gjërat ishin ndryshe – në Wuhan, sipas mendimit tim, ka ndodhur e njëjta gjë me shpërthimin e Covid-19. Por pas kësaj faze të parë popullsia është mobilizuar falë një kompleksi sistemi vlerash që shkojnë nga konfucianizmi tek trashëgimia maoiste. Në Kinë, kur popullsia aktivizohet, nuk del problemi i shqyrtimit të detajeve. Në momentin ku indikacioni është ai i qëndrimit në shtëpi për të mirën kolektive, të gjithë mobilizohen që të mos e pengojnë këtë përpjekje.
Progresi teknologjik natyrisht që ka ndihmuar shumë më përballimin e problemit. Tërësia e teknologjive që Kina përdor për përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj, por edhe për t’i kontrolluar ekzistencën, është bërë shumë i dobishëm në momentin kur ndodh një situatë e caktuar emergjence si ajo që është krijuar nga epidemia e Covid-19. Ka shembuj të shumtë: robotë të përdorur për të çuar ushqime apo për të dizinfektuar zona në të cilat njerëzit do të rrezikonin infektimin, mjete lëvizëse pa vozitës për ta transportuar material mjekësor e ushqim, dronë, rrjete 5G të ngritura me shumë shpejtësi për t’u mundësuar ambulancave që të dërgonin direkt në spitale rezultatet e analizave përpara se të arrihej në to. Asistentët vokalë mundësonin të bëheshin 200 telefonata në 5 minuta për t’u kërkuar informacion njerëzve lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, por edhe për të dhënë menjëherë diagnoza, këshilla apo, në disa raste, edhe urdhëra. Janë përdorur edhe aplikacione të contact tracing, duke u mundësuar njerëzve që të spostoheshin në disa zona të qyteteve në vend se të disa të tjerave. Janë përdorur edhe aparate të vogla spiunimi smart të quajtur Doorbell, prodhim i Xiaomi, që u kanë mundësuar rojeve të compound të ndryshëm që të kontrollonin më me efikasitet nëse njerëzit dilnin apo jo nga banesat e tyre. Kështu që kjo, sipas meje, ka kontribuar në mënyrë shumë mirë në tejkalimin e vështirësive, sidomos fillestare, të Covid-19.
Eksperimentimet në nivel smart city në vend të zgjedhjeve në terma të privatësisë midis qytetarëve dhe shtetit, si edhe vetë roli i luajtur nga kompani të mëdha publike, i imponojnë Perëndimit një reflektim shumë më të thellë lidhur me atë sesi po ravijëzohet e ardhmja fillimisht në Kinë dhe ndoshta më në përgjithësi në Azi. Pavarësisht karakteristikave kulturore dhe politike që na diferencojnë, nga ky këndvështrim, a mund të merret Kina si një shembull nga Europa për ndërtimin e së ardhmes së saj?
Uroj që jo. Sipas mendimit tim, Kina përbën një shembill për mënyrën sesi ka arritur në këtë pikë. Kur përmbyset situata teknologjike në botë? Thelbësisht kur Kina nis të financojë nëpërmjet shtetit kërkimin dhe zhvillimin, pikërisht në momentin ku Shtetet e Bashkuara janë më pak të pranishëm në terma investimesh, vëmendjeje dhe kujdesi të asaj që bëhet brenda qendra universitare dhe kërkimore. Silicon Valley amerikan, nga ku varet imagjinata jonë në terma teknologjikë, lindi mbi bazën e investimeve të mëdha shtetërore. Më pas në Shtetet e Bashkuara shteti në një farë mënyre i është përmbajtur më pak këtij roli, ndërsa në Kinë ky funksion është zgjeruar. Pas 1989, në momentin në të cilin lidhet pakti midis shtetit dhe popullsisë, edhe klasa e shkencëtarëve dhe e intelektualëve bëhet predominuese dhe e rëndësishme ne Kinë, ndërsa më parë qenë të favorizuara të ashtuquajturat klasa prodhuese. Nga ai moment shkencëtarët dhe intelektualët bëhen qendrorë, aq sa midis 2002 dhe 2012 asistojmë në të ashtuquajturën “dekadë të teknokratëve”, ku jeta politike dhe ekonomike e vendit menaxhohej nga shkencëtarë dhe inxhinierë.
Sipas mendimit tim, Republika Popullore nuk mund të jetë model, pasi sistemet e vlerave janë shumë të ndryshme dhe sepse nevojat e popullsisë perëndimore janë shumë të ndryshme nga ato të Kinës. Por rreziku është që në situata vështirësishë të mëdha dhe emergjence, si kjo që po përjetojmë dhe ajo që ka mundësi do të përjetojmë në vitet e ardhshme, të zgjidhen rrugë që imitojnë në Perëndim elementë të modelit kinez, që do të përfundonin për të krijuar “Frankenshtajnë” mjaft të rrezikshëm. Magjepsja ndaj një modeli si ai kinez ekziston, por lind nga një lloj habie, domethënë nga fakti që një shtet autoritar mund të jetë njëherazi një shtet i pasur, ku gjithsesi njerësit jetojnë mirë, përjashto atë minorancë të papërfillshme respektivisht popullsisë totale të vendit që ka dyshime dhe që kritikon punën e qeverisë. Kjo sepse ne, duke kujtuar Luftën e Ftohtë, jemi të mësuar të mendojmë për shtetin autoritar të Bashkimit Sovjetik, por që kishte një prapambetje teknologjike e cila në fakt që një prej shkaqeve të kolapsit të asaj bote. Për shembull, për sa i përket menaxhimit të big data, duhet të gjejmë një rrugë europiane, e cila nuk mund të jetë sovraniste, një mënyrë për t’i menaxhuar me transparencë ato, si një të mirë publike. Përndryshe Europa rrezikon që të bëhet terren përplasjeje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Po e shohim tashmë me rrjetin 5G dhe me aplikacionet, por në të ardhmen do të ketë shumë shembuj të tjerë. Rrezikohet kështu që jo vetëm të bëhet një terren përplasjeje, por të jetë e detyruar të zgjedhë modele që ka mundësi përshtaten pak me shoqëritë tona.
(nga Pandora)
Përgatiti për TemA, ARMIN TIRANA