Ruajtja e armatosur e votave nuk ka filluar me rastin e Elbasanit. Rasti i parë, ka qenë në Berat.
Administratorja e Lagjes numër 2 në berat, Joana Melengu, ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Rrethit Berat, dy kandidatë për deputet të Partisë Demokratike në berat, Kasem Mahmutaj dhe Tomor Alizotin, si edhe një qytetar beratas, Endrit Zenelin.
Sipas kërkesës së Melengut, personat e lartpërmendur kanë kryer veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë së votës”.
Sipas administratores, me datë 16 prill, në Bashkinë Berat u ndërmor një operacion humanitar për të mbështetur familjet e të cilave prekeshin nga situata e pandemisë. Po në këtë datë, u bë kërkesa nga Bashkia për të përdorur ambientet, në përputhje me kushtet e pandemisë.
Qendra e bankës ushqimore u realizua në një sallë konferencash në Bashkinë Berat. Aty u përqendruan donacionet nga partnerë të ndryshëm.
Për shkak të angazhimeve të tjera, transporti i mallrave filloi me datë 20 prill. Pikënisja ishte nga magazinat ushqimore të drejtorisë arsimore Berat.
Gjatë transportit, në hyrje të magazinës, fugoni dhe punonjësit janë ndalur me forcë. Në kqyrje të mjetit transportues, nuk është gjetur asgjë përveçse mallra që po transportoheshin.
Për këtë shkak, është bërë edhe kallëzimi penal.
Rasti i Elbasanit
Rasti i Elbasanit, ku mbeti i vrarë një person pas një konflikti me një grup të mbrojtjes së votës të Partisë Demokratike, tronditi gjithë vendin.
prej zbardhjes së ngjarjes nga policia, rreth orës 14:00 të 21 prillit, ka mbërritur në policinë e Elbasanit një njoftim nga një shtetas. Në vendngjarje është dërguar një njësi e forcave të posaçme “Shqiponja”.
Grupi i PD-së, në drejtimin e tre fugonëve, kanë bllokuar qarkullimin e mjetit Mercedez, tip ML, të drejtuar nga shtetasi M.G.
Pas mbërritjes së Policisë, konflikti ka përshkallëzuar. Aty janë përdorur armët, duke lënë të vdekur shtetasin Pjerin Xhuvani. Të plagosur, kanë qenë shtetasit Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe një punonjëse e forcës së posaçme Shqiponja, Xh.S..
Autori, Arbër Paplekaj, është arrestuar pas ngjarjes. Mbi dhjetë të tjerë ndërkaq ka akuza të ngritura.
Gjithsesi, prokurori Alfred Shehu, ka theksuar faktin se brenda mjeteve të sekuestruara, nuk janë gjetur materiale zgjedhore.
Një thirrje u bë gjithashtu nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, se i vetmi organ që kontrollon krimet e votës, është Policia e Shtetit. Subjekteve u është bërë thirrje të mos angazhohen me ekipe të veçanta, si në rastin e Elbasanit.
Rasti i Maqellarës
Rasti i Maqellarës, bëri bujë në media, pasi eksponentë demokratë bllokuan një makinë të dyshuar ku po kryhej shit-blerje votash.
Në vëmendje mediatike, ka qenë edhe një video e kreut të listës së demokratëve në Dibër, Xhelal Mziu. Ky i fundit ka thënë publikisht në një tubim të demokratëve ditën e djeshme, se grupet e tyre janë gati dhe kush tenton të prekë votën, do ta pësojë si Pjerin Xhuvani në Elbasan.
“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë si ai në Elbasan”, deklaronte Mziu.
Policia ndërkaq e ka proceduar penalisht atë. Vepra për të cilën akuzohet, është : “Thirrje për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.
Janë arrestuar po ashtu dy persona për rastin e pretenduar për shit-blerje votash. Subjekti politik për të cilin ata vepronin, nuk është bërë ende i ditur. (albanianpost)