“Pothuajse çdo ditë ata vrasin një ose dy njerëz”, përkeqësohet situata e sigurisë në kampin Al-Hol

11 Gusht 2021, 16:26Bota TEMA

Refugjatët irakianë në kampin al-Hol në verilindje të Sirisë po shprehin shqetësime rreth dhunës në rritje brenda kampit pas vrasjes së një tjetër irakiani gjatë fundjavës, nga militantët e dyshuar të Shtetit Islamik. Kampi strehon dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë familjet e luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zana Omer njofton.

Situata e sigurisë në kampin al-Hol në verilindje të Sirisë po përkeqësohet përsëri. Dhjetëra mijëra refugjatë irakianë dhe sirianë të zhvendosur jetojnë atje, së bashku me mijëra familje të luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik.

Gjatë fundjavës, një refugjat irakian u vra dhe tre të tjerë u plagosën rëndë gjatë një sulmi nga një celulë e dyshuar e Shtetit Islamik. Sulmi e çon në 25 numrin e të vrarëve brenda kampit, që nga mesi i prillit.

Rritja e fundit e dhunës ka shqetësuar shumë refugjatë irakianë në al-Hol.

“Situata jonë po përkeqësohet nga këto vrasje. Po të ktheheshim në Irak dhe të qëndronim në një kamp tjetër refugjatësh, sinqerisht do të ishte më mirë se këtu”, thotë Um Abdullah, një refugjate irakiane.

Sipas autoriteteve kurde të kampit, në al-Hol jetojnë rreth 30,000 refugjatë irakianë.

Në mars, Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara filluan një operacion madhor për të frenuar sulmet e celulave të Shtetit Islamik brenda kampit. Më shumë se 125 operativë të dyshuar të IS-it u arrestuan gjatë fushatës.

Por banorët e kampit thonë se javët e fundit ka pasur një rritje të dhunës.

“Vrasja është bërë një dukuri e përditshme këtu. Pothuajse çdo ditë ata vrasin një ose dy njerëz në kamp”, thotë Rakan Mohammed, një refugjat irakian.

Zyrtarët e kampit thonë se sulmuesit përdorin thika dhe armë me silenciator kur vënë në shënjestër viktimat e tyre. Shumica e sulmeve kanë ndodhur gjatë natës, kur prania e forcave të sigurisë është e ulët.

“Mezi presim të zbardhi dita, sepse natën nuk i dihet kurrë se kush mund të hyjë në tendën tënde”, thotë Abu Ahmet, refugjat irakian.

Një zyrtar në kampin al-Hol i tha Zërit të Amerikës se të paktën 93 familje – gjithsej 380 persona – janë riatdhesuar nga kampi al-Hol që nga maji. Mes tyre edhe 19 shqiptarë.

Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara, më shumë se 62,000 njerëz jetojnë ende në al-Hol, përfshirë rreth 40,000 fëmijë./ VOA

1 komente në ““Pothuajse çdo ditë ata vrasin një ose dy njerëz”, përkeqësohet situata e sigurisë në kampin Al-Hol”

  1. shqip says:

    Ja pra që njeriu mund të kthehet në origjinën e tij. Një kafshe qe nuk mendon më shumë se sa për të siguruar ushqim ditor. Këtyre ju mbush mendja se do gjenin “parajsën” në shtetin islamik. Zëri i “hoxhë Armandit , hoxhë Krasniqi e të tjerë lesh tjerre”, i nisi në një botë ku haej e pihej qyl. Pa punë, pa rrogë, pa dhunë, tamam si në përrallat e Omer Kajan. Edhe pse jam luftëtar i idesë që ata shqiptarë që jetojnë atje të mos kthehen, do ishte më se e drejtë që në atë kamp të çoheshin ata që rekrutojnë këtë kategori mjerane nga truri. I merrja të gjithë në bllok, nga ata hoxhallarët në Kosovë, Maqedoni, e deri në Shqipëri. Dhe u a hidhja mish për qentë e atij kampi .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje