Dy grupe kryesore obstetrike në Shtetet e Bashkuara kanë rekomanduar që të gjitha gratë shtatzëna të vaksinohen kundër koronavirusit.
Kolegji amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve dhe Shoqëria për Shëndetësi të Nënave, thanë në një deklaratë të përbashkët se të dhënat e marra gjatë muajve të fundit nga dhjetëra-mijëra gra shtatzëna kanë treguar se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 është i sigurt.
Infektimi me COVID-19 i vë gratë shtatzëna në rrezik të shtuar nga komplikimet e rënda, madje edhe vdekje. Por, vetëm 22 për qind e grave kanë marrë një ose më shumë doza të vaksinës kundër COVID-19, thuhet në të dhënat e Qeverisë amerikane.
Kjo shifër është e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të vaksinuarve në SHBA, ku pothuajse 70 për qind e popullsisë së rritur në SHBA kanë marrë një ose dy doza të vaksinës.
“Vaksinimi kundër COVID-19 është metoda më e mirë për të ulur mundësinë e ndërlikimeve të nënave dhe fetusit nga infeksioni me COVID-19 te gratë shtatzëna”, tha doktori William Groman, president i Shoqatës për Shëndetësi të Nënave.
Këto dy grupe më herët kishin thënë se gratë shtatzëna nuk duhet të përjashtohen nga vaksinimi, por nuk e kishin mbështetur plotësisht marrjen e vaksinave për këtë kategori të shoqërisë.
Por, “rekomandimi i fuqishëm” që gratë shtatzëna të marrin vaksinën, sipas këtyre dy grupeve shëndetësore, erdhi për shkak të rritjes së shqetësimeve nga varianti Delta, i cili është më ngjitës dhe që po përhapet me shpejtësi në mbarë Shtetet e Bashkuara.