Nga Emily Przyborowski National Interest
Më pak se 2 vjet pas shkatërrimit të proto-shtetit të tij në Irak dhe Siri, grupi më famëkeq terrorist në botë po tregon shenja të reja alarmante të ringjalljes në Lindjen e Mesme. Vitin e kaluar, Shteti Islamik, shtoi në mënyrë dramatike sulmet e tij në Irak dhe Siri, duke treguar se është ende në gjendje të rimarrë territoret që kontrollonte dikur, dhe të rekrutojë anëtarë të rinj.
Janarin e këtij viti, ISIS mori përgjegjësinë për sulmin e tij më vdekjeprurës në 3 vitet e fundit, shpërthimin e 2 bombave në Bagdad që vranë të paktën 32 njerëz. Në fakt, Shteti Islamik ka lulëzuar gjatë pandemisë së koronavirusit, duke arritur të shfrytëzojë boshllëqet e sigurisë të krijuara nga masat bllokuese dhe reagimet e tjera qeveritare.
ISIS ia ka dalë të rigrupohet, të organizojë arratisje nga burgu, të planifikojë sulme të sofistikuara dhe të kontrabandojnë përtej kufijve anëtarët e tij. Dhe për këtë ringjallje, një pjesë e meritës i takon kontigjentit femëror të grupit terrorist. Për shembull, raportet e fundit tregojnë se ISIS është bazuar sërish tek një grup grash për mbështetje logjistike në Irakun Verior, dhe ka mundësi që të riaktivizojë celulat e fjetura femërore.
Kështu,në shkurt të këtij viti forcat irakiane të sigurisë arrestuan 5 gra në Hamrin, teksa po transportonin para, ushqim dhe mesazhe për grupin radikal. Për më tepër, këto anëtare femra të ISIS, janë gati të shtohen në numër si rezultat i një brezi të ri ekstremistësh që tani po kultivohen në kampet e ndryshme të refugjatëve, dhe personave të zhvendosur brenda vendit (IDP) në Siri.
Al Hol është një shembull tipik. Kampi më i madh me gra dhe fëmijë i Shtetit Islamik në verilindje të Sirisë, drejtohet nga Forcat Demokratike Siriane Kurde (SDF) dhe strehon aktualisht mbi 60 mijë viktima të ideologjisë së ISIS, ku 94 për qind janë gra dhe fëmijë. ISIS ka përfituar prej kohësh nga burgjet dhe kampet e refugjatëve, të cilët mund të shndërrohen në terrene për indoktrinimin dhe krijimin e rrjeteve të reja xhihadiste, ndërsa Al Hol dhe kampe të tjerë nuk përbëjnë ndonjë ndryshim nga të tjerët. Duke e nënvizuar këtë rrezik, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar prej kohësh se ISIS po shndërron Al Hol dhe kampet e tjera të forcave kurde, në një bazë aktive për operacionet e grupit terrorist. Kjo gjë ndodh sepse shumë sirianë brenda kampit mbeten të lidhur me botën e jashtme përmes përdorimit të telefonave,që u japin mundësinë të mbajnë lidhje me anëtarët e tjerë të organizatës. Gjithashtu, këto kampe shërbejnë si një burim ushqimi për grupin terrorist. Dihet se brenda tyre, anëtarët e ISIS përfshihen në falsifikime dokumentesh dhe skema të ndryshme përfitimi.
Një raport i fundit i Departamentit amerikan të Thesarit, vinte në dukje se ISIS ka fituar një pjesë të rezervave të tij në para, të vlerësuara në shumën 100 milion dollarë përmes shkëmbimeve informale të parave, të njohura si hawalas në kampet siriane, përfshirë atë Al Hol.
Ndonëse gratë brenda kampeve kanë një ndikim të rëndësishëm në organizatë, ISIS ka njohur vlerën strategjike edhe të ish-të burgosurve. Grupimi është përqendruar në çlirimin e pasuesve të burgosur si një mënyrë për të forcuar sa më shpejt forcat e saj,teksa po nxit propagandimin e fitoreve të dikurshme.
Gjatë viteve 2012-2013, ISIS ndërmori një operacion të gjerë që solli lirimin nga burgjet e Irakut të qindra luftëtarëve, përmes të paktën 8 sulmeve të veçanta, duke hedhur kësisoj bazat për ngritjen e reputacionin rajonal të grupimit. Suksesi i asaj fushate (dhe thirrjet e vazhdueshme nga udhëheqja e grupit për veprime të ngjashme) kanë bërë që ekspertët të paralajmërojnë se sulmet ndaj burgjeve, mbeten një përbërës qendror i planifikimit strategjik të organizatës.
Për më tepër, ISIS ka një histori të gjatë të përdorimit të grave, si në operacione ashtu edhe në mbështetjen e tyre. Anëtaret femra të organizatës, kanë vepruar jo vetëm si spiune dhe korriere, por edhe si operatore. Shumë prej tyre janë trajnuar për përdorimin e eksplozivëve, apo për të shërbyer si snajperiste, luftëtare apo për sulmet vetëvrasëse me bomba.
Kjo pasqyron një realitet të zymtë:atë që gratë janë shpesh mbështetëset më të afta dhe të zjarrta të Shtetit Islamik. Për shembull, brenda kampit Al Hol, gratë kanë qenë në krye të zbatimit të interpretimit drakonian të grupimit radikal islamik.
Sipas një raporti të vitit 2019, të paraburgosurat femra në Al Hol kanë “imponuar kalifatin e tyre”, që drejtohet nga një emir grua që rregullon mënyrën e jetesës aty, kodet e veshjes, dhe dënimet për ata që shkelin rregullat. Ky kalifat i drejtuar nga femrat, ka qenë ndërkohë i përfshirë në sulme ndaj të burgosurve që nuk janë mbështetës të ISIS, si dhe ndaj stafit të institucionit.
Që nga fillimi i këtij viti, brenda kampit ka pasur të paktën 47 vrasje,me shumë gjasa me autorë anëtarë të ISIS, pasi shumë prej vrasjeve kanë ndodhur me prerjen e kokës. Ndërkaq, kjo organizatë terroriste ka shfrytëzuar kushtet e këqija brenda kampit për të mbledhur fonde dhe rekrutuar anëtarë të rinj.
Në fjalimin e tij të fundit publik në shtator 2019, ish-kreu i ISIS Abu Bakr Al Bagdadi u bëri thirrje anëtarëve të ISIS qëtë lironin gratë që mbaheshin në kampe. Edhe pas vdekjes së Bagdadit, fushatat e propagandës dhe mbledhjes së fondeve, kanë përdorur video të grave
dhe fëmijëve brenda kampit Al Hol për të bërë thirrje për rikthimin e Kalifatit.
Në maj të vitit të shkuar, një raport i qeverisë amerikane paralajmëronte një “arratisje Masive” të mundshme të të burgosurve të ISIS nga kampet siriane, pas shqetësimeve rreth administratës së forcave kurde të SDF, kushteve brenda kampeve dhe trazirave të herëpashershme”.
Për më tepër, gratë dhe familjet e ISIS-it janë arratisur nga Al Hol dhe kampet e tjera, duke u paguar kontrabandistëve shuma parash që variojnë nga 3.000 në 100.000 dollarë. Sipas Qendrës së Informacionit Rojava, rreth 200 njerëz u kontrabanduan nga Al Hol vetëm gjatë vitit 2020.
Ndërkohë, një numër grash që ndodhen ende brenda Al Hol, duket se kanë nisur fushatat e tyre në mediat sociale si Instagram, për të mbledhur fondet e nevojshme për të paguar kontrabandistët. Llogaritë e tyre bëjnë postime në arabisht, gjermanisht dhe anglisht, dhe janë të lidhura me llogaritë e PayPal të cilat transferojnë fondet në hawalas brenda kampeve.
Kontigjenti femëror i Shtetit Islamik, duket se është gati të shtohet si në përmasa ashtu edhe në rëndësi. Nga ana tjetër, kjo krijon konsiderata unike për komunitetin ndërkombëtar. Shumë shpesh, anëtaret femra të organizatave terroriste, trajtohen si viktima dhe nuk i nënshtrohen të njëjtit kontroll si homologët e tyre meshkuj. Por në rastin e ISIS, një qasje e tillë do të ishte një gabim serioz, që mund të rezultojë tepër i kushtueshëm për Lindjen e Mesme dhe më gjerë. /Përktheu: Alket Goce-abc