Më 11 Mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 pandemi: 114 vende u prekën, u konfirmuan 121,500 raste dhe më shumë se 4,000 persona humbën jetën.
Një vit më vonë, virusi ka prekur 115 milion njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar më shumë se 2.5 milion viktima.
Por pavarësisht paralajmërimeve, fati i shumë vendeve është varur nga mënyra se si liderët trajtuan pandeminë. Ndikimi i pandemisë ishte i pashembullt dhe të gjitha qeveritë u përballën me sfida që kishin të bënin me një kërcënim të rëndë por shumë të paparashikueshëm për jetën e qytetarëve të tyre.
Dhe disa qeveri u përgjigjën më mirë se pjesa tjetër.
Me lajmet për përhapjen e COVID-19 që shpërndaheshin përtej kufijve ndërkombëtarë, masat e brendshme parandaluese duhej të shpjegoheshin me kujdes.
OBSH-ja nuk u tregua shumë e kujdesshme, dha këshilla të dyshimta dhe të meta në lidhje me udhëtimet ndërkombëtare , madje edhe nga provinca Hubei, dhe vuri në dyshim efikasitetin e mbajtjes së maskave .
Derisa vetë udhëheqësit i komunikuan qytetarëve të tyre për rreziqet me të cilat do të përballeshin. Ekspertët në menaxhimin e krizave dhe psikologët social theksojnë rëndësinë e qartësisë në komunikimin gjatë një emergjence shëndetësore.
Pra, cili nga vendet ia doli mbanë dhe kush humbi betejën?
Koreja e Jugut dhe Gana
Koreja e Jugut shmangu një bllokim për shkak të komunikimit të qartë të kërcënimit që vinte nga COVID-19 që në janar , duke inkurajuar mbajtjen e maskave (të cilat ishin të zakonshme më parë brenda vendit në përgjigje të një epidemie të mëparshme të Sars) dhe përdorimin e një aplikacioni për gjurmimin e kontakteve .
Çdo ndryshim në nivelin zyrtar të alarmit, shoqëruar me këshilla të reja në lidhje me kontaktet shoqërore, u komunikua me kujdes nga Jung Eun-Kyung , shefja e Qendrës së vendit për Kontrollin e Sëmundjeve, e cila bëri disa ndryshime në jetën e saj për të demonstruar se si udhëzimet e reja duhet të funksionojnë në praktikë .
Transparenca e kësaj qasjeje ishte jehonë në mënyrën e komunikimit të presidentit Ganez, Nana Addo Dankwa Akufo-Addo.
Akufo-Addo mori përgjegjësinë për politikën e koronavirusit dhe shpjegoi me kujdes çdo masë, duke qenë i sinqertë në lidhje me sfidat me të cilat do të përballej kombi.
Masat e tij u mirëpritën nga të gjithë brenda kombit të tij dhe në të gjithë botën.
Brazili, Britania e Madhe dhe India
Në Mars të vitit 2020, vetëm tre javë para bllokimit të vendit dhe infektimit me COVID-19, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson minimizoi kërcënimin e virusit dhe tha se ai ishte takuar me persona që ishin të infektuar, kundër rekomandimeve të këshilltarëve të tij.
Sot, Britania e Madhe ka një nga nivelet më të larta të vdekjes për frymë nga COVID në botë.
Duke shmangur një bllokim të plotë fillestar, presidenti brazilian Jair Bolsonaro – i cili gjithashtu u infektua me COVID-19 – bëri thirrje që jeta të vazhdonte normalisht, duke sfiduar udhëzimet e ekspertëve dhe opinionin polarizues përgjatë linjave partizane.
Praktikat e tilla bënë që brazilianët të mos besonin në informacionin zyrtar dhe të përhapnin dezinformimin, ndërsa respektimi i masave u cilësua më tepër si një pyetje ideologjike, sesa e shëndetit publik.
Ndërkohë, kryeministri indian, Narendra Modi, njoftoi një bllokim të parakohshëm, i cili shkaktoi një krizë migrimi të brendshëm , me punëtorë të varfër që linin qytetet për të ecur qindra ose mijëra milje larg për në shtëpitë e tyre rurale.
Ishte e kuptueshme që punëtorët i dhanë përparësi frikës se do të ngeleshin pa strehim dhe urisë para rrezikut të përhapjes së COVID-19 në vend. Por asnjëherë nuk u mor parasysh rreziku që vinte nga koronavirusi dhe efektin që do të kishte në shoqëri.
Rezultatet e dobëta në secilin rast janë një reflektim i pjesshëm i gabimeve të udhëheqjes.
Fat i keq apo gjykim i gabuar?
Sigurisht, mënyra e reagimit ndaj pandemisë nuk ishte vetëm për shkak të komunikimit të mirë ose të keq nga udhëheqësit. Sistemet shëndetësore dhe demografia gjithashtu mund të kenë luajtur një rol, dhe kombet e prekura më keq jo vetëm që ishin të dobët nga ana strategjike por janë gjithashtu qendra globale të transportit dhe destinacione të njohura – Londra, New York, Parisi etj.
Megjithatë, është e qartë se udhëheqësit që miratuan udhëzime të qarta, të hershme, të drejtuara nga ekspertët, koherentë dhe empatikë, ia dolën më së miri në situatën e krijuar nga virusi për sa i përket qëndrimit të tyre me popullin dhe ishin në gjendje të zbusin efektet më të këqija të virusit.
Nga ana tjetër, ata që politizuan virusin, shfaqën optimizëm të shfrenuar ose morën vendime në minutën e fundit regjistruan numrin më të madh të viktimave dhe rasteve me Covid-19. Pëktheu Sonila Backa/abc