Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen për vrasjen e 34-vjeçarit Eri Zefi, ngjarje kjo e ndodhur më 2 tetor të viti 2019 në fshatin Zall-Xhuxhe. Për këtë ngjarje, prokuroria ka marrë si të pandehur shtetasin Mikel Alia, shok i ngushtë i viktimës Eri Zefi.
Ndaj 42-vjeçarit, prokuroria ka ngritur akuzën e “Vrasjes”, të kryer në bashkëpunim. Referuar dosjes hetimore, thuhet se 42-vjeçari ka patur një rol mjaft të rëndësishëm në këtë ngjarje, pasi është arritur të provohej se përmes pamjeve filmike dhe bisedave telefonike ai e ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin Eri Zefi.
Ekzekutimi i të riut dyshohet të jetë kryer nga dy persona të tjerë të cilët nuk është arritur të identifikohen ende. Gjatë hetimeve, prokurori i çështjes i ka kërkuar Mikel (Gjovalin) Alia që të bashkëpunoje me drejtësinë me qëllim që të tregojë autorët e vrasjes, por 42-vjeçari në vazhdimësi ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke deklaruar se është i pafajshëm.
34-vjeçari Eri Zefi u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e prekën në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës të datës 1 tetor të vitit 2019-të, pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës në një kanal 50 metra larg Rrugës së Kombit. Ekzekutimi i të riut dyshohet të jetë kryer për hakmarrje, pasi vëllai i tij është i dënuar për vrasje.
Gjatë hetimit Prokuroria thotë se është provuar fakti se Alia ka komunikuar në telefon dhe në mënyrë verbale me Eri Zefin, duke i kërkuar të bashkëpunojnë së bashku për të vjedhur në mesnatë një sasi të konsiderueshme hashashi në një territor malor, që ndodhej në fshatin Zallë-Xhuxhë të Mirditës.
Eri Zefi ka pranuar ofertën e mikut të tij të fëmijërisë, të cilit i besonte në mënyrë të verbër dhe janë nisur së bashku të dy me makinë në vendin ku ishte caktuar për t’u bërë vrasja.
Ata kanë udhëtuar në mesnatën e 1 tetorit të vitit 2019 në autostradën Durrës-Kukës dhe sapo kanë mbërritur në fshatin Zall-Xhuxhë, kanë dalë nga rruga duke hyrë rreth 50 metra në një teren malor, ku Mikel Alia pretendon se aty do të vidhnin drogën. Por në fakt ai terren ishte caktuar nga hasmit për të ekzekutuar njëherë e mirë Eri Zefin, vëllanë e Ndue Zefit.
Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve mendohet se janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit dhe më pas e kanë ekzekutuar. Autorët e krimit mendohet se janë larguar në drejtim të Kosovës, po pavarësisht hetimeve dhe letër-porosive që janë dërguar, nuk është arritur të identifikohen.
Besa e malokut
Si glasa e zogut