Që nga fillimi i Kampionatit Europian, futbollistët dhe stafi i përfaqësueses angleze ishin izoluar në një hotel, për të shmangur ndonjë infektim të mundshëm me koronavirus dhe në harkun kohor të 6 javëve nuk kishin pasur kontakte as me familjarët.
Grumbullimi përfundoi zyrtarisht paraditen e sotme, me futbollistët që mblodhën sendet personale dhe u larguan nga hoteli, teksa shumë prej tyre priteshin jashtë nga familjarët që kishin shkuar për t’i marrë.
Në fotot e shpërndara nga mediat britanike shihet qartë dëshpërimi i futbollistëve të “tre luanëve”, që i shkuan shumë pranë triumfit në Kampionatin Europian, por humbën vetëm pas gjuajtjeve të penalltive ndaj Italisë.
Ky edicion i Kampionatit Europian, ishte më i suksesshmi për Anglinë, që arriti për herë të parë deri në fazën finale, diçka që ndodhi plot 55 vite pas triumfit në finalen e botërorit të 1966-ës.