Disa vite më parë refuzonte grantet, FSHF-së i del gjumi para zgjedhjeve: Nuk kemi përfituar asgjë

16 Prill 2021, 21:37Sport TEMA

FSHF prej shumë vitesh ka vepruar në autonomi të plotë nga Ministria përkatëse për sportin dhe kontaktet me të kanë qenë minimale. Për të evituar përplasje si ato të një dekade e gjysmë më parë, FSHF prej kohësh ka hequr dorë nga aplkimi i fondit grant që marrin nga shteti shqiptar federata e ndryshme. Ato janë shifra minimale po të llogaritësh buxhetin që ka FSHF dhe vetë drejtuesit e këtij institucioni i kanë cilësuar si “thërrime” publikisht. Për më tepër, në institucionin e futbollit i “trembeshin” faktit se një fond i tillë mund të çonte në auditivin e plotë të të ardhurave të saj, që e eviton prej vitesh.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shtetit kanë bërë të qartë se me lehtësirat fiskale që ka FSHF, kërkesa e një pjese të grantit do të kishte qenë e tepruar. Kështu, dy palët i kanë qëndruar larg njëra-tjetrës në këto vite më e përjashtim të rasteve kur të detyruar kanë marrë pjesë në aktivitetet që kanë organizuar.

Çuditërisht, pak ditë para zgjedhjeve në KOKSH të certifikuara nga MASR ku FSHF-së i është hequr e drejta e votës, e pak ditë nga ato politike, FSHF është zgjuar nga gjumi dhe ka kërkuar pjesë nga granti. Kështu, me një reagim të gjatë, institucioni i futbollit është ankuar se pse nuk është përfshirë në planin e grantit dhe bursave olimpike, duke e cilësuar shkelje të rëndë.

Reagim publik ndaj përgjigjes së Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë për aplikimin e FSHF-së për fondin grand

Federata Shqiptare e Futbollit, me shqetësim informon anëtarët e saj dhe opinionin publik lidhur me konstatimin e një shkelje flagrante ligjore nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë mbi ndarjen arbitrare të fondit “Grand/transfertë e brendshme” për federatat olimpike, KOKSH dhe OKAD 2021.

Pasi ka ardhur në dijeni të urdhrit të Ministrit të Arsimit Nr. 33 datë 24.02.2021 për ndarjen e fondit për federatat olimpike, KOKSH dhe OKAD 2021 nga ku ka rezultuar se FSHF nuk ka përfituar prej këtij fondi asnjë të ardhur ndonëse aplikimi është konfirmuar prej MASR me numër 325987, FSHF ka kërkuar nga MASR informacion lidhur me renditjen përfundimtare të federatave dhe pikëve të përfituara prej tyre në përputhje me pikën 8 dhe 9 të udhëzimit Nr.4 datë 25.02.2020 dhe më konkretisht pozicionimin e FSHF ne këtë renditje.

Kësaj kërkese për informacion MASR i është përgjigjur se FSHF nuk u përfshi në këtë proces, pasi: – ka buxhet të madh vjetor, ndërkohë që buxheti i federatave të tjera është mjaft i ulët… – ka përfituar nga Reforma në Sport lehtësira fiskale… Veç sa më sipër, investimet në infrastrukturën sportive në Shqipëri kanë qenë, kryesisht, të orientuara në infrastrukturën futbollistike etj., etj., etj.

Për hir të transparencës shpjegojmë këto fonde janë fondet publike që alokohen nga buxheti i shtetit për federatat shqiptare sportive dhe detyra e MASR është t’jua ndajë ato federatave sipas udhëzimit Nr. 4 datë 25.02.2020 i cili përcakton kritere si masiviteti, gjithëpërfshirja, popullariteti, organizimi i aktiviteteve kombëtare, ngritja e kapaciteteve, etj.

Nuk ekziston pra në asnjë germë të ligjit, kriteri i pasjes së një buxheti të madh vjetor për përfitimin e fondit, por mjafton përmbushja e aplikimit. Në bazë të këtij aplikimi, MASR është e detyruar me ligj të nxjerrë renditjen përfundimtare të federatave dhe pikëve të përfituara prej tyre. MASR, jo vetëm nuk i është përgjigjur kërkesës së FSHF-së për informacion, por ka tejkaluar kompetencat ligjore duke marrë përsipër të japë opinione subjektive mbi përfshirjen ose jo në proces të FSHF-së.

Ky qëndrim i paligjshëm përmban në vetvete edhe disa të pavërteta. Nëse FSHF nuk u përfshi në proces, për ç’arsye u kërkua plotësimi i të dhënave nga MASR dhe për ç’arsye u konfirmua me shkrim aplikimi i saj?! Përtej politikës së ditës këtu flitet për një detyrim ligjor për ndarjen e asaj pak gjëje që i takon sipas buxhetit të shtetit federatave. Ky set ligjesh dhe udhëzimesh nuk është për përmbushjen e programeve të tjera të investimeve që shteti mund të ketë në sport. Ky set ligjesh nuk është për të bërë demagogji apo fushatë se cila qeveri investon më shumë në sport.

Ky set ligjesh është i dedikuar posaçërisht për financimin e kontratave, shpenzimet operative të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, trajtimi ushqimor të sportistëve të nivelit të lartë, trajtimin mjekësor dhe shpenzimet e riaftësimit të sportistëve etj.

FSHF ka bërë një aplikim të bazuar në legjislacionin shqiptar dhe ka ushtruar një të drejtë që ia jep ligji ndaj kërkon që kjo e drejtë, sado e vogël qoftë t’i njihet nga Ministria përgjegjëse. MASR ka shpërdoruar detyrën duke mos e marrë në shqyrtim aplikimin dhe duke vendosur në mënyrë të njëanshme t’i ndajë pjesën takuese të sportit më popullor dhe më masiv në vend siç është futbolli, federatave të tjera të cilat as nuk kanë arritur të përfundojnë aktivitetet kombëtare në vitin që lamë pas.

Nga pikëpamja e (a)logjikës së përgjigjes, rezulton se duhet të jesh inekzistent për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit. Po ashtu, listimi i “arritjeve” dhe investimeve në infrastrukturën sportive mbetet demagogji e plotë dhe nxjerr hapur konceptin e kësaj Ministrie që kërkon lëvdata për bërjen e detyrës. Në të njëjtën linjë, citimi i ligjeve që trumbetohen me të madhe si reforma a thua se janë akte të posaçme për futbollin nuk është gjë tjetër veç përbuzje për sportin.

Është e pamundur të mos përmendësh gjithashtu rastet analoge nga Evropa ku pavarësisht se federatat kanë një buxhet dhjetëra apo qindra herë më të madh se i FSHF, sërish qeveritë i mbështesin me grante miliona eurosh.

Për hir të së vërtetës, me një buxhet vjetor 12-fish më i vogël se sa buxheti i Kosovës për sportin asgjë më shumë se kjo përgjigje nuk mund të realizohet në sportin shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje