Vajtimi online: Kur vdekja mbërrin në Facebook

2 Shkurt 2021, 15:34Sociale TEMA

Ela ishte vetëm tre vjeç, kur i ati ndërroi jetë. Në çdo ditëlindje dhe ditëvdekjeje ajo poston të njëjtën fotografi, ku ai ka mbetur i përjetësuar në rini, në profilin e saj të Facebook-ut. Gjithnjë duke e shoqëruar me fjalë të ndjera. Por mesazhi nuk u drejtohet miqve virtualë. I drejtohet babait, sikur ai të qe gjallë dhe po e lexon atë dedikim të së bijës, e cila tani ka moshën e tij, kur u nda nga kjo jetë.

Mesazhi përsëritet e përsëritet çdo vit, disa herë në vit qysh se ajo iu bashkua kohë më parë Fytyrëlibrit të shpikur nga Zuckenberg. Jo vetëm në raste përkujtimore. E bën sa herë e mbërthejnë ndjesi mekankolie apo trishtimi.

Miri është një zotëri që ka humbur bashkëshorten  verën e kaluar, në një aksident automobilistik. Ata udhëtonin të dy dhe vdekja e rrëmbeu të shoqen beftë. Pas periudhës së parë të zisë, ku gjithçka i dukej absurde dhe e papranueshme, ka rinisur të frekuentojë vendet që parapëlqenin të dy. Kafeja e mëngjesit shoqërohet thuajse çdo ditë me një dedikim në Facebook, ku ai i drejtohet bashkëshortes si të ishin duke biseduar vërtet përballë filxhanit të kafesë…

Bea, poston shpesh  fotografi nga mermeri i një varri. Sa herë viziton të shoqin e ndarë nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë – e që nga postimet duket se e bën shpesh – hedh fotografi nga vendi i prehjes dhe i parashtron në mesazhe sesa e vetmuar ndihet pa të.

Dora humbi të atin në ditët e fundit të janarit. Çdo ditë e përshëndet me një këngë a fotografi, shoqëruar me fjalë emocionuese, duke i thënë se tashmë ai është ylli që e udhëheq nga lart.

Drita e ndau lajmërimin për vdekjen e mamasë në Facebook, ku shiriti i zi u shoqërua me një mesazh të ndjerë dhe vetë ajo me gjasë u njoftua po nga rrjetet sociale për humbjen, duke qenë se jetonte larg së ëmës në Greqi. Edhe të afërmit, shumë prej tyre emigrantë, u mjaftuan me ngushëllimet online, në pamundësi për të qenë fizikisht…

Gjithnjë e më shumë rrjetet sociale, e veçanërisht Facebook-u është bërë një platformë, ku vdekja është e pranishme. Nga njoftimet e vdekjeve, te nekrologjitë, komunikimi i drejtpërdrejtë me të vdekurit e deri tek shndërrimi i profileve të atyre që nuk jetojnë më në faqe memorialë, jo vetëm për të vajtuar atë që është ndarë, por edhe për ta kujtuar për ç’ka lënë pas ende në këtë botë.

Ishte ndjesi e çuditshme të shihje profilin e Facebook-ut të një artisti të ndarë nga jeta pak muaj më parë të ishte online. Në pamje të parë një ngjethje si të kishe hasur një krijesë të përtejbotshme, ndonëse e dije se bëhej fjalë për teknologji dhe dikush nga të afërmit mund ta kishte hapur. Pak më vonë, familja shkroi se faqja do të menaxhohet prej tyre në kujtim të të ndjerit. Për miqtë dhe dashamirët, që kanë mundësi të shohin herë pas here punimet e tij në skulpturë, duket sikur të mos jetë larguar nga kjo botë, të paktën virtualisht.

Për t’u ndarë me një mesazh të fundit lamtumire, për t’i përkujtuar në veprën e tyre apo për të biseduar me ata që nuk janë më. Thuajse të gjithë e bëjnë, pa marrë parasysh formimin arsimor, statusin apo shtrirjen gjeografike.

Por a është e pashëndetshme ky ritual i ri, i shfaqur me rritjen e përdorimit të teknologjisë, ku vajtimi merr shpesh formën e një bashkëbisedimi virtual me të ndjerin?

“Nuk ka të bëjë më ndonjë çrregullim, (siç është çrregullimi i zisë) por, duket si një fenomen normal, reagim normal i njerëzve”, thotë psikiatri Pasho Maksuti, për ata që i përdorin sigurisht mjetet teknologjike edhe për funksionin e tyre të parë, siç është informimi.

Por, sipas psikiatrit Maksuti, shpesh është një lloj mekanizmi i pavetëdijshëm i reflektimit të ndjenjës së fajit ndaj atij që nuk jeton më. E vuajnë dhe, përmes fjalëve apo uratave,  lehtësojnë dhimbjen, mendojnë se i bëjnë mirë të ndjerit”, vijon më tej psikiatri për Gazeta “Si”, duke shtuar se ka disa forma dhe qëllime të këtij rituali, tashmë teknologjik, të vajtimit.

“Një pjesë e përdorin si demonstrim formal i dashurisë ndaj të ndjerit, që t’u tregojnë të tjereve se sa janë prekur (në realitet për së gjalli nuk e kanë respektuar). Ka të tillë që besojnë në uratat për parajsë për të ndjerin, ndërsa të tjerë e bëjnë formalisht dhe në mënyrë stereotipike”. Të gjitha këto, sqaron psikiatri Pasho Maksuti, janë reagime që reflektojnë tiparet e personalitetit të personave.

“Sigurisht që ka të tillë që janë besimtarë dhe besojnë në uratat, por shumica duken urata formale e patetike”, është i mendimit ai. Por në fund “të gjitha, në një formë a tjetrën lehtësojnë dhimbjen e zisë tek të afërmit. Sa më shumë flitet për të ndjerin, aq më shumë lehtësohet stresi, pas traumës”, përfundon dr.Maksuti.

Humbja e një njeriu të dashur shkakton traumë. Është një ndjenjë dërrmuese të cenueshmërisë ose humbjes së kontrollit, shpjegon psikologia Redina Sulstarova dhe që bën që njerëzit të përjetojnë reagime të forta emocionale, të cilat ndërhyjnë në aftësitë e tyre për të funksionuar. “Procesi i zisë zhvillohet përmes një faze të parë, të alarmit të përgjithshëm, pasuar nga një reagim tronditjeje, konfuzioni, pastaj nga ndikimi emocional me mënyra të ndryshme nga personi në person”, shpjegon psikologia, duke shpjeguar më tej fazat nëpër të cilat zija.

“…vijon me përballjen. Personi, kupton, shtjellon humbjen në një nivel emocional, më në fund e pranon atë dhe modifikon idenë e vetvetes në funksion të pranimit të realitetit”, shkon më tej pikologia Sulstarova, duke shtuar se edhe përballimi i fazave, përmes mekanizmave mbrojtës, varet nga lloji i zisë. Kjo ndikon jo vetëm në përjetimet, vijon ajo, por mbi të gjitha në funksionimin e individit; zijaa e vonuar, zija kronike, zija e frenuar, zija e pamundur”.

Sipas psikologes Sulstarova, hidhërimi është reagimi fizik, emotiv dhe sjellor ndaj një humbjeje me rëndësi afektive. Vetë fjala latine “luctus” apo “lucere”, do të thotë “të qash”.

Sulstarova shpjegon se është se rëndësishme të gjendesh për tjetrin, “pasi fazat tipike të traumës dhe të zisë siç kanë ndodhur prej vitesh, kanë nevojë për tjetrin për t’u ndier i kuptuar, për të patur nevojë për t’u dëgjuar dhe për t’u këshilluar”.

Sipas psikologes, tendenca e mbylljes në vetvete, pamundësia për t’u shprehur dhe gjetur ngushëllim aktivizon ndjenjat e boshllikut, vetmisë dhe jorealitetit,  të cilat sigurisht që mund të kapërcehen përmes mbështetjes së duhur psikologjike, por edhe përmes komunitetit, i cili duhet të vazhdojë të “grumbullohet” rreth atyre që vuajnë.

Kjo,  përmes mjeteve aktuale siç janë nekrologjitë apo ndarjes së dhimbjes online në mënyrë që rregullimi emocional të lehtësohet përkundër distancës fizike.

“Individët sot nëpërmjet ndarjes së dhimbjes nga rrjetet sociale kanë nevojë të ndihen të shoqëruar nga shkrimet në rrjete sociale, kanë nevojë për dhembshuri duke ndier të nevojshme dhënien e një lamtumire të fundit nëpërmjet ndarjes së dhimbjes”, shprehet psikologia, e cila pranon se kohët e fundit po vihet re një tendencë e shtuar e vajtimit në Facebook apo rrjete të tjera sociale.

“Në kulturën tonë, deri para disa vitesh në momentet kur ne humbnim dikë, personi i cili ishte në dhimbje pasi kishte humbur të dashurin e tij duhej të preokupohej për të njoftuar të afërmit dhe miqtë e të ndjerit, pasi nëse nuk kujdesej për këtë gjë në të ardhmen do të kishte qejfmbetje. Kjo gjë në mendimin tim aspak normale e detyronte individin të fokusohej tek të tjerët dhe jo te humbja në vetvete”, thotë Sulstarova për Gazeta “Si”.

Ajo shton se se rituali i vdekjes në kulturën shqiptare, ku i vdekuri mbahet gjatë natës, procesi i varrimit apo dreka e shtruar për të ndjerin dhe pritja e vizitave në shtëpi,  janë procese që ndikojnë në thellimin e zisë.

Sulstarova thekson se edhe situata  e pandemisë ka ndikuar gjithashtu në përjetimet e zisë. “Vetë situata e pandemisë i ka detyruar njerëzit të përjetojnë humbjen e lirisë dhe të mënyrës së jetës së mëparshme. Kjo gjë ka shtuar nevojën e tyre për të ndarë dhimbjen me të tjerët si një mekanizëm jo vetëm për t’u shprehur, por dhe për ta bërë dhimbjen më sociale”, mendon psikologia.

Kultura, historia njerëzore, civilizimi na kanë treguar që procesi i varrimit, i cili është një ritual publik,  nderon të ndjerin dhe nxjerr dhimbjen, vuajtjen, frikën, të gjitha emocionet që kanë lidhje me vdekjen e që  rregullohen nëpërmjet ndarjes së dhimbjes.

“Aktualisht në ditët e sotme kjo është mohuar. Ne nuk mund ta shoqërojmë të dashurin tonë derisa jeta të shuhet, nuk mund të qajmë mbi trupin e tij akoma të ngrohtë, të të marrim pjesë dhe të vëmë në skenë atë ritual që është varrimi, i përbërë nga afeksione dhe ngushëllime. Përvojat e fajit alternohen me dhimbje, me zemërim dhe me një lloj pafuqie”, thotë psikologia.

Ajo ngre alarmin se zitë atipike siç janë ato që po jetojmë sot, kanë probabilitet të na çojnë në një zi të pazgjidhur.  “…në të cilën vuajtjet nuk qetësohen por bëhen kronike, duke ndërhyrë në aftësinë për të funksionuar në jetën e përditshme. Pikëllimi i pazgjidhur ose i ndërlikuar mund të çojë në depresion, si dhe probleme të tjera të shëndetit fizik dhe mendor”, thotë psikologia.

Psikologia vëren se në kulturën shqiptare, hasim vështirësi për të shprehur dashurinë apo ndjenjat. “Kur një i afërmi i yni largohet nga jeta, te ne aktivizohen ndjenja faji për ato që ne nuk kemi mundur të shprehim verbalisht, gjë që aktivizon një nevojë tonën për dedikime në rrjete sociale”, këto sipas psikologes janë rituale për të metabolizuar humbjen dhe këto ndjenja faji.

“Individë të tillë kanë nevojë për vëmendje dhe për t’i dhënë rëndësi vuajtjes së tyre, nevojë për të ndarë dhimbjen dhe për të qenë të kuptuar”, shton psikologja, e cila duke iu referuar literaturës thotë se komuniteti, ndjeshmëria dhe shoqërimi janë thelbësore për të menaxhuar “zinë” në kushtet e karantinës, “pamundësinë për të hequr dorë nga jeta e mëparshme, e cila ndoshta do të kthehet ose ndoshta do të ndryshojë përfundimisht kur të përfundojë situata e pandemisë. Në gjëndje pikëllimi fjalët janë të domosdoshme, duke njohur dhe emërtuar emocionet dhe ndjenjat e humbjes së përjetuar, duke mos u ndjerë vetëm me dhimbjen personale”, përfundon ajo.

Por fenomeni i transferimit të dhimbjes për humbjen e të dashurve në hapësirën virtuale të komunikimit e kalon përjetimin individual, duke reflektuar ndryshimet më të gjera në shoqëri.

Popujt kanë secili kulturën e vet mortore dhe post mortore dhe ritualet e tyre të ndarjes me të vdekurin. Sipas sociologut Gëzim Tushi, edhe në shoqërinë shqiptare, këto rituale kanë pësuar ndryshime.

Shoqëria shqiptare e ka vlerësuar me dinjitet të vdekurin, jo vetëm kontributin që ka dhënë në jetë, por edhe me mënyrat e komemoracionit të largimit për në botën tjetër”, thotë sociologu Tushi për Gazeta Si, duke shtuar se këto kanë qenë korniza të ngurta me rituale fikse dhe të domosdoshme për të respektuarin të ikurin nga kjo jetë. “Respekti për njeriun që ikën nga kjo jetë, është  parë si një nga  vlerat e mëdha të sistemit  të jetës sonë shoqërore”, vijon Tushi.

Si shoqëri tradicionaliste, në kulturën shqiptare këto rituale janë sipas sociologut, shumë ë ngarkuara. “Rituale që në shoqërinë moderne dhe turbo-kapitaliste nuk janë më të mundshme”, thotë Tushi, duke iu referuar edhe ceremonive pas mortore të përkujtimit, që nisin nga të tretat për të shkuar deri në përkujtimin gjashtë mujor dhe njëvjetorin.

“Dukej sikur në një farë mënyre i vdekuri na mbante ne të gjallëve prej këmbëve, duke qenë të lidhur më shumë seç duhet me kujtimin e tij. Natyrisht,  që kujtimi për njeriun e dashur mbetet dhe është shenjë respekti, por është e domosdosme që këto të thjeshtohen”, e mendon sociologu.

Sipas tij, sot flitet jo vetëm për një reformë të jetës, por edhe për në reformë të ritualeve të vdekjes. “Jeta ka ndryshuar dhe njerëzit nuk  e kanë më kohën e tepërt për të mbivlerësuar këto rituale”.

Duket se shoqëria e sotme ka digjitalizuar edhe proceset e vdekjes. Nga njëra anë, mendon sociologu Tushi, është pozitive sepse informohesh në kohë reale për humbjen e një të afërmi, miku a fqinji, ndaj të cilit ke detyrimin për t’i shprehur ngushëllimet të afërmve.

Por nga ana tjetër edhe këtu  ka nisur një lloj abuzimi. “Nëse në ceremonitë tradicionale,  shqiptarët numëronin pjesëmarrësit, makinat, ata që shkonin për drekë, për të treta, të dyzeta  e të tjerë, ishin një lloj bravure e jashtme, mburrje për treguar vlerën sociale në shoqëri apo mbështetjen sociale që ka një familje, pas koronavirusit ceremonitë e vdekjes po pësojnë një refomë drastike”.

Faktori komplementar duket se janë rrjetet sociale. Edhe këtu, vëren sociologu ka një lloj tendence për mbivlerësim. “Sikur i bëjnë testime vetes për të parë peshën sociale, jo më fizikisht por  të involvuar virtualisht. Nëse numëronim njerëzit në dreka a darka , prezentë fizikisht në rituain mortor, kemi filluar t’i numojmë virtualisht.”

Ky – mendon sociologu – është një lloj transformimi mes reales dhe virtuales. Dhe  si në të gjitha fushat, kjo sindromë nuk mund të linte pa prekur edhe ritualet e vdekjes.

Sa për komunikimin virtual me të vdekurin, që vijon gjatë edhe pas ndarjes nga jeta, Gëzim Tushi thotë se kjo tendencë animiste, mund të jetë një formë ku personi që vajton apo mban zi, e ndjen veten shpirtërisht më mirë në kujtimet me të dashurin që ka humbur.

“Nuk mendoj se ka ndikim fetar;  askush nga ne nuk ka bindjen që mund të sigurojë mjete komunikimi spirituale me të vekurit”.

Por, me kornizat kulturore që ndryshojnë, shoqëria njerëzore përpiqet të gjejë mënyra për të mbajtur një kordon me njeriun e dashur,  qoftë edhe spiritual.

“Është si punë reminishencash, nuk besoj se ka ndonjë dëm të madh, përveç rasteve kur këto kthehen në obsesione”, mendon sociologu duke  shtuar se ka raste kur kanxhat me njeriun e vdekur paralizojnë jetën e përditshme të të gjallit, duke u shndërruar në një lloj “nekrofilie”.

“Duhet ruajtur sensi i masës, nuk jam kundër që duhet t’i  kujtojmë njerëzit e dashur, shokët, në momente përkujtimore, në një aktivitet ku flitet për të kaluarën e tyre, në një libër, por të bëhen permanente, konsistente e dhe njeriu të mbajë lidhje të pandara me atë  që ka ikur nga kjo btë, është një lloj nekrolofilie, dashurie për vdekjen që na ndalon të jemi optimistë.  Populli thotë: “I vdekuri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët”.

Por pavarësisht kulturave lokale dhe ritualeve, duket se teknologjia dhe rrjetet sociale e kanë njëtrajtësuar edhe mënyrën e vajtimit.

“Globalizmi e ktheu botën sa një fshat. Tanimë jemi në gjendje të marrim vesh për çdo humbje jete në çdo cep të botës kur jemi të interesuar. Ngushëllimi njerëzor kapërcen kufijtë hapësinorë dhe ke mundësi të ngushëllosh njeriun e dashur kudo dhe kjo është gjë e mirë. Por  nga ana tjetër,  duket sikur angazhohemi në një  numër më të madh  seç duhet dhe fillojmë me veset sociale si hipokrizia, shprehja e ngushëllimeve kur nuk e ndjen, si një lloj detyrimi social. Ka  një hendek midis ndjeshmërisë së vërtetë humane dhe  formave false, bravurave të jashtme që kjo shoqëri i ka në pjesën strukturore të saj dhe janë të pashmangshme”.

Sipas sociologes Ermira Danaj, ishte e pritshme që teknologjitë e informacionit të transformonin edhe qasjen ndaj vdekjes, siç kanë transformuar tanimë çdo hallkë të përditshmërisë sonë.

“Në njëfarë mënyre, ritet në lidhje me vajtimet/zinë, kanë reflektuar strukturën sociale te një komuniteti apo shoqërie. Sigurisht që këto rite nuk janë transformuar rrënjësisht, megjithatë nëse do të  hidhnim sytë  pak pas, do të  shohim se edhe pa rrjetet sociale dhe dixhitalizimin e komunikimit, këto rite kishin nisur të ndryshonin, diku më shumë e diku më pak”, mendon Danaj.

Rrjetet sociale ndikuan edhe më tej në këto ndryshime. Sipas sociologes, ritet e zisë/vajtimit nuk janë zhdukur, por rrjetet sociale kanë  sjellë edhe një hapësirë më tej, për ta lehtësuar dhimbjen. “Të mos harrojmë  që  një  ndër funksionet kryesore të riteve të ndryshme, pritjes së njerëzve etj., ka qenë edhe lehtësimi i dhimbjes së familjes, kujtimi i të vdekurve”.

Funksion që tashmë kryhet edhe nga një hapësirë e re sociale, rrjeti. “Për shumë njerëz, ngushëllimet e marra nëpërmjet rrjeteve sociale janë një lehtësim, shërbejnë edhe për te kujtuar personin e vdekur, por edhe për të ngushëlluar të afërmit, për t’i ofruar pak më shumë  mbështetje, edhe pse virtuale”.

A është kjo mbështetje virtuale po aq e fortë  sa një vizitë në shtëpi?” Këtu pastaj kalojmë në diskutimin: a është miqësia virtuale, njëlloj me atë “reale”? Por për sa kohë hapësira virtuale zë një vend jo pak të rëndësishëm në jetën tonë, kjo nuk ka pse të mos prekë edhe dimensionin e vdekjes”.

Gjatë 2020-s, afro 3.8 miliardë njerëz po përdornin mediat sociale. Aplikacionet si Facebook, Twitter apo Instagram jo vetëm kanë ndryshuar mënyrën si lidhemi dhe komunikojmë, por edhe sesi ecin përmes pikave të jetës – nga shtatzënitë tek obituarët deri tek testimi i Covid dhe përvojat e diagonistifikimit.

Janë mbi 30 milionë njerëz të vdekur në Facebook. Mes 2020 dhe 2060 mendohet të jenë më shumë profile të njerëzve të vdekur sesa të gjallëve. Ndërsa marrëdhënia jonë me jetën, vdekjen dhe internetin vijojnë të evoluojë, është e qartë se ka gjëra që duhet të marrim në konsideratë rreth zisë online.

A na e ka ndryshuar interneti mënyrën sesi u drejtohemi të vdekurve? Me pak fjalë, po. Gjatë historisë, njerëzit janë përpjekur të ruajnë një lidhje me të vdekurit e tyre; bisedat mendore, vizitat në varreza, shkrime në ditarë të adresuar të ikurve nga kjo botë…

Facebook dikur ka qenë vendi ku njerëzit lidheshin dhe komunikimin me të dashurit, sa ishin gjallë apo mbase edhe vendi i fundit ku i keni parë dhe komunikuar para ndarjes nga jeta, duket ndonjëherë e natyrshme që t’i kërkosh apo drejtohesh në të njëjtin vend, ku ke ndërvepruar,  biseduar apo qeshur.

Shpesh edhe kujtimi pamor është më i gjallë në marrëdhënien online sesa në një gur varri, ndonëse i vdekuri nuk mundet më t’u përgjigjet mesazheveGazeta “Si”.

(* emrat e personazheve në hyrje të artikullit janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë).

1 komente në “Vajtimi online: Kur vdekja mbërrin në Facebook”

  1. Eshte vertete e trishtushme te konfŕontohesh me ate ndjenje .
    FB e ben akoma me te prekeshme jeten tone .jeten e secilit
    nga ne .
    Sinqerishte eshte nji ndjenje deshperuese te shikosh foto miqesh ,
    te afermish ,qe dikur per ty do te thoshnin aq shume
    e ishe cdo dite me ata ne kontakt . komunikoje ,beje shaka , merziteshe ,
    debatoje ,deshiroje ti kishe pran dike dhe papritur gjithacka ka ndryshuar
    e ti ngushellohesh vetem me Kujtimet dhe Loti qe njom Shpirtin .
    Oh Zot qendroj pran Engjujve …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje