Protestë kundër masave të izolimit në Holandë

14 Mars 2021, 19:13Bota TEMA

Qindra protestues janë mbledhë në Hagë, kundër masave kufizuese anti Covid. Mediat bëjnë me dije se për të shpërndarë turmën e protestuesve policia në Holandë ka përdorur topa uji dhe shkopinj gome.

Protesta e së dielës në Hagë vjen vetëm një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Policia ndërhyri kur protestuesit shkelën rregullat e mbajtjes së distancës fizike dhe injoruan thirrjet e autoriteteve të sigurisë që të shpërndahen.

Autoritetet ndaluan shërbimin e trenave në Hagë, për të parandaluar arritjen e më shumë protestuesve. Policia paralajmëroi protestuesit se nëse nuk shpërndahen, ata do të ndërhyjnë.

Holanda ka qenë nën masa të izolimit që prej fundit të janarit dhe në këtë shtet është e ndaluar që të mblidhen më shumë se dy persona. Po ashtu, restorantet dhe baret janë mbyllur dhe gjatë natës aplikohet edhe kufizimi i lëvizjes.

Pavarësisht masave të rrepta kundër pandemisë, qytetarët holandezë do të votojnë në zgjedhje. Duke filluar nga e hëna do të hapen vendvotimet të cilat do të qëndrojnë të hapura për tre ditë, me qëllim që të mos ketë grumbullim të qytetarëve.

Partia e kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte po synon që të marrë edhe një mandat të ri katërvjeçar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje