Dhe yjet rrinë e vështrojnë Aeroportin e Rinasit

12 Prill 2021, 08:57Blog TEMA

Nga Roland Qafoku

Ndodhi edhe kjo. Kur të gjithë sytë ishin nga fushata zgjedhore dhe vaksinimi, ose jo i popullsisë, disa kontrollorë të Albcontrol i bënë Shqipërisë atë që nuk ndodhi as në vitin e mbrapshtë 1997. Në fakt, si kontrollorët dhe qeveria kanë gjetur mënyrën e tyre ekstreme për të treguar forcën për një çështje që edhe për palën e punonjësve nuk ishte gjetja më e mirë, por edhe për qeverinë nuk ishte më e mira po ashtu. E shtangu gjithë opinionin publik kjo histori që zgjati vetëm 72 orë për mënyrën se si funksionoi dhe u zgjidh duke na kujtuar romanin e shkrimtarit skocez Archibald Cronin “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” të publikuar në fillim të shekullit të kaluar.

E denjë për ta përshtatur në kohët e sotme dhe në Shqipëri “Dhe yjet rrinë e vështrojnë Aeroportin e Rinasit”. Me atë që ndodhi besohet se si kontrollorët, por edhe qeveria treguan papjekuri, mungesë maturie dhe mbi të gjitha sollën pasoja për aeroportin dhe vetë publikun shqiptar në atë shkallë saqë na lanë pa fjalë dhe pa mend. Një precedent që nëse e analizon me detaje tregon më shumë psikologjinë se si funksionojnë të punësuarit në Shqipëri, por edhe të qeverisë në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

PËR KONTROLLORËT

Së pari, të diskutosh për rrogën e dikujt është një prapambetje mendore që vetëm komunizmi e  bënte. Askush nuk ka të drejtë, as të përgojojë, as të komentojë e as të hamendësojë se përse dikush ka atë rrogë që ka. Derisa kjo është e sanksionuar në kontratë për bërjen e një pune, do ishte një mentalitet arkaik të anatemosh rrogën e tyre që në ketë rast e kishin me shumë zero.

Në fakt, më rezulton që ata që kanë bërë komente dhe akuza fyese e denigruese për rrogën e specialistëve të kontrollit ajror të Aeroportit të Rinasit “Nënë Tereza”, për veten e tyre nuk e kanë dhe aq të vogël. Ajo që bie në sy në të gjithë historinë e kontrollorëve është mënyra dhe koha e zgjidhjes së problemit të tyre. Ajo që ata bënë duke ndërprerë punën dhe bllokuar fluturimet, ishte një rrufe në qiell të pastër dhe tërheqje maksimale e çështjes së tyre. Por këtu ka një problem shumë të madh. Që ata kanë të drejtën e grevës edhe këtë nuk e kundërshton kush. Që ata kanë të drejtë të kërkojnë rritje rroge edhe këtë nuk ua mohon kush.

Por që e gjithë kjo del papritur e papandehur në një ditë të bukur krejt habitshëm, lë pas shumë pikëpyetje. Pa asnjë lajmërim, pa asnjë afat, e pas asnjë kusht, por befas u ndërpre puna dhe Rinasi u la pa fluturime, kjo është jo thjesht një gafë sindikaliste, por një veprim i keqmenduar dhe i organizuar pa e mbështetur askund e që nuk është parë kund. Nuk do ta diskutonte kush këtë histori nëse në këtë një vit me ulje rroge dhe me probleme të tjera, ata kontrollorë do kishin bërë publike çështjen e tyre në të cilin ata besonin që kishin të drejtë dhe që besojmë edhe ne se kanë të drejtë.

Në shenjë sensibilizimi ata mund të kishin organizuar edhe grevë një orëshe pa ndërprerë fluturimet, por vetëm për të bërë publike problemet e tyre. Do kishin thirrur edhe median dhe do kishin vendosur afate. Dhe vetëm nëse ministria e Infrastrukturës nuk do kishte reaguar, ata mund ta përshkallëzonin grevën e tyre. Por, ndërprerja e punës si një e rënë gongu është një autogol për të gjithë ata që e bënë. Deri mesditën e 7 prillit kur Rinasi u bllokua asnjë gazetar e jo më opinioni publik nuk kishte asnjë dijeni për çështjen e tyre. Deri mesditën e 7 prillit askush nuk kishte dijeni se mund të ndërpriteshin fluturimet dhe të krijohej ai kolaps që ndodhi.

Kushti që kontrollorët i vunë qeverisë se nëse ne nuk na rritet rroga në 5 mijë dollarë nuk do kishte fluturime në Rinas ishte pothuajse kontroverse. Jo për shifrën e rrogës jo. Por për mënyrën se si u kërkua dhe pasojat që solli bllokimi i të vetmit aeroport ndërkombëtar në vend. Kontroverse edhe për shkak të problemeve që kishin pasojat e këtij veprimi por edhe të lidhura me faktin që Rinasi është edhe aeroport civil edhe ushtarak. Pikërisht aty në Rinas ndodhet edhe Komanda Ajrore e ushtrisë shqiptare, një ushtri që është anëtare e NATO-s.

Jo më kot ish-shefi i shtabit të ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, e tha qartë e prerë pak ditë më par në emisionin që unë drejtoj:  Edhe sikur ne të mos kemi kapacitete dhe njerëz në Albkontroll është e sigurtë që do sjellë NATO njerëz aty. Prandaj, lënia e punës, braktisja e një objekti me rëndësi kaq të veçantë, pasojat që solli ndërprerja e fluturimeve janë shumë më të rëndësishme se sa e drejta e tyre legjitime për rritje rroge. Një balancë që nuk ke ku mund ta kapësh për tu dhënë të drejtë. Një veprim që për të cilin nuk ka rëndësi se në cilën qeveri ndodh, me atë të PS apo të PD. Aeroporti i Rinasit është aset i Shqipërisë dhe e shqiptarëve dhe si i tillë asnjë qeveri nuk mund ta bëjë dhe trajtojë atë as pronë e as si çështje për të fituar kapital politik.

PËR QEVERINË

Së pari duhet thënë se qeveria dhe instancat e saj gjetën një zgjidhje dhe kjo është për tu përshëndetur. Por vetë qeveria ka stonuar në disa aspekte në të gjithë këtë histori dhe kjo duket hapur. Situata kurrë nuk duhej të arrinte deri në këtë pikë saqë aeroporti të mbyllej papritur e papandehur dhe pa kaluar më parë mes masave dhe veprimeve të përshkallëzuara. Dukej qartë që qeveria ose nuk kishe fare informacion për atë që pritej të ndodhte, ose në rastin më të mirë i kishte shpërfillur informacionet. Dukej që ka ekzistuar një lloj arrogance e autoriteteve që kanë patur detyrë ta menaxhonin këtë situatë. Kjo u duk hapur që në momentet e daljes së ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në konferencën e parë për shtyp.

Nuk ishte fare etike që zonja në fjalë teksa gazetarët bënin pyetje në konferencë për shtyp, ajo shtypte butona në celular. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës e as në Shqipërinë tonë politike një sjellje e tillë. Përpos respektin për gazetarin që bënte pyetje, zonja Balluku duhet të kishte respekt për publikun që në ato momente ishte tejet i interesuar se çfarë do thoshte ministrja për bllokimin e Aeroportit, për ndërprerjen e fluturimeve dhe më e rëndësishmja fare të kuptonte se çfarë po ndodhte. Por ja që e bëri zonja Balluku. Kjo lë të kuptosh se zonja edhe zgjidhjen e kësaj çështjeje e ka bërë me këtë lloj sjellje. Të lë të kuptosh se ka treguar edhe përçmim ndaj atyre punonjësve. Ndërkohë që çështja kishte një vit që ishte bërë e ditur ministrja dhe dikasteri që drejton duhet ta kishte zgjidhur atë me kohë. Unë kam krijuar bindjen se referenca që i është bërë kryeministrit Edi Rama për këtë çështje duhet të ketë qenë me vonesë. Kryeministri Rama arriti të japë zgjidhje por njëkohësisht duhet të kishte marrë masa edhe ndaj vartësve të tij që nisin që nga pjesa më e ulët e zinxhirit e deri te ai më i larti.

Edi Rama nuk mund të trajtojë një çështje kardinale shtetërore të tillë që vetëm kur ndërhyn ai zgjidhet. Janë shefa e drejtorë në kupolën e dikasterit që paguhen nga taksat tona dhe më minimalja duhej të ishin aktivë për të zgjidhur këtë çështje. Dukej hapur se kur çështja plasi dhe Rinasi u bllokua pothuajse të gjithë kanë menduar se këtë e zgjidh i madhi, një mentalitet tipik oriental. Zyrtarët tanë duhet të mësohen dhe edukohen se çështjet zgjidhen sipas hierarkisë dhe shkallëve dhe ato nuk i zgjidh vetëm i madhi që është në krye të qeverisë.

Ndërkohë për sa i përket asaj që qeveria thitë se ky ishte një grusht shtetit në tentativë nga presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Bersha duket aq naive dhe foshnjore. Mjafton vetëm një element që e hedh poshtë këtë. Fakti që Albcontrol është pjesë e strukturave shtetërore dhe varet vetëm nga qeveria, nuk ka vend për hamendësime dhe trillime historish se çuditët një Shqipëri të tërë. Meta dhe Berisha dëshirojnë shumë që kjo qeveri të rrëzohet por nuk mund ta besojë kush se rrëzimin e saj ata të dy do ta realizonin me disa kontrollorë të Rinasit. Prandaj edhe qeveria, në mënyrën se si e faturoi autorësinë e kësaj historie stonoi hapur. Stonoi hapur edhe në aspektin e Public Relation që për ta mbrojtur qeverinë në këtë histori përdori disa sharlatanë në studio televizive që me servizilimin e tyre të pështirë, në vend ta mbronin, e diskredituan atë edhe më shumë.

Një stonim që i erdhi për shtat për faktin që jemi në fushatë elektorale dhe mënyra e zgjidhjes ndonëse erdhi në rrugë ligjore i shërbeu fushatës. Një zgjidhje tamam si në romanin e Cronin. Ata që bënë grevën menduan se do ta largonin pronarin dhe përmbysnin edhe sistemin. Por thjesht ngritën sytë nga qielli dhe panë se ishin yjet ata që rrinin dhe vështronin. Ashtu edhe në rastin shqiptar zgjidhja erdhi e tillë që na bën të themi: Dhe yjet rrinë dhe vështrojnë historinë 72 orëshe të Aeroportit të Rinasit.

10 komente në “Dhe yjet rrinë e vështrojnë Aeroportin e Rinasit”

  1. Endri says:

    Ku jeton ky tipi?! Ne Shqiperi nuk besoj

    1. pjeter says:

      Ore po c’fare dreqi kane kete lloj e lloj analista qe ja vazhdojne me insistim te njejtes muzike? O dybek,nuk mund te banalizosh diskutimin e rrogave te kontrolloreve kur motivi i protestes se tyre te jashte ligjeshme,e perseris Qafok,te jashte ligjeshme,eshte pikerisht Rroga? Ku gaboi Qeverria? Te krijonje nje precedend te tille ku bie preh e shantazheve? Po ça dreqin keni qe beni sikur nuk kuptoni?qe nuk doni ti pershkruani gjerat ashtu si jane ju analistst e leshit por beni artikuj polemike ne sherbim te cinizmit tuaj? Neser dalin te gjithe ne greve si keta te stresuarit,Policia,Ushtria,Mjeket e urgjencave,Zjarrfiksat,’o na i çoni rrogat si duam ne,o ne ju leme ne balte”.Jushtaret ne mision nuk dalin ne sherbim,policia,shkon ne shtepi,nuk garanton asgje,as ezigjencat minimale,ku veme ne o Qafok?Per opinionin publik ne pergjithesi ,kerkesa e tyre,dhe menyra si e kerkuan,ishte irrituese dhe ofensive,paçka se puna e tyre eshte e çmuar.Qeverria nuk gaboi iç,mori masa per te siguruar sherbimin jetik te munguar,kurse ju,Qagok,bashke me Nanon,Me Vangjelin,po ja meshoni keto dite idese qe kjo ngjarje nuk ishte aq e rende sa shqiptaret e ndiene,gjera qe ndodhin,asnje nuk duhet te paguaje,qevertia duhet tu krefte bishtin,,dhe fillojme edhe njehere nga e para.Ju qe mbaheni per serioze,te pavarur,e ndieni veten te detyruar tia fusni si kau peles edhe kur realiteti edhte shume here me i thjedhte?

  2. edmond says:

    Zakonisht grushtet e shtetit behen nga ushtria dhe ushtria permbys qeverine nga e cila varet, pra argumenti se Albkontrolli nuk mund ti bente keq qeverise sepse varet nga ajo eshte, me te pakten, jashte çdo logjike! Kot nuk thote populli yne: nuk ta ben askush ate qe te ben i yti!

  3. ilir says:

    Gjith ky artikull i Qafokut per ti hequr baren politike veprimit te grevisteve!
    A i ka lexuar Ky mesazhet qe shkembenin me njeri tjetrin grevistet?!!
    Eshte i pari analist qe shprehet se megjithmend grevistet e kishin greven per rogen e jo per te trubulluar situaten politike ne favor te dikujt.

  4. katarakti says:

    Shkrim idiot. Me sa di unë Albkontrolli është shoqëri anonime, pra jo shtetërore. Prandaj qeveria nuk ka punë fare me rrogën e tyre. Kush ua ka garantuar atyre se do marrin çdo muaj 5 000 euro edhe kur volumi i punës është përgjysmuar?!

  5. Konjak says:

    Thoni se ministrija Balluku duhet ta kishte zgjidhe vet ngercin e krijuar , po por ministija duhet ti kishte te c’liruara ato kopetenca qe kan ministrat , por kur keto kopetenca jane te frenuara dhe rreptesisht te kontrolluara nga kryeministri , atehere si mund te zgjidhe problemet qe lindin , ministrija me kopetencat dhe vullnetin e lire te saj ?. C’do institucionar , duhet te kete kopetencat e tij , te saksionuara me ligj , dhe askush te mos fut hundet ne detyren e tij ; por vetem te kontrollohet per kryerjen dhe moskryerjen e tyre , qe per c’do rast , institucionari te mbaje pergjegjesi per bemat dhe mosbemat e tij , sipas rastit . Mirpo KM-te tan , duan te duken , duke i trembur institucionaret , per te mos marre asnje vendim , pa miratimin e KM-it . Ky fenomen ka shoqeruar KM-at tan , here pas here , ngjer me sot . Punonjesit e sigurise ajrore ishin punesuar pothuaj te gjithe nga ish drejtoresha Balluku , si eshte e mundur qe vet ajo te kundershtonte te bashkebisedonte me ta , per problemet qe kishin lindur , me shume se para nje viti , me uljen maksimale te rrogave , apo mungeses se pageses per kater muajsh ?!. Keshtuqe problemi nukse lindi pa pritur e kujtuar , por kishte nje periudhe goxha te gjete qe askush nukse i perfillte per te dikutuar per problemet e tyre .
    Problemi u zgjidh , por kaq me vonese sa s’ishte e nevojshme . Problemet , shkojne mir apo keq , eshte eqverisja shkaketari kryesor dhe i vetem i pershtjellimit .

  6. Merlin says:

    Ore vertet ku jeton ky fare gazetari?Me sa duket jeton ne presidence,ne stafin e Likes.Por si qenka naive lidhja e veprimit te tyre me grusht shteti more zoteri,qe vetem gazetar nuk je,pa le analist nuk je e nuk je.Ishte nje grusht i rende imarre nga njerez qe kane krijuar prej vitesh folene ne te vetmin aeroport nderkombetar te vendit,ne sherbim te synimeve politike.Grushti i shtetit or Naiv Efendi, arrihet me disa menyra.Forma klasike eshte kur nderhyn ushtria e merr pushtetin.Por edhe kjo greve e te tjera si kjo,pra kur nderpriten sherbime te domosdoshme,si sherbimi i rendit,apo rendi ne burgjet(sic po bie ere),sherbimi mjeksor ,sherbimi ne furnizimin me uje e energji elektrike etj,jane grushte te mire fillta ndaj shtetit dhe sjellin mungesen e ti dhe kaos.Per te mos permendur stervitjen e madhe te Natos dhe interesat politike per mos zhvillimin e saj qe ishte ne prag.Eshte e nevojshme qe prokuroria ti shkoje deri ne fund kesaj ngjarje e per te mos lene hapesire per keto interpretime te ketij fare analisti e shoket e tij,per te nxjere te gjitha pergjegjesite,ne te gjitha nivelet.Per ta mbyllur,se c’kishte presidenti,c’fare kerkonte e ku donte te dilte me thritjen e kontrolloreve ne Presidence,shume dite perpara se data 7 Prill, nuk di a do te na jape sqarim ky Kazangazetar!!!

  7. llaman says:

    Kesaj i thone me u gjend Kola ne pune, kjo eshte esenca e ketij shkrimi.
    Nje ndermarrje ekonomike, ndonse shteterore si puna e Albcontroll qe punon dhe funksionon me te ardhurat e krijuara pa asnje kontribut nga shteti duhet te mbeshtetet ne aktivitetin ekonomik te saj, dmth fiton shume, merr me shume, fiton me pak merr me pak. A nuk eshte kjo esenca e nje ndermarjeje kapitaliste? Ndermarrja ka bordin e saj te drejtimit. Cpune ka ketu Edi Rama apo Balluku, qe per hir te se vertetes kane qene konseguente ne gjithe veprimet e tyre. Nuk bien dakord kontrolloret me bordin drejtues, c’pune ka qeveria te prese e degjoje kontrolloret? Nje komision arbitrazhi apo gjykate e zakoneshme i jep pergjigje cdo konflikti midis nje bordi drejtues dhe punonjesve.
    E pse nuk u dashka diskutuar ketu per rrogat e kontrolloreve? A mos valle gjithe arsenalin material (sistemet elektronike etj) e kane blere kontrolloret me te ardhurat e tyre? Sa idiot duhet te jete nje gazetar qe shkruan te tilla gjera. Nqs kontrata krijon disnivele pagash astronomike ne kurriz te pjeses tjeter tw popullsise, atehere ketu dicka nuk shkon.
    Akoma ka gazetare tutkune qe nuk e dine se greva eshe e ndaluar ne nje sektor te tille strategjik?

  8. llaman says:

    Dhe yjet rrine e veshtrojne (The stars look down) -i rreferohet minatoreve qe punonin nen thellesite e nentokes dhe mezi siguronin buken e gojes. Cila eshte ngjashmeria me yjet e Kroninit o gazetar i madh? Rroga e ulet 5000 dollareshe e kontrolloreve apo lartesia e kulles e krahesuar me galerite e shembura te minieres ku ngeleshin me dite te tera minatoret ku midis tyre kishte dhe femije (kjo sipas tektit te romanit)?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje