Në Kubë nisin protestat kundër regjimit komunist

12 Korrik 2021, 21:20Bota TEMA

Mijëra kubanë janë mbledhur në një protestë të rrallë kundër qeverisë komuniste. Me parullën “Poshtë diktatura”, protestat antiqeveritare nisën në mënyrë krejt spontane në disa qytete, ndërsa vendi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në 30 vitet e fundit.

Qindra marshuan në rrugët e Havanës duke kënduar “Duam liri”, ndërsa prezenca ushtarake shtohej para ndërtesave qeveritare. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe arrestoi dhjetë protestues.

Presidenti Miguel Diaz-Canel u përgjigj me anë të një daljeje televizive duke u kërkuar mbështetësve të tij të përballen me protestuesit.

U bëjmë thirrje revolucionarëve të vendit, të gjithë komunistëve, të dalin në rrugë atje ku po ndodhin këto provokime dhe të përballen me to në mënyrë decizive dhe kurajoze”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara reaguan menjëherë në lidhje me protestat.

SHBA mbështet lirinë e shprehjes dhe protestat në të gjithë Kubën dhe do të dënojë me forcë çdo rast dhune ndaj protestuesve paqësorë që po ushtrojnë të drejtat e tyre universale“, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan, në Twitter.

Zemërimi i kubanëve

Kubanët janë të zemëruar për mungesën e shërbimeve bazë. Një vendas në San Antonio de los Banos i tha AFP në kushte anonimiteti se shkak për protestat është “situata me energjinë elektrike dhe ushqimin”.

Krahas mungesës së energjisë elektrike dhe vështirësisë për të siguruar ushqimin, në Kubë raportohet edhe për mungesën kritike të ilaçeve që nga fillimi i epidemisë Covid-19, pasi vendi është subjekt i sanksioneve amerikane.

Kuba po përjeton fazën më të vështirë të epidemisë së koronavirusit.

Vendi me 11.2 milion banorë mbeti relativisht i padëmtuar në muajt e parë të shpërthimit të Covid, por ka parë një rritje të infeksioneve. Të dielën u shënua një rekord i ri prej 6.923 rastesh ditore dhe 47 vdekjeve, nga një total prej 1.537.

Të vetmet mbledhje të autorizuara në Kubë janë zakonisht eventet e Partisë Komuniste.

Diaz-Canel ka drejtuar Kubën që nga viti 2018, kohë kur pasoi Raul Castron, i cili shërbeu si lider pas vëllait të tij Fidel Castro.

Nën hashtage të tillë si #SOSCuba, thirrjet për ndihmë janë shumëfishuar në mediat sociale, ku qytetarë dhe yje të muzikës i kërkojnë qeverisë të bëjë të mundur që donacionet e huaja të pranohen në vend.

Një grup opozitar bëri thirrje të shtunën për krijimin e një “korridori humanitar”, një iniciativë që qeveria e hodhi poshtë duke thënë se Kuba nuk është një zonë konflikti.

Ernesto Soberon, zyrtar i punëve të jashtme, denoncoi një “fushatë” që sipas tij po krijon “imazhin e një kaosi total në vend, që nuk korrespondon me situatën”.

4 komente në “Në Kubë nisin protestat kundër regjimit komunist”

  1. Lame Duka says:

    Kuba sot eshte e ngjashme me Shqiperine e fillimit te korrikut 1990. Kthesa demokratike qe pritet ne kete vend urojme te jete pa dhune e represion, pa viktima. Kubanet kane se cfare te mesojne nga ndryshimet demokratike ne Europen Lindore. Emigracioni kuban, sidomos ne SHBA, ka mundesi te ndihmoje per kalimin paqesor te pushtetit nga kasta e vjeter komuniste ne forca e personalitete te provuara demokratike. Eshte pak e besueshme qe Kuba, me nje industri te fuqishme farmaceutike, te kete mungese ilacesh, sic po ngjet me energjine dhe ushqimin.

  2. demokrati says:

    Kam frike se fidelistet do sillen me keq se ne Tiananmen.

  3. Olimpia says:

    Beni nje krahasime te KUBES me vendet e tjera te karaibeve apo ato latinoamericane dhe pastaj botoni keto idiotizma te neveriteshme propogandistike.

  4. Genti says:

    Kubanet do e marrin vesh c’eshte”Demokracia” dhe Liria qe i pret kur te mbetn pa pune. Kur industria dhe fabrikat te mbyllen dhe makinerite te shiten per skrap. Kur te vloje korrupsioni dhe te detyrohen te blejne “Drejtesine”, mjekimin ne spitale,diplomat ne shkolla dhe vendet e punes. E kuptoj gjendjen ne Kube pas mese 60 vitesh bllokade dhe privacionesh por kam shume frike se per shumicen e popullit Kuban ajo qe do vije do jete edhe me e veshtire akoma. Nje jete pa prespektive,siguri dhe shprese pervec nj grushti biznesmenesh,spekulatoresh,kriminelesh te korruptuarish dhe politikanesh qe do perfitojne dhe do behen miliardere dhe atyre qe do emigrojne per te siguruar nje jete me te mire pertej detit. Ndonje dite do fillojne te shjne Fidelin dhe Socializmin por s’do kalojne shume kohe dhe do kujtohen se ishin me mire athere kur ishin me “keq”. Kaubanet nje “Demokraci” si ajo qe do vije e hodhen me Revolucionin Kastrist ne 1959-en dhe me shume mundesi pas disa vitesh do ndodhe serish nje Revolucion tjeter nga nje tjeter Fidel.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje