Ç'po ndodh brenda së djathtës ekstreme të Evropës?

5 Mars 2021, 21:55Bota TEMA

E djathta ekstreme e Evropës ka patur disa dështime kohët e fundit: Partia kryesore opozitare e Gjermanisë është nën vëzhgim për ekstremizëm. Franca shpërndau një grup rinor të krahut të djathtë.

Ekspertët thonë se këto grupe, krahas çështjeve të vjetra si imigracioni, po shfrytëzojnë probleme të tilla të reja si COVID-19 dhe po frymëzohen nga homologët e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Grupi francez i të rinjve, Identiteti i Gjeneratës, është bërë i njohur vitet e fundit për fushatat e tij të zjarrta. Mesazhi i tyre është i qartë: imigrantët nuk janë të mirëpritur në Francë.

“Ne thjesht po mbrojmë popullin francez dhe evropian që po vuan nën valët e njëpasnjëshme të imigracionit masiv”, thotë Jeremie Piano, zëdhënës i grupit.

Piano thotë se grupi përdor mjete paqësore për të shprehur mendimin e tij. Qeveria franceze e qendrës nuk pajtohet.

Këtë javë, ajo e shpërndau Identitetin e Gjeneratës, duke e akuzuar për gjuhën e urrejtjes, për faktin që sillet si një milici private dhe se mban lidhje me grupe ultra-të djathta me programe raciste dhe supremaciste të bardha.

Ekspertët thonë se Identiteti i Gjeneratës nuk është një grup terrorist apo milici e armatosur, por aktivistët besojnë se ai është gjithsesi një kërcënim.

“Ajo që na shqetëson më shumë është puna e tyre ideologjike, që nxit sjellje raciste dhe ksenofobe mes popullatës,” thotë Augustin Grosdoy, i grupit MRAP të Anti-Diskriminimit.

Edhe në Gjermani, partia e ekstremit të djathtë AfD, Alternativa për Gjermaninë, po e ndjen presionin. Agjencia e zbulimit të brendshëm e ka vënë atë nën vëzhgim, pas njoftimeve për lidhjet me ekstremistët e djathtë dhe si organizatë që paraqet kërcënim për demokracinë.

E djathta ekstreme e Evropës ka pasur deri diku edhe suksese muajt e fundit. Ajo ka marrë municion të ri, siç është reagimi i ashpër i publikut ndaj masave për koronavirusin, që shqetëson qeveritë e ndryshme.

“Ata mendojnë se e djathta ekstreme mund të përfitojë nga kjo pandemi e madhe. Jo vetëm për shkak të menaxhimit të keq të çështjes, por sepse pandemia ngjall frikë tek njerëzit, frikën se ky virus u soll në brigjet tona përmes globalizimit,” thotë Jean-Yves Camus i Fondacionit Jean Jaures.

Ish Presidenti Trump dhe ngjarja e 6 janarit në Kapitol gjithashtu kanë patur mbështetjen e krahut të djathtë në Evropë.

“Ne e pëlqejmë Trumpin. Ne përkrahim, për shembull, luftën e tij kundër imigracionit të paligjshëm. Por ne nuk jemi pro-Trump apo pro-Putin. Ne jemi thjesht pro-evropianë”, thotë Jeremie Piano.

“Shumë njerëz në të djathtën ekstreme franceze, brenda lëvizjeve më ekstreme, veçanërisht neo-nazistët, e shikojnë, do të thoja me zili atë që ndodhi në Kapitol më 6 janar. Ata thonë: ja, këta njerëz po përpiqen të përmbysin qeverinë dhe patën një farë suksesi. Sigurisht, ata do të dëshironin të bënin të njëjtën gjë, por nuk kanë forcë”, sipas Jean-Yves Camus.

Ndryshe nga SHBA, të mbash armë zjarri në Francë është jashtë çdo diskutimi. Gjithashtu, Camus thotë se grupet më ekstremiste të Evropës kanë mbështetje fare të paktë në publik.

Një shenjë e kësaj është se partia kryesore opozitare e Francës, Rassemblement National, e së djathtës ekstreme, është distancuar tashmë nga lëvizje si Identiteti i Gjeneratës, edhe pse e kritikoi shpërbërjen e saj.

Udhëheqësja e kësaj partie Marine Le Pen i ka hedhur sytë nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ekspertët besojnë se për të fituar, asaj do t’i duhet ta paraqesë partinë e saj si një parti më afër rrjedhave të qendrës.

2 komente në “Ç’po ndodh brenda së djathtës ekstreme të Evropës?”

  1. Liri says:

    KUR TE MAJTET SDINE TE QEVERISIN DHE KORRUPTOHEN PATJETER QE DUHET NDRYSHIM.PRANDAJ QUHET DEMOKRACI.

  2. E verteta e hidhur says:

    O Liro po ca te majte jane keta. Keta jane liberale te degjeneruar qe punojne per LGBTQ+ dhe disa minoritete. S’pyesin per punetorin por vetem per gjoja diversitetin and inclusionin dhe per LGBT+. Monopolet i kane korruptuar partite e majta qe te mos kene rrezik nga punetoria prandaj i fusin ne grindje njerezit e thjeshte, i ndajne ne ngjyra te ndryshme dhe ngrejne si ceshtjet me kryesore ato te LGBT dhe racizmit qe skane rendesi kur ne thelb problemi eshte tek polarizimi ekstrem i shoqerise ne te pasur dhe te varfer dhe zhdukjes se klases se mesme. Konflikti real eshte midis atyre qe punojne dhe s’paguajne dot faturat dhe Bezos e Zuckenberg qe bejne miljardat dhe hiqen si te majte. Keta jane pisat globaliste. Enveri e kish te drejte qe thoshte qe kur monopolet behen te fuqishme eshte sinjal i prgut te revolucionit. Vetem revolucioni do ti zhduki. A do jete revolucion proletar apo populist i etiketuar “ekstrem i djathte” nga keto elitat kjo do duket me vone per 10 vjet ose me shume. Kujtojne se me shtypin qe zoterojne do na hedhin hi syve me brockulla te tilla si keto qe jane perkthyer nga Tema.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje