Një vdekje në tramvaj

5 Korrik 2021, 09:54Bota TEMA

Para disa ditësh në mediat zvicerane u botua një lajm se në tramvajin numër dy në Zürich kishte vdekur një burrë.

Lajmet e tilla zakonisht lexohen dhe harrohen. Ose nuk lexohen fare.

Por kjo vdekje kishte diçka të pazakonshme. I vdekuri kishte qëndruar 6 orë e 45 minuta në tramvaj – askush nuk e kishte vërejtur se është i vdekur, ndërsa tramvaji ecte nëpër qytet…

Ose: askush s’kishte dashur ta vërejë se është i vdekur. Statistika tregon: 1200 pasagjerë kishin hyrë dhe dalë nga tramvaji – askush s’iu kishte afruar të vdekurit, sepse me gjasë të gjithë besonin se është duke fjetur.

Pastaj: jeta është dinamike, secili ngutet të kryejë punët e veta, nuk ia vë syrin dhe mendjen tjetrit.

Pastaj: pandemia, secili mban distancë.

Në stacionin e fundit shoferi i tramvajit në të vërtetë duhet të kontrollojë tramvajin.

Por as këtë nuk e kishte bërë ai. Nuk është obligim, por vetëm këshillë, nëse ka kohë, thotë një zëdhënëse e transportit publik.

Rreth orës 13:15 minuta një infermiere e kishte vërejtur se diçka s’është në rregull me njeriun që po rrinte si statujë në tramvaj.

I kishte folur, por ai s’ishte përgjigjur. I kishte prekur pulsin, por trupi tashmë ishte i ftohtë.

Mjekët pastaj konstatuan vdekjen e tij. Kush ishte i vdekuri?

Një gazetar i “NZZ am Sonntag“ e ka hulumtuar rastin dhe ka dëshmuar kështu se si nga ngjarjet “e vogla” mund të bëhet gazetari e madhe.

I vdekuri, 64-vjeçar, ishte rrobaqepës në Zürich, 21 vjeç kishte ardhur nga Italia te babai i tij, familja rridhte nga San Pietro a Maida në Kalabri. (Ndoshta ishte arbëresh, ky është supozim imi).

Shkaku i vdekjes: me gjasë sulm në zemër. Një rrëfim prekës dhe një shembull i gazetarisë me plot empati. (E.Robelli)

https://nzzas.nzz.ch/hintergrund/schneider-vater-fussballfan-das-leben-des-toten-vom-tram-2-ld.1633739?mktcid=smsh&mktcval=Facebook&fbclid=IwAR09GeY0ZLELmmcE5k9oo1EesYfTXMHBwut9nZOf2Q7buavEzirSbSUfBf8

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje