Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardh vendimin për kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj. KPK ka arsyetuar se nuk ka asnjë provë apo indicie për përgjime për vëzhguesin ndërkombëtar.
“Nga asnjë institucion ligjzbatues në Shqipëri nuk rezultoi asnjë lloj e dhëne, prove apo indicie, që të lidhë subjektin e rivlerësimit me pretendimin e ngritur për vëzhgime apo fotografime të mundshme të ish vëzhguesit ndërkombëtar.
Burimi i provës për vërtetimin e faktit të pretenduar është denoncimi i paraqitur nga një person me emrin Rrahim Shehu, i depozituar pranë Komisionit me 24 gusht 2020.
Nga hetimi administrativ nuk rezultoi të administrohet asnjë fotografi, apo përgjim për ish vëzhguesin z. Kijlstra, dhe as rezulton që subjekti i rivlerësimit të ketë njohuri në lidhje me to.
Pretendimet e bazuara në letrën e Rrahim Shehut, mbeten pretendime të shprehura nga ky i fundit pa asnjë të dhëne tjetër me vlerë provuese.
Nga ana tjetër, bazuar në dokumentacionin e administruar, nuk rezulton që z. Kijlistra ta ketë adresuar shqetësimin e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri në asnjë nga agjencitë kompetente për ndjekjen e rastit, si në polici apo prokurori, fakt ky i konfirmuar nga përgjigjet zyrtare.
Në këtë mënyrë, akuzat e ngritura në seance dëgjimore nuk qëndrojnë”, thuhet në vendim.
Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj ka kaluar me sukses procesin e vettingut.