Taksë globale për korporatat, Samiti i G20-s rishqyrton propozimin e Biden

11 Korrik 2021, 09:01Bota TEMA

Ministrat e vendeve të G20-s kanë në plan të frenojnë shmangien e taksës kufitare. Ndërkohë, propozimi i presidentit Joe Biden për një taksë minimale korporatash do të shqyrtohet sërish nga krerët e financave.

Ministri gjerman, Olaf Scholz tha në kuadër të samitit që mbahet në Venecia, se kishte besim që takimi do të çojë drejt një marrëveshjeje globale për një taksë prej 15% për korporatat.

“Po, vendimi për çështjen se si të taksojmë më mirë korporatat do të jetë historik, ndërsa taksimi minimal ishte një avantazh i vërtetë për demokracinë dhe për një taksim global më të drejtë. Kjo do të na japë shansin t’i shkojmë gjërave deri në fund”, tha Olaf Scholz, ministër gjerman i Financave.

Bota duhet të investojë më shumë për të shmangur një përsëritje të coronavirusit, ishte ndërkohë porosia e raportit të Panelit të Pavarur të Nivelit të Lartë, që paralajmëroi se kriza e ardhshme shëndetësore mund të vijë brenda një dekade.

Raporti u rekomandon qeverive që bashkërisht të rrisin financimet për parandalimin dhe përgatitjen me të paktën 75 miliardë dollarë për 5 vitet e ardhshme.

Kjo do të mundësonte krijimin e një rrjeti për mbikëqyrjen dhe studimin e sëmundjeve infektive, një sistem shëndetësor më të fortë, qeverisje më të mirë në menaxhimin e krizave dhe kapacitete më të forta globale për të prodhuar vaksina.

Ndërkohë, rreth 20 aktivistë të ulur në urat, rrugët dhe sheshet e Venecias u përpoqën të ndërgjegjësonin liderët për ndikimin e ndryshimeve të klimës në ekonomi, teksa ministrat dhe guvernatorët e bankave qendrore u takuan për disa ditë me radhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje